Rritja e eksportit të hekurit në vendin tonë ka sjellë edhe kapacitete të reja përpunuese të anijeve tregtare, duke e shndërruar Portin Detar të Durrësit në port konkurrues në krejt rajonin. Anija 29 mijë tonëshe “Mahmut Saka”, me një gjatësi 175 metra, po ngarkon në Portin e Durrësit 20 mijë tonë mineral hekuri me destinacion Portin e Kostancës në Rumani. Burimet zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës bëjnë të ditur se anija me flamur panamez dhe me kapacitet 29 mijë tonë është ankoruar në kalatën 11 të portit më të madh të vendit dhe po përpunohet për të nisur lundrimin dhe transportimin e ngarkesës për në destinacion. Tre elektrovinça me normë mesatare 1008 tonë/8 orë po realizojnë procesin e ngarkimit në 29 orë gjithsej, nga 49 orë të parashikuara. Ky proces po menaxhohet në bashkëpunim të plotë nëpërmjet Portit të Durrësit, agjencisë detare përkatëse dhe një kompanie private të ngarkim-shkarkimit që vepron në territorin portual dhe që ka marrë përsipër organizimin e operacionit portual. Kjo përbën një fazë të re zhvillimi në përpunimin e anijeve tregtare. Një muaj më parë, anija “Nelson” ngarkoi 17 mijë tonë mineral hekuri, proces, i cili zgjati afërsisht 24 orë. Sipas burimeve të agjencisë detare “Gala”, brenda muajit pritet të mbërrijë në Durrës një anije tjetër, e cila parashikon të ngarkojë 15-20 mijë tonë mineral hekuri. Realizimi i këtij procesi konsiderohet nga Autoriteti Portual Durrës një arritje shumë e madhe për Portin e Durrësit dhe për eksportet nëpërmjet tij, duke hyrë në fazën e realizimit të objektivave për të përpunuar anijet e tonazheve të mëdha sipas sistemit “Economy Scale”. Realizimi me sukses i këtij procesi rrit pozicionin konkurrues të Portit të Durrësit në rajon dhe e vë Autoritetin Portual përballë sfidave të reja që kanë lidhje me rritjen e kapaciteteve përpunuese, si dhe zbatimin e projektit të thellimit të basenit dhe kanalit hyrës të tij. Transporti i një sasie kaq të madhe minerali ka një leverdi të madhe financiare edhe për blerësin, pasi ul çmimin për njësi të produktit dhe koston e transportit në përgjithësi.


V.Qyrfyçi