Durrës


Aleanca Kuqezi, tubim në Gjirin e Lalëzit, ku akuzon për pronat ushtarake


“Mafia bardheblu po zapton bregdetin”. Aktivistët e Aleancës Kuqezi dhe drejtuesi i saj janë zhvendosur në Gjirin e Lalëzit ku kanë akuzuar drejtuesit e lartë qeveritarë për zaptimin e pronave publike dhe krijimin e një blloku në këtë pjesë të bregdetit të Adriatikut. Sipas liderit kuqezi, Kreshnik Spahiu, pikërisht në këtë zonë vendoset kufiri mes patricëve dhe plebenjve, të varfërve dhe zengjinëve: “Nëse dikur kishim një bllok të udhëheqjes së kuqe, sot në Gjirin e Lalëzit kemi një bllok të mafies bardheblu. Kemi bllokun e mafies së Sali Berishës. Shqipëria po ndryshon me shpejtësi, por vetëm në Gjirin e Lalëzit, pasi ndërsa ky vend pasurohet, investohet dhe zhvillohet, Shqipëria varfërohet. Në këtë zonë vendoset kufiri mes patricëve dhe plebenjve. Spahiu akuzoi më tej drejtuesit e sotëm edhe për aferat korruptive që ndodhen pas procesit të privatizimit të objekteve dhe territoreve ish-ushtarake duke kërkuar anulimin e procedurave të shitjes së reparteve ushtarake përgjatë bregdetit. Drejtuesi i Aleancës aludoi se procesi ka filluar për të favorizuar personat e lidhur familjarisht apo me bizneset e tyre me pushtetin. Akuzat për keqqeverisje dhe korrupsion të përhapur gjerësisht midis funksionarëve të lartë shtetërorë u bënë në Gjirin e Lalëzit, fare pranë vilave ku pushojnë dhe jetojnë në periudha të ndryshme të vitit drejtues të lartë dhe anëtarë të ekzekutivit shqiptar, së bashku me pasardhësit e tyre: “Jemi të rrethuar nga vilat e pasanikëve dhe borgjezëve të qeverisë. Shteti ka privatizuar pronën e shqiptarëve, ka zaptuar gjithçka me aferat e tij korruptive. Shqipëria po ndryshon. Po, por vetëm këtu, në këtë gji”. Përtej bllokut të ri shqiptar, aleancistës kuqezi konstatojnë varfëri, mjerim dhe investime të copëzuara dhe të diktuara nga interesat e ngushta. Në këtë takim, pjesë e fushatës bregdetare të Aleancës u tërhoq vëmendja dhe për infrastrukturën e rrënuar rrugore në Vlorën e Ismail Qemalit, ndërsa investimet orientohen për të siguruar komoditet në lëvizjet e pushtetarëve drejt bllokut të tyre. “Ndërsa Gjiri i Lalëzit pasurohet, zhvillohet dhe investohet, Vlora e Ismail Qemalit ende nuk ka një rrugë të shtruar në të cilën shqiptarët mund të shkojnë për këtë 100-vjetor”, tha Spahiu. Ndërtimi i rrugës që lidh superstradën Tiranë-Durrës me plazhet e pastra dhe të mrekullueshme të Gjirit të Lalëzit u realizua në prag fushate elektorale, por ky investim erdhi pas ndërtimit të vilave të pushtetarëve në fshatrat turistike të këtij gjiri.


Vali Qyrfyçi