Dyshime se këto pafajësi janë bërë pjesë e aferave korruptive
Gjyqtarët
Në disa dalje publike, shoqatat dhe Unioni i Gjyqtarëve ka kundërshtuar nismën për heqjen e imuniteteve, me argumentimin se janë të pambrojtur
SHISH
Informacione operative për nxitimin e gjyqtarëve për dhënien e pafajësive janë siguruar nga institucione të hetimit, përfshi edhe SHISH
Nesër në “Shqip”
Vendimet e pafajësisë në rrethet e Fierit dhe Durrësit. Dhjetëra të akuzuar morën pafajësi, megjithëse kishte prova në figurë dhe zë
Përqendrimi i vëmendjes së faktorëve ndërkombëtarë, por edhe të politikës shqiptare në datën 6 gusht, kur pritet të miratohet në Kuvendin shqiptar ligji për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë që e gëzojnë atë, duket sikur ka ndikuar kohët e fundit në vendimmarrjen e gjyqësorit. Si kurrë më parë, gjyqësori shqiptar ka rrëzuar provat e siguruara nga prokuroria ndaj të pandehurve, edhe kur ato kanë qenë me pamje e zë. Perceptimi i përgjithshëm, se miratimi i këtij ligji duket se ka ndikuar në nxitimin e dhënieve të vendimeve të fundit të pafajësive dhe lirimit të personave të pandehur për kryerje të veprave të ndryshme penale, e në veçanti atyre të akuzuar për korrupsion, është përforcuar edhe nga burime të prokurorisë. Këto burime janë shprehur për gazetën “Shqip”, se nga informacione të siguruara në rrugë operative janë ngritur dyshimet se këto vendime pafajësie kanë një lidhje të ngushtë me datën 6 gusht, kur të 140 të zgjedhurit nga votat e shqiptarëve do të vendosin për imunitetin e politikanëve dhe gjithë zyrtarëve të tjerë të veshur me këtë mburojë që i përjashton nga hetimi i drejtpërdrejtë, përfshi këtu edhe gjyqtarët. Sipas burimeve të sipërcituara, këto informacione operative janë siguruar nga disa institucione të hetimit, përfshi edhe SHISH-in. Ndërkaq, janë ngritur dyshimet se këto vendime pafajësie mund të kenë të bëjnë me afera korruptive. Por burimet që nuk preferuan të identifikohen nuk dhanë detaje nëse ka nisur apo jo ndonjë hetim lidhur me këto dyshime, që përfshijnë edhe përfaqësuesit e veçantë të gjyqësorit në afera korruptive.
Gjyqtarët: Na duhet imuniteti
120 gjyqtarë, të cilët janë anëtarë në Unionin e Gjyqtarëve, deklarohen pro kufizimit të imunitetit, por në mënyrë kategorike kundërshtojnë heqjen e plotë të imunitetit. “Heqja e imunitetit do ta ekspozonte gjerësisht pushtetin gjyqësor ndaj rreziqeve që cenojnë pavarësinë e tij, ndërhyrjes së pushteteve të tjera. Ndërsa kufizimi i imunitetit për veprat penale që lidhen me detyrën, mundet të krijojnë ekuilibrin e nevojshëm”, do të shpreheshin gjyqtarët në një dalje publike. Megjithatë, ata pranuan se në radhët e tyre ka gjyqtar të korruptuar dhe kanë pranuar, ndër të tjera, se duhet të hetohen për veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, e cila mund të fillojë pa qenë nevoja për autorizimin paraprak të KLD-së. Megjithatë, një tjetër kërkesë e gjyqtarëve është që të mos u kontrollohet banesa.
Prokuroria: T’u hiqet
Prokuroria kërkon me ngulm që t’u hiqet imuniteti gjyqtarëve, pasi në këtë mënyrë do të hetoheshin për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. I këtij mendimi ka qenë edhe kryeprokurorja Ina Rama, e cila ka pohuar se “në rastin e imunitetit të gjyqtarëve, ne vazhdimisht kemi dhënë mendimin tonë, kemi qenë pro heqjes, po ndoshta të paktën minimalisht pro kufizimit të imunitetit, deri në nivelin që prokurorisë t’i lejohet të bëjë hetimet e duhura, të nevojshme për të ngritur akuza konkrete sipas rastit”. Ajo saktësoi se “ne jemi shprehur vazhdimisht pro heqjes së imunitetit, por në çdo rast kemi thënë që të paktën nga këndvështrimi ynë, zyra e prokurorit të përgjithshëm ose Prokuroria si institucion duhet të jetë i lirë të ketë të gjitha mundësitë ligjore të hetojë. Ndoshta imuniteti të mund të jetë një mbrojtje që do të shtrohet në momentin kur formalisht ngrihet një akuzë dhe ky ka qenë një propozim që ne kemi bërë. Gjithmonë kemi thënë që jemi pro heqjes së imunitetit”. Me bazën ligjore aktuale, prokuroria është e detyruar që të kërkojë autorizim në KLD për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve dhe në Kuvend për deputetët. Një procedurë e tillë është konsideruar shpesh si një rrezik, pasi në rastet kur është duke u hetuar një vepër korrupsioni në zhvillim e sipër, kërkesa për heqjen e imunitetit mund të dëmtojë sekretin hetimor dhe palët reagojnë, duke anuluar kryerjen e veprimeve të veprës penale. E.H./S.Ç.
Ndryshimet e 2008-s
Gjyqtari i Shkallës së Parë dhe ai i Apelit mund të ndiqet penalisht, por me kushtin që autorizimi për fillimin e procedimit penal të miratohet nga KLD-ja. Gjyqtari mund të ndalohet apo arrestohet vetëm nëse kapet në kryerje e sipër të një krimi, apo menjëherë pas kryerjes së tij.
Korrupsioni i videove
Pafajësi për Metën, gjyqi i Priftit vazhdon
Një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore të zhvilluara në Shqipëri ka qenë “Meta-Prifti”. Në bankën e të akuzuarve janë ulur jo pak, por ish-zv.kryeministri dhe një ish-ministër Ekonomie, të cilët akuzonin njëri-tjetrin për marrje dhe dhënie ryshfeti. Ka mjaftuar publikimi i një video nga “Fiks Fare” që prokuroria të niste hetimin dhe pas shumë peripecish dosja shkoi për gjykim në Gjykatën e Lartë. Kanë dëshmuar disa biznesmenë dhe janë kryer aktet e ekspertimit, ku është rrëzuar videoja si “e montuar”. Shifrat e përmendura në video ishin marramendëse, ku bashkëbiseduesit flisnin për miliona USD. Megjithatë, akti i ekspertimi vulosi gjithçka, duke i dhënë pafajësi Metës. Ndërkohë, një tjetër video e publikuar midis Priftit dhe vartësit të tij, Leonard Beqirit, vazhdon të jetë në proces gjyqësor. Ndryshe nga gjyqi i parë, seancat janë vonuar së tepërmi. Në fillim të muajit korrik gjykata vendosi që ta shtyjë këtë çështje në vjeshtë.
Pastrimi i parave
Prostitucion me jahte në Greqi, të pafajshëm në Shqipëri
Katër persona të akuzuar për pastrim të parave të fituara nga trafiku i prostitutave në Greqi janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Tiranës. Tetë llogari bankare të sekuestruara në emër të tyre me vlera të konsiderueshme financiare janë liruar nga bllokimi me urdhër të gjykatës. Personat që kanë fituar pafajësinë janë shtetasit Aleksandër Shehu, Sokol Shehu, Can Murataj dhe Fatos Zeka, të katërt të akuzuar për kryerjen e veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, kryer në bashkëpunim. Sipas gjykatës, prokuroria nuk ka arritur të provojë pastrimin e produkteve të veprës penale. Megjithëse sqarohet se katër të pandehurit kanë pasur një histori të pazakontë trafiku në Greqi, ku kanë shfrytëzuar si prostituta 20 vajza, sërish ndaj tyre është vendosur pafajësi në akuzën e pastrimin të parave. Fitimet kanë qenë marramendëse, ndërsa tutorët shqiptarë kanë arritur deri aty sa të blejnë jahte dhe t’i përdorin ato për “takimet” erotike të klientëve që shkonin me vajzat.
