Zvarritja e investimeve, me kosto njerëzore

Rruga Shkoder Hani i Hotit, prej shume vitesh ne ndertim

Shkodër–Hani i Hotit, tre vjet punë pa krye për 35 km. Katër aksidente me vdekje sivjet.

Ardi Hoti

Zvarritja e investimeve jo vetëm ua bën më të vështirë jetën njerëzve, por disave edhe ua merr atë. Kështu po ndodh me rrugën Shkodër-Hani i Hotit, ku punimet që zgjasin prej tre vitesh janë bërë burim aksidentesh të rënda.

Rruga

Ndonëse ka kaluar një vit nga afati i përfundimit të ndërtimit të rrugës nacionale Shkodër-Hani i Hotit, ende duket e largët dita kur do të përfundojë plotësisht ky aks, që kohët e fundit është kthyer në burim aksidentesh të rënda, për shkak të punimeve të lëna përgjysmë.

Puna për ndërtimin e kësaj rruge, që është vetëm 35 kilometra e gjatë, ka nisur më 17 dhjetor të vitit 2009, dhe afati i përfundimit të punimeve ka qenë dhjetori i vitit 2010. Për shkak të mungesës së fondeve, ky afat u shty për në vjeshtën e vitit 2011, por edhe sot e kësaj dite rruga nuk ka përfunduar.

Gjendja në të cilën ndodhet rruga e ka vështirësuar lëvizjen e mjeteve në këtë aks, duke i bërë kushtet edhe më të këqija sesa ishin përpara se të vendosej rikonstruksioni. Për shkak të punimeve të lëna në mes, rrethrrotullimet janë vetëm me një kalim, madje në disa segmente mungon asfaltimi e në disa vende asfalti i shtruar rishtas ka nisur të hapet nga e para, pasi para se të bëhej asfaltimi ishte harruar të vendoseshin tubat e rrjetit kulluese.

Rruga është aktualisht pa ndriçim dhe ka mungesë totale të sinjalistikës, çfarë ka bërë që ky aks të kthehet në një makth për drejtuesit e automjeteve dhe jo vetëm.

 

Aksidentet

Vetëm dy javët e fundit, në këtë aks janë shënuar katër aksidente, me një të vdekur dhe gjashtë të plagosur. Në një prej aksidenteve u përfshi edhe një autobus me 50 turistë malazezë. Ndërkohë që vetëm gjatë këtij viti në rrugën nacionale Shkodër-Hani i Hotit janë shënuar 14 aksidente me katër viktima dhe 21 të plagosur.

Sipas ekspertëve të policisë rrugore, aksidentet janë provokuar nga mungesa e sinjalistikës dhe devijimet e rrugës, për shkak të punimeve që po bëhen.

 

Banorët

Banorët e zonës janë tepër të shqetësuar për situatën e krijuar. Nush Gjelaj, i cili e ka shtëpinë pranë rrugës që është shndërruar prej tri vitesh në kantier, thotë se “nuk po e kuptojmë a ka shtet në këtë vend. Ka tre vite që ende nuk ka përfunduar 35 km rrugë, nuk ka asnjë sinjalistikë, rrethrrotullimet janë me një kalim, ku automjete që lëvizin në drejtime të ndryshme detyrohet të futen në një korsi. Është shtyrë disa herë afati i punimeve dhe ende rruga nuk ka përfunduar. Ne u bëjmë thirrje strukturave shtetërore që të marrin masa, pasi kjo që po ndodh me këtë rrugë nuk ka ndodhur në asnjë zonë të Shqipërisë. Po kalon një mandat qeverisës dhe ende rruga ka mbetur e pabërë. Ne nuk i dimë arsyet. Disa thonë se qeveria nuk u ka dhënë paratë firmave dhe këto të fundit janë larguar pa kryer punimet, por ky është problem i qeverisë dhe ne na intereson që rruga të përfundojë”.

 

Rindërtimi

Aksi Shkodër-Hani i Hotit nuk është vetëm rrugë nacionale, por edhe ndërkombëtare, pasi lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Europën në rrugë tokësore. Rikonstruksioni i rrugës po bëhet me një kredi të qeverisë italiane në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, që kap shifrën e rreth 25.5 milionë eurove.

Autor te 22 Korrik 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry