Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon ka vizituar sot Kosovën, në kuadër të turit të tij ballkanik. Gjatë një prononcimi për mediat, zyrtari i lartë ka shprehur shqetësimin e tij për situatën në veri dhe përshkallëzimin e tensioneve në këtë pjesë të vendit gjatë vitit të kaluar. “Është thelbësore që çështja e ndjeshme dhe komplekse në raport me veriun e Kosovës të zgjidhet përmjet një dialogu paqësor. Pikëpamjet e komuniteteve, të cilat ndikohen drejtpërsëdrejti nga këto tensione janë thelbësore. Zërat e tyre duhet të dëgjohen. Nevojat dhe të drejtat e tyre bazë duhet të përfaqësohen në mënyrë demokratike”, ka thënë Ban Ki-Moon për gazetarët e shumtë që e kanë pritur në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës. Ai ka thënë gjithashtu se gjatë vizitës së sotme, do të njihet gjerësisht me situatën, veçanërisht me statusin e marrëdhënieve midis komuniteteve, me të drejtat e pakicave dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Por, tema kyçe e vizitës, ka thënë ai, është rëndësia e dialogut dhe respektit të ndërsjellë në gjithë rajonin.
“Ua kam thënë të gjithë liderëve me të cilët po takohem se ndërmarrja e hapave të mëtejmë në arritjen e një mirëkuptimi edhe më të madh është e një rëndësie thelbësore”, ka thënë Ban Ki-Moon, duke nënvizuar se të njëjtin mesazh e ka sjellë edhe për liderët e Kosovës, për popullin e Kosovës. “Në veçanti,- tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së,- pres përpjekje më të fuqishme drejt normalizimit të raporteve me Beogradin, përfshirë këtu edhe një përkushtim serioz dhe të sinqertë karshi dialogut – gjënë e njëjtë të cilën e kam kërkuar edhe nga lidershipi serb”. 24 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)