Sekretet që fsheh SHIU në Qesarakë

Pamjet e selisë së shërbimit inteligjent të ushtrisë. Mister numri i punonjësve

SHISH raporton periodikisht në Kuvend, për buxhetin dhe problemet që i dalin, SHIU është mjaft më diskret në këtë aspektDeri tani Kryeministri nuk ka bërë zëvendësimin e titullarit të këtij institucioni të rëndësishëm informativ

Ylli Pata

Fare pranë tabelës që tregon trafik të limituar ka një gropë e mbushur pak me ujë, matanë së cilës disa metra të çojnë te një portë e madhe, që lidhet me një mur, i cili rrethon një ndërtesë të lyer me të verdhë. Në të djathtë të portës, një tabelë të tregon se kjo është selia e Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Ajo ndodhet në rrëzë të malit të Dajtit, në territorin e Komunës Dajt, përkatësisht në Qesarakë. Ashtu si dhe SHISH, “vëllai i tij i vogël” i bërë i famshëm tashmë nga legjendat e trafikut të armëve dhe përgjimit, rrethohet nga ndërtesa të shumta. Ku jetojnë banorë të Tiranës, edhe pse ndodhen jashtë vijës së verdhë. Nuk ka roje të armatosura jashtë tij, por që gjithçka brenda është mister. Padyshim që kemi të bëjmë me një institucion që është pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe përdor informacion të klasifikuar, në shërbim të mbrojtjes kombëtare. Por që aktualisht është një nga organet më të akuzuara nga media dhe opozita. Drejtori i SHIU-t, Ylli Zyla, ka dhënë dorëheqjen pak kohë më parë, por që ende nuk është bërë zëvendësimi i tij. Opozita akuzon se zoti Zyla ende firmos në emër të shërbimit sekret ushtarak. Të gjithë banorët e zonës e shohin ndërtesën në fjalë, si institucion ku lëvizin edhe ushtarakë, por edhe civilë. Gjithsesi, numri dhe burimet që përdor Shërbimi Informativ i Ushtrisë janë “Top Sekret”, pasi cilësohen pjesë e informacionit të klasifikuar. Ndërkohë që Shërbimi Informativ Shtetëror, raporton periodikisht në Kuvend, për buxhetin dhe problemet që i dalin, SHIU është mjaft më diskret në këtë aspekt, pasi është nën “sqetullën” e ministrit të Mbrojtjes dhe Kryeministrit që përgjigjen për këtë institucion. Por për të cilin nuk ka asnjëherë informacion të saktë. Vetë, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, deklaroi para një jave pas daljes në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare se nëse deputetët do të hetojnë këtë institucion, duhet të betohen, por (para kujt, ata janë deputetë) se nuk do të nxjerrin asgjë nga ata që shohin apo dëgjojnë. Zoti Imami e stilizoi deklaratën e tij me një metaforë: “Nuk duhet t’u tregojnë as grave dhe as kryetarit të partisë”. Në fakt, sipas dëshmive të banorëve të zonës, në ndërtesën e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, dalin e hyjnë jo shumë njerëz, por ka qarkullim makinash luksoze. Punonjësit, dalin shpesh për kafe, jo nga dera e madhe, por nga një deriçkë që është ngjitur me barin e njohur të rrugës, i cili njihet mirë nga banorët e pallateve. Sekrete, mbeten informacionet që ky organ përpunon. Normale, si institucion, po ku raporton? Te ministri i Mbrojtjes dhe Kryeministri. Sipas opozitës, aty brenda në një zyrë, ndodhet një laptop me një antenë, që përgjon të gjithë pa urdhër prokurorie. Akuza të mohuara kategorikisht nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes, ka një link të veçantë kushtuar SHIU-t, ku në përshkrimin e misionit theksohet, “Shërbimi Informativ Ushtarak mbështet Forcat e Armatosura dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit strategjik të saj me informacion zbulimi, kundërzbulimi dhe sigurie, në nivel strategjik dhe operacional në kohë paqeje, krize dhe lufte.

SHIU grumbullon, analizon dhe identifikon të dhëna mbi veprimtari që cenojnë sigurinë kombëtare, kërcënime të mundshme ose rreziqe ndaj FA, që vijnë nga jashtë dhe/ose shfaqen brenda vendit”.

SHIU vepron sipas ligjit Nr. 7530 datë 11.12.1991 “Për organizimin e Shërbimit Informativ Ushtarak”, i cili ka pësuar rrugës disa ndryshime të vogla, por që në thelb merret vetëm me veprimtarinë e Forcave të Armatosura. SHIU është anëtar i bordit të inteligjencës së NATO dhe i Grupeve të Punës së Inteligjencës, Kundërinteligjencës dhe Sigurisë. Ai ka marrëdhënie të rregullta bashkëpunimi me të gjitha agjencitë informative të NATO, si dhe marrëdhënie dypalëshe e shumëpalëshe me një numër të konsiderueshëm shërbimesh inteligjence në rajon e më gjerë.

 

Drejtori

i SHIU-t, Ylli Zyla, ka dhënë dorëheqjen pak kohë më parë, por  ende nuk është bërë zëvendësimi i tij

Adresa: Rr. “Mahmut Allushi” Qesarakë, Linzë, Tiranë

Autor te 23 Korrik 2012. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • jondi

    Ore po vertet jeni kaq te leshte apo beni vete? Sherbim sekret o dudum!! Jo pazar thashethemesh qe na jepke adresen ti e na dashke emrat e llogarine. Shko pyet ne ndonje vend tjeter keto idjotizma shiko sa larg shkon. Turp te keni.

    • Anton

      Po ce pyet pra turp i madh. Ashtu thane amerikanet qe Guantanamo eshte vecse nje burg i mbushur me kriminele po nga Wikileaks na doli qe u stervitkan terroriste qe nen komandon e CIA hidhen ne veprim kudo ne mbare boten. Turp shume ne fakt. Shtetet jane vete prodhues te krimit dhe terrorizmit or leshko!