Formulari A2, plotësimi online, 4 qytete probleme me rrjetin

AKP: Plotësimi i formularit të preferencave, vetëm në laboratorët që kanë internet

Shpresa Mezini

Formulari A2 është publikuar prej disa ditësh në sajtin zyrtar të Ministrisë së Arsimit, ndërsa nxënësit kanë nisur plotësimet paraprake nëpërmjet shkarkimit të tij nga kjo faqe.

Burime për gazetën “Shqip” bëjnë me dije se procesi që do të mundësojë plotësimin e formularit online është gati, ndërsa nuk përjashtojnë problemet që po hasin rrugës. Ata theksojnë rëndësinë e realizimit të këtij procesi, që vjen si përvojë e re për Maturën Shtetërore të aplikuar për disa vite në arsimin tonë, por, nga ana tjetër, pohojnë se në 4 qytete të vendit ka mundësi që Formulari A2 të plotësohet i printuar. Ndonëse jo zyrtarisht, ata sqarojnë se një “ngërç” i ndjeshëm është krijuar në qytetet e Kukësit, Peshkopisë, Burrelit dhe Pukës, ku procesi ka mbetur përgjysmë, për shkak të problemeve në rrjet.

Rreth një javë më parë, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, tha se sivjet plotësimi i Formularit A2 do të bëhet online. E megjithatë, ai nuk përjashtoi edhe mundësinë e plotësimit të printuar. Por kjo, sipas tij, vetëm në ato raste kur do të konstatohen ngërçe në rrjet, duke qenë se kjo është praktikë krejtësisht e re për sistemin tonë arsimor. Ndërkohë, sqarohet se për të realizuar plotësimin online, AKP-ja ka udhëzuar drejtoritë e shkollave të mesme që të vendosin në dispozicion një laborator të posaçëm, me internet, që do të përdoret për aplikimin online të Formularit A2.

“Ky laborator duhet të jetë me të gjithë kompjuterët në gjendje pune, si dhe të lidhur me internet”, ka kërkuar Agjencia Kombëtare e Provimeve. Nga ana tjetër, institucioni që do të merret me procesin e Maturës Shtetërore ka kërkuar që në laborator të ketë një printer të konfiguruar si printer rrjeti të furnizuar me bojë e letër të mjaftueshme të formatit zyrtar A4.

Duke iu referuar projektit të AKP-së, mësohet se gjatë plotësimit të formularit online në laboratorë do të qëndrojnë edhe mësuesit, administratorët e maturës së këtij viti, të cilët do të ndjekin plotësimin e tij, njëkohësisht do të udhëzojnë nxënësit për të mos bërë gabime. Drejtori i AKP-së sqaron për gazetën “Shqip” se janë marrë të gjitha masat që ecuria e procesit të plotësimit të formularit në mënyrë elektronike të jetë e suksesshme, por, nga ana tjetër, thotë se nuk përjashtohet mundësia e ndonjë problemi në rrjet. Plotësimi i Formularit A2 do të nisë më datë 23 korrik, ndërsa do të përfundojë më 5 gusht, rreth 15 ditë në dispozicion për t’u menduar dhe për të përzgjedhur degët bazuar në parimin meritë-preferencë.

Autor te 22 Korrik 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry