Banesa ku ndodhi vrasja në Tiranë


Policia e kryeqytetit arreston Lorenc Zaimin, të dyshuar për ngjarjen e rëndë


Sipas të dhënave nga grupi hetimor, autori dhe viktima janë zënë në gjendje të dehur


Pija në lokal dhe sherri pas konsumimit të alkoolit ka sjellë një tragjedi në Tiranë, kur një 31-vjeçar ka mbetur i vrarë, ndërkohë që policia ka arrestuar një nga agresorët dhe ka shpallur në kërkim një tjetër. Gjithçka ka ndodhur brenda pak minutave në zonën e Sanatoriumit në kryeqytet dhe pavarësisht se të dëmtuarit i është dhënë ndihma e parë dhe është dërguar me urgjencë për në spital, ai nuk ka mundur të mbijetojë.


Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, kur Remzi Çollaku po qëndronte në një lokal, ndërkohë që pranë tij ishte edhe 28-vjeçari Lorenc Zaimi. Sipas policisë, në ato momente, ata kanë konsumuar alkool dhe kanë filluar të debatojnë për televizorin në lokal. Gjatë debatit, gjakrat janë nxehur, kështu që Çollaku dhe Zaimi janë grindur mes tyre, duke u konfrontuar edhe fizikisht. Pas kësaj, dëshmitarët okularë kanë ndërhyrë, duke i ndarë. Në këto momente, Lorenc Zaimi është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka marrë makinën e tij, të parkuar jashtë. Pas disa minutave, nga lokali ka dalë edhe Remzi Çollaku, i cili është përplasur sërish me Zaimin. Ata kanë filluar të zihen sërish, ndërkohë që në ndihmë të 28-vjeçarit ka ardhur edhe një shok i tij. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, të dy kanë filluar të godasin 31-vjeçarin, i cili ka mundur të largohet me vrap dhe është larguar drejt shtëpisë së tij, një vilë trekatëshe. Aty mendohet se kanë ardhur të dy personat dhe e kanë goditur sërish, derisa ka rënë përdhe, në gramat e fundit të jetës. Sipas policisë, nga hetimet e kryera, dyshohet se ai është goditur me një mjet të fortë, ose ka përplasur kokën, kur ka rënë përdhe, megjithatë, do të jetë ekspertiza mjekoligjore, ajo që do të japë konkluzionet përfundimtare.


Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, dëshmitarët dhe banorët e zonës, i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit rëndë, duke e nisur për në spital, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë rrugës. Nga ana tjetër, policia, e cila është njoftuar nga dëshmitarët, ka shkuar në vendin e ngjarjes, duke bërë zbardhjen e krimit dhe duke shpallur në kërkim autorët. Pas disa minutash kërkime, uniformat blu kanë mundur të gjejnë Lorenc Zaimin, i cili ishte fshehur te banesa e gjyshes së tij. Ndërkaq, policia tha se ka shpallur në kërkim edhe një person tjetër, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me 28-vjeçarin për rrahjen e Çollakut, që për pasojë gjeti vdekjen.