Mass-media e thëthitur nga gjeratorja e politikës

MUSTAFA NANO

Në një shkrim, të cilin e ka publikuar në blogun e tij “Peizazhe të Fjalës”, Ardian Vehbiu u bën një thirrje a lutje gazetarëve, më së shumti, bërësve të gazetave, që “t’ia kursejnë publikut, këtë herë, dhimbjen butaforike dhe protokollare të politikës për një ngjarje që me politikën nuk ka lidhje…. Politikanët do të bëjnë detyrën e tyre dhe do të shqiptohen në telegrame dhe deklarata, të cilat le të botohen në faqet zyrtare të institucioneve përkatëse. Bëni edhe ju detyrën, miqtë mi, dhe mbajini larg kravatat, përfituesit profesionistë dhe pozuesit prej dylli nga vdekja e një artisti. Mbrojeni Ali Podrimen nga ky karnaval nëse mundeni, të nderuar kolegë të mediave, nga këta zhonglerë funeralesh, zish kombëtare dhe ngushëllimesh për dhimbjet kolektive; gjithë duke ndihmuar edhe që mediat tuaja të mos shndërrohen në kopisteri për Zërin e Padronit”.

Është një thirrje së cilës s’e kam hiç të zorshme t’i bashkohem. Vehbiu ka absolutisht të drejtë. Ai shfaqet i bezdisur më së pari “nga mënyra si sillen dhe flasin, nga gjestet dhe zakonet e vjetra dhe të reja, nga makutëria dhe ligësitë dredharake, [gjë që tregon se] politikanët shqiptarë sot, si klasë, nuk duken ta kenë lexuar Podrimen, as t’ia kenë përfillur shumë zërin, dëshirat dhe shpresat”, por çështja është më komplekse. Ose unë personalisht jam i prirur ta shoh si më komplekse. Po shpjegohem.

Mass-media shqiptare, në Tiranë, në Prishtinë, e kudo tjetër, vuan prej shumë sëmundjesh, por më e rënda është jargavitja që ajo i bën politikës gjithë ditën e ditës. Lajmet politike – dhe për ‘lajme politike’ merren më së shumti lëvizjet, gjestet, qëndrimet e çaprashitjet e eksponentëve të politikës – zënë pjesën e luanit në hapësirën mediatike; zënë prore e apriori faqet e para të gazetave, por përcaktojnë dhe titujt e parë të edicioneve informative në TV.

Duket sikur vetëm politikanët vlejnë në këtë botën tonë; të tjerët janë vegla në shërbim të tyre. Edhe kur vdesin, janë vegla. Sidomos kur vdesin.

Nuk duhet të flasin politikanët në rrethanat kur ndahet nga jeta një shkrimtar, një artist, një intelektual, etj.? Jo, s’është puna aty. Ata nuk mund t’i ndalojmë; nuk kemi as të drejtë t’i ndalojmë edhe sikur të mundnim (edhe kjo do na duhej!). Ata le të flasin, por ne gazetarët nuk mund t’i lëmë të jenë në fokus të vëmendjes së publikut, e të pushtojnë skenën, edhe kur ngjarja ka të bëjë me të tjerë, jo me ata. Nuk është e drejtë, madje është skandaloze që – po i iki rastit konkret për t’u kthyer sërish pak më pas – lajmet televizive të ditës, kur është një festë fetare, të nisin me vizitat e personaliteteve të larta shtetërore e politike në kisha e xhamia, nuk është e drejtë që fjalimeve të tyre në këto momente (si ka mundësi, pyes veten shpeshherë, që nuk e kuptojnë se fjalimet e tyre në momente të tilla janë një gomarllëk e gjysmë?) t’u jepet qoftë dhe një rëndësi minimale, ashtu si nuk është e drejtë që mediat të raportojnë në vijimësi mbi telegrame që dinjitarë të huaj u dërgojnë dinjitarëve tanë, apo anasjelltas, me raste emërimesh, festash nacionale, fatkeqësish natyrore, etj. (të gjithë e dimë se telegrame të tilla janë qoka pa asnjë domethënie e pa asnjë vlerë publike të bëra nga burokracitë diplomatike).

Ka plot rrethana të tilla, ku vihet re kjo dukuri e jargavitjesh mediatike ndaj politikanëve, por po rikthehem tek shqetësimi konkret i Vehbiut, e arsyetimin po e bëj krejt ilustrativ. Në faqen online të një gazete shumë të rëndësishme të Tiranës është një lajm me titull “Vdekja e poetit Podrimja, politika dhe institucionet mesazhe ngushëllimi”, dhe aty jepen fraza e deklarata ngushëlluese të Presidentes Atifete Jahjaga, të Kryeministrit Hashim Thaçi, të Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, të kryediplomatit Enver Hoxhaj e të ministrit të Kulturës Memli Krasniqi. Nuk jepet ndonjë qëndrim i ndokujt tjetër mbi vdekjen e këtij poeti, ndonjë qëndrim i një njeriu të poezisë, të kulturës, të artit, të ndonjë miku të tij të ngushtë, të fëmijëve të tij, të gruas, etj., etj. Lajmi mbi ngushëllimet publike pra fillon me Atifete Jahjagën e mbyllet me Memli Krasniqin.

Për hir të së vërtetës, duhet thënë se ka tek-tuk ndonjë gazetë që është fokusuar te reagimet e kolegëve të Podrimjes, por janë përjashtime që përforcojnë rregullin. Dhe rregulli është “të informohet publiku se çfarë mendojnë politikanët, se sa u ka dhembur atyre, se si e shprehin ata këtë dhembje”. Mediat e Kosovës duket sikur vuajnë ca më shumë nga kjo patologji dhe raportimet e këtyre ditëve lidhur me të njëjtën ngjarje janë domethënëse. Në gazetën “Express”, pas informacionit mbi vdekjen e poetit Podrimja jepet një reagim institucional nga ana e Akademisë së Shkencave (një dreq e di pse akademikët fshihen edhe në raste të tilla tepër humane pas deklaratave kolektive institucionale), e më pas jepen me radhë deklaratat e presidentes, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, ministrit të Jashtëm, atij të Kulturës, kreut të LDK-së, Lëvizjes Vetëvendosja. Veç këta. Gjithnjë këta. Askush tjetër. Në “Koha Ditore”, lajmi kish titullin “Zyrtarë e subjekte politike ngushëllojnë familjen Podrimja”, dhe merret me mend përmbajtja e raportimit. Ndërsa “Zëri” (po flas për versionet online të këtyre gazetave) ka përveç të tjerash dhe një lajm me titull “Vdekja e Podrimjes, ngushëllon Tirana zyrtare”, dhe aty jepen deklaratat e Berishës, Ramës, Bumçit. Ndërsa lajmi tjetër me titull “Telegrame ngushëllimi familjes Podrimja” është më i përditësuari e më i ploti me reagimet politike e institucionale(http://www.zeri.info/artikulli/1/2/53612/telegrame-ngushellimi-familjes-podrimja/).

Shkon kjo punë kështu? A mos vallë kjo e imja është një optikë xanxare? Do doja që dikush prej atyre që bëjnë gazetat t’ma thoshte këtë gjë, pasi kështu do kishim mundësi të bënim një debat të vlefshëm. Por deri atëherë, do të vijoj të mendoj se jargavitja ndaj politikës nuk e nderon gazetarinë shqiptare; madje është gjëja që e dëmton më së shumti.

Autor te 23 Korrik 2012. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • astrit

    A ndi cka thue,bre Mustafa?Eh,si mund te ndi i gjori,kur ka kohe qe ka deke,ne vetkenaqesine e nje narcizmi fshatarak “heroik“.Mustafai dhe ndonje si Mustafai, shikojne dhe numerojne gomeret ku kane hipur te tjeret dhe meazallah se duan te hedhin syte mbi gomarin ku kane hipur vete.Mbulesa opozitare e hedhur mbi kete gomar, e ben groteskun dhe me te dukshem,ne veshtrimin qytetar.Ay soj gazetaresh, qe permend Nano,ekspozohen se paku qe ashtu si jane: I sherbejne hapur,pronareve te tyre te dhjamur katundare,qofte kjo nga formimi i tyre i deformuar,apo nga mbijetesa ne keto ane te xhungles mesjetare.Kurse lloji i Nanos vazhdon te bejne “trimin“ e prape,duke mbetur per tere jeten,aty, ne nivelin e kritikes se bemes se fundit te sundimit.Pa thene asnjehere dhe askujt se cfare duhet bere qe te vidhiset ky sundim . Ndjejne ftohte dhe kur mendojne te nxjerrin koken nga dritarja,pa le me te dalin dhe te protestojne ne rruge.Saliu,jo vetem qe nuk ta ndalon kete lloj proteste,qe fillon dhe mbaron ne studio-kafenet,por dhe e stimulon,mbasi tek naivet ajo e paraqet ate si nje sundues demokrat,Prandaj keto lloj shkrimesh dhe keto lloj penash,ndjehen te merziteshme dhe teper te lodheshme,ne menyren e tyre te pafund te prezantimit dhe ndikimit, ne kete baterdi shkaterrimtare .Mendoj se shtypi cilesor,ndihet i vonuar, ne ekspozimin e qendrimit bazamental qytetar te larmishem ,se sa te vazhdohet pafundesisht me Lenken dhe Prengen,qe vazhdojne te perserisin vehten me e lagu apo nuk e lagu dhe kete here Saliu apo Mete-katundar-skrapaliu.

  • Mrika

    Cdo gje eshte e politizuar.Sa keq, kur jeta merr nje kuptim te tille, bashke me vdekjen. Sa tmerruese kur ta injorojne jeten, dhe ta respektojne vdekjen, Ky eshte realiteti i hidhur i shqiptareve.

  • Apriori

    Ah, more Mustafa Nano! Të lumtë pena dhe kurajo qytetare, por shumica e ushtrisë së gazetarëve dhe shefave tyre ne gazeta e TV-ne, i zë gjumi rehat kur në kronikat e tyre “lehin” dhe i bëjnë fresk Sali Berishës dhe familes së tij. Të tjerët? Ah, të tjerët për këta kallëpe gazetarësh nuk ekzistojnë.