Trajneri Levi: “Do të jetë më e vështirë se e para, por ne mund t’ia dalim”


Altin Manallari



Ka fituar ndeshjen e parë 1-0 dhe tashmë beson te kualifikimi për në turin tjetër. Ky është Skënderbeu, i cili dje ka nisur aventurën hungareze në prag të ndeshjes së kthimit nesër kundër Debreçenit, e vlefshme për turin e dytë të Champions League. “Ujqërit e Dëborës” i kanë mbyllur përgatitjet në qytetin e tyre dhe të dielën, në orën 07:30 të mëngjesit, kanë udhëtuar në drejtim të Greqisë, ku rreth mesditës kanë fluturuar nga Aeroporti i Selanikut në drejtim të Vjenës, nga ku më pas, me një tjetër avion janë nisur në drejtim të Budapestit, ku është akomoduar në hotel “Europa 4400”. Dita e parë hungareze e kampionëve të Shqipërisë ka vazhduar sipas planifikimit, ku stërvitjen e vetme para ndeshjes do ta zhvillojë sot në mbrëmje, në stadiumin ku do të zhvillohen edhe 90 minutat e dyta ndaj vendasve të Debreçenit. Sigurisht që ndeshja e dytë do të jetë ndryshe nga e para. Madje pritet të jetë e vështirë për kuqebardhët, pasi kundërshtari do të luajë përballë publikut të tij dhe do të japë maksimumin për të përmbysur humbjen 1-0 të ndeshjes së parë, për të shpresuar më pas edhe të bëjë të vetin kualifikimin. Trajneri çek i kampionëve, Stanislav Levi, e pranon se asgjë nuk do të jetë e lehtë, por ai beson se skuadra e tij e ka potencialin për t’ia dalë edhe në këtë përballje, nëse do të tregohet e përqendruar dhe të mos harrojë të sulmojë. “Në ndeshjen e parë kemi bërë një paraqitje shumë të mirë, analizon Levi, por e dyta, sigurisht do të jetë më e vështirë. Në jemi të përgatitur për të dhënë maksimumin tonë për të siguruar kualifikimin. Nëse do të mundemi të përsërisim atë nivel loje që treguan në ndeshjen e parë, atëherë do ta kemi më të lehtë”. Edhe pse ka humbur në ndeshjen e parë, Debreçeni shihet si favorit, por kjo duket se nuk e shqetëson teknikun e korçarëve, i cili me kënaqësi do të pranonte të hidhte poshtë parashikimet. “Ne kemi potencialin e duhur për t’ia dalë edhe në këtë ndeshje”, tha ai. Për formacionin, Lev nuk pranon të flasë, por nuk harron të thotë se nuk do të mbrohet, madje do të sulmojë për të shënuar të paktën një gol. “Të jeni të bindur, që nuk shkojmë në Hungari për të mbrojtur rezultatin, por do të bëjmë lojë të hapur. Do kërkojmë të shënojmë të paktën një gol, pasi do na jepen mundësitë, sepse kundërshtari do të rrezikojë, do të hapet dhe do të na lërë hapësira për ta ndëshkuar. Por e rëndësishme është të ruajmë përqendrimin deri në minutën e fundit, të luajmë të kujdesshëm dhe të disiplinuar. E dimë që do të jetë e vështirë. Debreçeni do të bëjë gjithçka për t’u kualifikuar, por ne nuk do t’i kundërvihemi, pasi kualifikimi është edhe objektivi ynë”, përfundoi trajneri Stanislav Levi. Besimi duket i madh, por do të jetë fusha e lojës të martën në mbrëmje ajo që do të tregojë se kush e meriton të vazhdojë më tej mes këtyre dy skuadrave. Për ta mbështetur skuadrën drejt Hungarisë do të udhëtojnë edhe shumë tifozë të kampionëve të Shqipërisë. Sikurse është mësuar dje, numri i tyre do të jetë rreth 100. Ndërkohë që takimi do të luhet në stadiumin “Sostoi”, në orën 20:00.


 


 


Udhëtimi


Dje, skuadra e Skënderbeut ka fluturuar në drejtim të Hungarisë, ku në orët e pasdites është akomoduar në hotelin “Europa 4400”, ku do qëndrojë për dy ditë me radhë


 


Strategjia


Trajneri Stanislav Levi thotë: Nuk do të luajmë për të mbrojtur rezultatin. Kundërshtari do të rrezikojë dhe ne do të kemi mundësi të sulmojmë e të shënojmë të paktën një gol”


 


Tifozët


Për ta mbështetur skuadrën drejt Hungarisë do të udhëtojnë edhe shumë tifozë të kampionëve të Shqipërisë. Sikurse është mësuar dje, numri i tyre do të jetë rreth 100