Kryeqyteti ynë ofron shumë pak infrastrukturë për familjet e reja. Nuk ka trotuare për të ecur me karroca, mungojnë parqet publike
Lorina Mixha
Tirana nuk është qytet për familjet e reja. Edhe pse kryeqytet, metropol e modern, siç e klasifikojnë sajtet e famshme turistike, si tripadvisor, mbetet një qytet pa trotuare, aspak miqësor për nënat e reja të cilat duhet të shëtisin fëmijët në karrocë, nuk ka hapësira të gjelbra, parqe natyrore dhe hallet nuk mbarojnë. Në Tiranë, përveç trotuareve që të plasin shpirtin, me familjet e reja, miqësore nuk tregohen edhe një pjesë e mirë e lokaleve. Po të panë me karrocë, të shohin shtrembër se u përzë klientelën, adoleshentë e të rinj të shkujdesur që jo vetëm nuk kanë nerva të dëgjojnë gugatjet e fëmijëve, por as që u bie në mendje se edhe nënat e baballarët e rinj kanë dëshirë të rrufisin një kafe ndërsa fëmijët të kënaqin sytë me ndonjë zog fluturues a ndonjë lule në saksi.
Parqet publike në Tiranë janë të rralla për të mos thënë që nuk ka. Jo të gjithë kanë mundësi, makina dhe kohë për të shëtitur në kodrat e liqenit. Madje, tani që ka nisur edhe prerja e druve në anën e Fakultetit të Histori-Filologjisë, duhet të gjesh anën që ka më pak fadroma, punime, pluhur e baltë për të shëtitur fëmijën në karrocë. Nëse je me makinë është akoma më keq, nuk gjen vend parkimi, boritë e makinave bien gjatë gjithë kohës, ndërkohë që bebja që ke me vete kërkon vëmendje, do të pijë, të luajë e të lëvizë. Përpiqesh të gjesh një vend të saktë që të mos rrezikosh edhe ngritjen e automjetit me karrotrec, një gjobë të majme për të paguar dhe ecejake tutje-tëhu…
Ndërsa bëhesh gati të ngresh karrocën, çanta e të gjithë “shtëpinë” që ke marrë me vete se të duhet për kërkesat e fëmijës, në këtë çast nis edhe koha e fizkulturës, përgatitjes fizike, kalitjes…
Trotuaret
Që të shëtisësh një fëmijë me karrocë, të paktën brenda vijës së verdhë të qytetit, në unazë, në qendër, te rruga e universitetit, dhe kudo nëpër Tiranë, përveç muskujve, të duhet të mbash me vete një shishe me ujë që të zëvendësosh lëngjet dhe kripërat minerale që humb nga hipja dhe zbritja e karrocës në trotuare.
Lodhja fizike mund të krahasohet me regjimin e sportistes së njohur shqiptare, Fetije Kasa. “Të duhet të presësh makinat kur kalon rrugën. Pakkush në Shqipëri di të respektojë këmbësorin, biçikletën, vijat e bardha, nënat me fëmijë në karrocë.
Që të hipësh në trotuare më parë duhet të gjesh vend bosh se makinat e parkuara ngjitur njëra-tjetrës nuk të lënë hapësirë. E më pas mbasi ke gjetur vendin të fillosh misionin”, thotë Alba një nënë e re. Sipas saj, në lagje nuk ka as hapësira as mundësi për të shëtitur një fëmijë në karrocë. Ose do ta mbash në krahë ose të duhet të gjesh mundësi të tjera. Bebja e Albës është gati tre muajsh. Nga kërkimet që kemi bërë rezulton se vetëm një nga trotuaret e Rrugës së Elbasanit ka parashikuar infrastrukturë për të ngjitur karrocën e fëmijëve, por edhe për të kaluar personat me aftësi të kufizuara që lëvizin me karroca të posaçme.
Edhe për të bërë xhiro në pedonalen e Tiranës, në shumicën e kohës gjen lokale “buzi” ku konsumohen qofte e salsiçe dhe pihet birrë e raki. As aty nuk ka vend për fëmijë, nëna me karrocë e familje të reja.
Parqet
“Hapësirat e gjelbra brenda zonës së banimit, në kryeqytet gjenden pak për të mos thënë aspak. Brenda lagjes për fëmijët e vegjël është gati e pamundur të shëtisësh. Trotuare të rregulluara, gjelbërim dhe rrugë ku nuk kalojnë automjete, është utopi për kryeqytetin”, thotë Nina, një nënë e re. Vajza e saj është 7 muajsh. Nëse nuk banon pranë Liqenit Artificial, apo nuk ke ndonjë lokal që të ketë vazo me lule, një kënd lojërash dhe dëshirën për të mikpritur familjarët e rinj, është shumë e vështirë të nxjerrësh për të marrë ajër një fëmijë të vogël. Ti bësh xhiro me karrocë nuk është mision i pamundur, por në këtë qytet është rraskapitëse. Edhe ndërtimet e reja, në shumë pak raste mendojnë për fëmijët, karrocat, personat me aftësi të kufizuara. Madje minimumi i ndihmës që mund të japin, është të paktën një hapësirë për të ndërruar fëmijët sa herë i bëjnë pelenat pis.
Infrastruktura Rrugore në Tiranë lë shumë për të dëshiruar. Makina të parkuara kudo, shumë pak hapësirë për të shëtitur me karrocë, trotuare që duhet t’i hipësh dhe t’i zbresësh në lartësi. Bashkë me rrotat e karrocës lëviz dhe stomaku i fëmijës.
Parqet - Publike, hapësirat e gjelbra për të shëtitur me të vegjlit janë të pakta. Që të shkosh te Liqeni Artificial duhet të banosh pranë ose të kesh makinë
Trotuaret - Në Tiranë nuk kanë të parashikuar vendin ku duhet të kalojë një karrocë me rrota, si për fëmijët ashtu dhe për invalidët
Pedonalja - Vendet ku mund të ecet në këmbë ku nuk ka makina që kalojnë nuk ka. Ajo që ishte në qendër u zu nga lokalet dhe tavolinat me ushqime
Rregulli - Për dy vite me radhë në kryeqytet në zonën e Bllokut, nuk u lejuan të kalonin makinat. U konceptua si zonë e rezervuar vetëm për këmbësorë