Ceremonia 


Ceremoni përkujtimore për 77 personat që humbën jetën në sulmin e një viti më parë


Norvegjia kujtoi të dielën (dje) 77 jetët që humbën në sulmin e një viti më parë pikërisht në 22 korrik të vitit 2011, kur ekstremisti Anders Behring Breivik realizoi masakrën më të përgjakshme në kohë paqeje në vendin skandinav.

Një i ri i brumosur me ide neonaziste dhe raciste, 33-vjeçari Breivik ekzekutoi 69 persona në një ishull, ku një grup të rinjsh kishin shkuar në një kamp veror të organizuar nga Partia Laburiste. Disa orë më parë një bombë e vendosur pranë selisë së qeverisë në Oslo shkaktoi tetë viktima. Rreth 242 persona mbetën të plagosur në të dy këto sulme, ndodhur në 22 korrik 2011 kur Breivik i veshur si polic ekzekutoi të rinjtë pa iu dridhur qerpiku. “Kjo ishte një nga masakrat më të mëdha në kohë paqeje për vendin e cila ka lënë gjurmë të thellë në kujtesën e çdo norvegjezi. Data 22 korrik do të jetë gjithmonë e trishtueshme për ne”, tha kryetari i Bashkisë së Oslos.


Shërbime fetare, një koncert dhe evenimente të tjera përkujtimore u mbajtën në të gjithë Norvegjinë. Kryeministri Jens Stoltenberg vendosi lule në një monument përkujtimor në ishullin e Utojës, ndërsa me mijëra qytetarë e shoqëruan në këtë akt nderimi. “Bombat e vendosura dhe të shtënat e ndryshuan krejtësisht Norvegjinë. Populli norvegjez iu përgjigj me vlerat e tij. Autori i kësaj masakre humbi, ndërsa populli ynë fitoi”, tha Kryeministri në vendin e shpërthimit në Oslo, ku u vendos një kurorë me lule.

Breivik, i cili ka pranuar autorësinë e vrasjeve, por jo përgjegjësinë kriminale, është në proces gjykimi dhe muajin e ardhshëm, gjykata do të shprehet nëse do të vendosë ndaj tij burgimin e përjetshëm në një burg të sigurisë së lartë apo shoqërimin në një klinikë të shëndetit mendor. Ai vazhdon ende të thotë se nuk është penduar për atë çka bëri, dhe se nuk është i sëmurë mendor, por plotësisht i përgjegjshëm. “E bëra për të mbrojtur Europën nga të huajt dhe multikulturalizmi”, thekson ai vazhdimisht.


 


Sulmi


Rreth 242 persona mbetën të plagosur në të dy këto sulme, ndodhur në 22 korrik 2011 kur Breivik i veshur si polic ekzekutoi të rinjtë pa iu dridhur qerpiku


 


Kryeministri


“Bombat e vendosura dhe të shtënat e ndryshuan krejtësisht Norvegjinë. Populli norvegjez iu përgjigj me vlerat e tij. Autori i kësaj masakre humbi, ndërsa populli ynë fitoi”, tha Kryeministri