Në Tiranë, Euro kushtoi 137.2 lekë. Dollari u rrit në 113.2 lekë.Bursat në SHBA dhe Europë pësuan rënie të konsiderueshme gjatë ditës së sotme ndërsa euro shënoi nivele negative shumëvjeçare pasi rajoni i Valencias në Spanjë deklaroi se ka kërkuar ndihmë financiare nga qeveria qendrore, gjë që rriti frikën e investitorëve se edhe Spanja do të detyrohet të kërkojë ndihmë financiare.
Valencia kërkoi ndihmë nga një program i qeverisë spanjolle prej 18 miliardë eurosh, program që synon të përmirësojë financat e rajoneve.
Bursa vendëse IBEX shënoi 5.8 për qind rënie dhe kjo qe dita më e keqe në dy vjet. Borxhet dhjetëvjeçare spanjolle aktualisht japin 7.32 për qind në tregun sekondar, ndërsa vlerësohet se kur interesat janë më të larta se 7 për qind, ato bëhen të papërballueshme për qeverinë.
“Ka shumë pak gjasa që interesat e bondeve të ulen për momentin,” deklaroi një ekspert për agjencisë Reuters. Një ekspert tjetër deklaroi se euro i ngjan një përplasjeje treni me pamje të ngadalësuara që po ndodh para syve tanë. Askush nuk ka aftësinë apo vullnetin për të marrë vendimet e ashpra të nevojshme për të dalë nga situata.
Euro ra në nivele negative rekord kundrejt monedhave të Australisë, Kanadasë, Zelandës së Re etj, ndërsa ra në nivele të papara prej shumë muajsh kundrejt monedhave të Norvegjisë dhe Suedisë. Kundrejt jenit u shënua niveli më i ulët në 11 vjet.
Në Tiranë, leku shqiptar duket se ndoqi euron pasi shënoi afro 1 për qind rënie kundrejt dollarit dhe u forcua vetëm 32 qindarka kundrejt euros.
Bondet dhjetëvjeçare të Gjermanisë tani shiten përkundrejt interesit minimal prej vetëm 1.168 për qind ndërsa ato dhjetëvjeçare amerikane patën interes prej 1.458 për qind. Në të dyja rastet, blerja e këtyre titujve të borxhit është një biznes me humbje për investitorët, pasi norma e inflacionit është më e lartë se sa interesi nominal i përfituar.
23 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)