Dorëshkrimi i “Dimri i Vetmisë së Madhe”
Ka filluar dje në Gjykatën e Tiranës seanca e parë gjyqësore me palë paditëse shkrimtarin dhe e paditur, e veja e diktatorit. Ftuesi i gjykatës nuk gjen në banesë Nexhmijen
Padia në gjykatë – “E si mund të kishte kundërshtuar shkrimtari kërkesën e gruas së diktatorit Enver Hoxha dhe një nga njerëzit më të pushtetshëm në Shqipëri, një fjalë e së cilës mjaftonte për të shkatërruar jetën e shkrimtarit dhe të familjes së tij”.
1972 – E veja e diktatorit bën një vizitë në shtëpinë e Kadaresë. Gjatë bisedës, i kërkon shkrimtarit, meqenëse kishte shtëpinë shumë të vogël, t’ia jepte asaj dorëshkrimin e veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”
2009 – Drejtori i Muzeut Kombëtar, Kasem Biçoku, i kërkon Nexhmije Hoxhës dorëshkrimin origjinal. Kërkesës për këtë dokument, ajo i është përgjigjur se “është një dhuratë nga shkrimtari Ismail Kadare, në vitin 1972”
2010 – Shkrimtari, nëpërmjet një letre në muajin nëntor, në adresë të së vesë së diktatorit, kërkon që t’i serviret dorëshkrimi origjinal. Më 7 dhjetor 2010, Nexhmija i kthen përgjigje, duke pohuar se “dorëshkrimi është dhuratë”
2012 – Nexhmija pranon që t’i servirë Muzeut Kombëtar fotokopjet e dorëshkrimit origjinal. Fletët janë të paplota. Shkrimtari i drejtohet Gjykatës së Tiranës duke kërkuar origjinalin, në bazë të së drejtës së autorit
Sokol Çobo
Shkrimtari Ismail Kadare ka filluar kërkimet për dorëshkrimin origjinal të romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe” rreth vitit 1992, sapo ishte rrëzuar regjimi komunist. Në përfundim të seancës së parë gjyqësore, e cila u shty, pasi ftuesi i gjykatës nuk gjeti të venë e diktatorit në banesë, avokatja e Kadaresë, Flonja Tashko, në një prononcim për gazetën “Shqip”, pohon se klienti i saj ka filluar kërkimet për këtë dorëshkrim 20 vjet më parë. Fillimisht ka kërkuar në Arkivin e Shtetit (ish-Arkivi i Partisë), pasi Nexhmije Hoxha i kishte thënë në vitin 1972 se do ta dërgonte këtë dorëshkrim në Arkiv. Pas kërkimeve dhe hulumtimeve të shumta në arkiv, ky dorëshkrim nuk u gjet. Duke qenë se Nexhmija ishte në burg, Kadare nuk ka tentuar të kërkojë më gjatë, ndërsa ka nisur kërkimet pas viteve 2000. Avokatja Tashko pohon se “shkrimtari Ismail Kadare i është drejtuar me shkresa zyrtare Arkivit dhe Muzeut Kombëtar, por nuk kishte asnjë informacion”.
Nuk gjendet Nexhmija
Dje është zhvilluar seanca e parë përgatitore e padisë së shkrimtarit Ismail Kadare, ndaj së vesë së ish-diktatorit, Nexhmije Hoxha. Pas paraqitjes së padisë në Gjykatën e Tiranës, gjyqtari Bledar Abdullai kishte caktuar dje seancën e parë, ku palët do të ftoheshin të zgjidhnin çështjen pa i hyrë procesit gjyqësor. Por seanca zgjati vetëm disa minuta, pasi në gjykatë nuk u paraqitën përfaqësuesit e zonjës Hoxha. Në fletëthirrjen e dërguar nga gjykata, saktësohej se nuk ishte gjetur në banesë e veja e ish-diktatorit Hoxha. Ftuesi ka njoftuar gjyqtarin Bledar Abdullai se: “Adresën tek ish-ndërmarrja e pularisë, në Laprakë, e verifikova por nuk e gjeta dot të paditurën”. Në këto kushte, gjyqtari Abdullai vendosi ta shtyjë seancën për ditën e enjte, për të përsëritur edhe një herë thirrjen për Nexhmije Hoxhën. Në gjykatë ishin të pranishëm avokatët mbrojtës të Ismail Kadaresë dhe përfaqësues të arkivit qendror të shtetit.
“Kadare-Nexhmija, asnjë kontakt”
Avokatët e shkrimtarit pohuan për gazetën “Shqip” se Kadare nuk ka tentuar asnjëherë personalisht të kontaktojë me Nexhmije Hoxhën. Fillimisht ka kontaktuar drejtori i Muzeut Kombëtar, Kasem Biçoku. “Ne, avokatët e Kadaresë, i kemi dërguar një letër zonjës Hoxha, duke i kërkuar që të na japë dorëshkrimin”, pohoi Tashko për gazetën, duke shtuar se i është drejtuar gjykatës pas refuzimeve të njëpasnjëshme nga ana e së vesë së diktatorit. Sipas avokates, çështja është shumë e thjeshtë ligjërisht, pasi duhet që gjykata të urdhërojë bllokimin e dorëshkrimit origjinal, pasi ka informacione se ai po dëmtohet.
“Fotokopjimi me probleme”
Përfaqësuesit ligjorë të shkrimtarit Ismail Kadare kanë pohuar se edhe kopjimi i dorëshkrimit origjinal nga vetë zonja Hoxha ka mjaft probleme. Origjinali është rreth 1300 faqe, ndërsa Nexhmija nuk i ka vënë në dispozicion Muzeut Kombëtar qindra faqe, madje edhe fotokopjimi i tyre lë shumë për të dëshiruar. Kadare pretendon se ky dorëshkrim mund të dëmtohet dhe kërkon urgjentisht sekuestrimin, deri në përfundim të procesit gjyqësor. Nëse rezulton i zhdukur, sipas avokatëve, paditësja të hetohet penalisht, madje edhe të përballet me dënimin që parashikon kjo vepër penale, e cila nuk parashkruhet asnjëherë.
“Si e mori dorëshkrimin”
Në media kanë qarkulluar disa versione për marrjen e dorëshkrimit origjinal nga Nexhmije Hoxha në vitin 1972. Avokatja pretendon se fillimisht, e paditura ka shkuar në shtëpinë e paditësit, dhe pasi i ka bërë të ditur se e ka shtëpinë të vogël, i ka kërkuar që ta dërgojë dorëshkrimin origjinal të romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe” në Arkivin e Partisë. Më pas, Nexhmija është larguar dhe disa ditë më pas ka dërguar sekretaren e saj në shtëpinë e Kadaresë që të marrë këtë dorëshkrim origjinal. Avokatja Tashko pretendon se klienti i saj nuk ka firmosur asnjë akt dhurimi, siç pretendon e paditura. Ndërkohë, në padinë e dorëzuar në gjykatë thuhet se “në vitin 1972, e paditura gjatë një vizite në shtëpinë e shkrimtarit, konstatoi se ai kishte një shtëpi të vogël dhe nuk kishte kushtet e duhura për të ruajtur dorëshkrimin. Për këtë arsye, ajo i kërkoi Kadaresë që ta vendosë përkohësisht dorëshkrimin në Arkivën e Partisë, për ta ruajtur nga ndonjë dëmtim i mundshëm. Shkrimtari nuk e kundërshtoi këtë kërkesë dhe pranoi vendosjen e përkohshme të dorëshkrimit në Arkivën e Partisë”. Më tej, në kllapa shkruhet: “E si mund të kishte kundërshtuar shkrimtari kërkesën e gruas së diktatorit Enver Hoxha dhe një nga njerëzit më të pushtetshëm në Shqipëri, një fjalë e së cilës mjaftonte për të shkatërruar jetën e shkrimtarit dhe të familjes së tij”.
Letërkëmbimet
Sipas kërkesëpadisë, më 23 nëntor 2010, paditësi i është drejtuar të paditurës me anë të një letre, duke i kërkuar kthimin e dorëshkrimit të veprës, por e paditura ka kundërshtuar ta kthejë dorëshkrimin, të cilin vazhdon ta mbajë në posedim në mënyrë të paligjshme. “Si përfundim, duke marrë parasysh kërkesat e ngutshme, i kërkojmë gjykatës të urdhërojë inventarizimin e dorëshkrimit origjinal të veprës ‘Dimri i Vetmisë së Madhe’, sekuestrimin e tij, si dhe lënien përkohësisht në ruajtje pranë një institucioni të pavarur deri në përfundim të gjykimit”.
Libri
Nexhmija: Dorëshkrimin e ruajtën komunistët
Për dorëshkrimin e “Dimrit të Vetmisë së Madhe“, Nexhmije Hoxha, ka folur në librin e saj “Jeta ime me Enverin”, i botuar në dy volume në vitin 2001. Në libër shkruhet se në vitin 1991, atëherë kur do të digjej shtëpia e Enver Hoxhës, bashkëshortja e tij, Nexhmije Hoxha, hoqi dokumente nga shtëpia dhe i shpërndau nëpër njerëz të thjeshtë, të cilët i quan komunistë të devotshëm. Ata i ruajtën për Nexhmijen dhe ia kthyen asaj kur doli nga burgu. Sipas rrëfimit të saj, në librin me dy volume, Nexhmije Hoxha bashkë me dokumente të saj, ruajti edhe dosjen e Ismail Kadaresë, duke e vlerësuar si dokument të rëndësishëm. Në librin “Jeta ime me Enverin”, në volumin e dytë, Nexhmije Hoxha i kushton një kapitull të tërë marrëdhënieve që ka pasur Enver Hoxha me shkrimtarët.