Policia shoqëron 9 persona. Pista kryesore e hetimeve ajo e rivalitetit
Ekspertët – Sipas ekspertëve dyshohet se për shpërthimin janë përdorur rreth 100 gramë lëndë plasëse, e llojit tritol
Fenomeni – Ky është shpërthimi i katërt në bizneset e qytetit të Fushë-Krujës, brenda një harku më pak se një muaj
Pa u mbushur ende një muaj nga shpërthimi i parë, një kazino në qendër të qytetit të Fushë-Krujës është bërë sërish objektiv i lëndëve plasëse. Në orët e para të ditës së diel një shpërthim i fortë është dëgjuar në afërsi të lokalit të lojërave të fatit, duke shkaktuar jo vetëm dëme materiale, po më shumë pasiguri për jetën dhe pronën te banorët dhe bizneset e zonës. Ky është shpërthimi i katërt në bizneset e këtij qyteti brenda një harku më pak se një muaj. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bëri të ditur se persona ende të paidentifikuar nga ekspertët e policisë kanë vendosur një sasi eksplozivi pranë gjeneratorit të kazinosë dhe shpërthimi është regjistruar rreth orës 02:20 të së dielës. Paraprakisht dyshohet se lënda plasëse e përdorur për shpërthimin ka qenë një sasi tritoli me një peshë afro 100 gramë që ka shkaktuar një dëmtim dhe të trotuarit ku është vendosur. Shpërthimi ndodhi në momentin kur në lokal nuk kishte njeri dhe fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, por banorët e qytetit janë tronditur nga shpërthimi i radhës. Kazinoja ndodhet në qendër të qytetit. Ashtu si edhe dyqani i akulloreve që u dëmtua me eksploziv, pak kohë para herës së parë të dëmtimit të tij dhe kazinoja është e vendosur në katin e parë të një godine banimi. Policia lokale ka shkuar në vendin e ngjarjes menjëherë pas shpërthimit, po ashtu dhe grupi hetimor, duke kryer veprimet e para procedurale. Pista kryesore është ajo e rivalitetit mes subjekteve që veprojnë në sektorin e lojërave të fatit, po nuk përjashtohet dhe mundësia e paralajmërimit të pronarit të biznesit nga familjarë të frekuentuesve të kazinosë për t’u tërhequr. Lojërat e fatit janë kthyer në një fenomen mjaft problematik ekonomiko-social në vend me pasoja të rënda për shumë familje. Ndërkohë, lidhur me shpërthimin më të fundit bëhet e ditur se janë shoqëruar disa persona, banorë të qytetit, po nuk ka të ndaluar mes tyre. Rreth dy javë më parë, më datën 9 korrik, një tjetër dyqan në dalje të qytetit u dëmtua me lëndë plasëse. Katër shpërthimet e fundit të drejtuara mbi subjekte tregtare dhe shërbimi i kanë përqendruar pistat e hetimit kryesisht te konfliktet e mundshme të pronarëve të tyre dhe dëmtim të biznesit për shkak të konkurrencës, në kushtet e një fuqie blerëse në rënie. Asnjë nga rastet nuk është zbardhur nga autoritetet, ndërkohë që burime policore thonë se për shkak të specifikës që ka krimi i shkatërrimit me lëndë plasëse, zbardhja e krimeve vështirësohet. Va.Qy.