Opozita:
Do e anulojmë, Bode të japë dorëheqjen
“Ministri i Financave duhet të japë dorëheqjen, por ai nuk e bën se dora e tij është e zhytur në korrupsion”, ishte reagimi i kreut të opozitës, Edi Rama, pas hapjes së tenderit të zhvilluar në fund të muajit maj. Opozita është treguar e drejtpërdrejtë me kritikat ndaj procedurës së zhvilluar me tenderin për shitjen e licencës të lotarisë kombëtare.
Partia Socialiste do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar tenderin e lotarisë. “Do të angazhohemi me të gjitha instrumentet, duke përfshirë padyshim edhe komisionin hetimor. Më lejoni të them, për lotarinë kombëtare, e cila kërkon një hetim parlamentar të gjithanshëm lidhur me zbatueshmërinë e ligjit, ligj të cilin e ndryshoi Sali Berisha vetëm me qëllimin e vetëm për t’ua dhënë klientëve të pushtetit”, tha deputeti Sajmir Tahiri.
“Lotaria kombëtare do t’i kthehet shtetit dhe me përfitimet prej saj do të financojmë sportin dhe politikat rinore për rilindjen shqiptare”, do të ishte një tjetër reagim i kreut të opozitës, Edi Rama.
Shqiptarët zhvaten dhe shteti nuk merr asgjë
Mirë që shqiptarët do të luajnë për të privuar fatin, por ndryshe nga vendet e tjera, nuk do të përfitojnë ato të mira shërbimesh në fushën sociale dhe kulturore, kurse shteti nuk përfiton asgjë në raport me çfarë paguajnë kompanitë e tjera gjetkë.
Gazeta “Shqip” kreu një vëzhgim mbi rastet e lotarive kombëtare në vende të ndryshme dhe rezulton se të ardhurat nga loja nuk shkojnë në xhep të kompanisë, sikurse do të ndodhë te ne, por për investime në përmirësimin e shërbimeve sociale.
Në Angli, në djepin e lojërave të fatit, qeveria kontrollon pothuajse të gjithë aktivitetin. Të ardhurat nga lotaria kombëtare ndahen 50 për qind për lojtarët, pra ata që marrin pjesë në lojë, 28 për qind shkojnë për përmirësimin e shërbimeve dhe aktiviteteve sociale e kulturore, 12 për qind i shkojnë qeverisë britanike, 4.5 për qind kompanisë për mbulimin e shpenzimeve dhe 0.5 për qind është fitim. Pra në një paund të luajtur, kompania private merr vetëm 0.5 cent.
Në shtetin e Floridës, SHBA, në fillim të viteve ’90, u vendos me ligj që një pjesë e të ardhurave nga lotaria do të shkojnë për ndërtim shkollash dhe shërbime cilësore. Në të gjithë Amerikën është vendosur si rregull që shteti merr 31 për qind të të ardhurave bruto nga lojërat e fatit. Në Irlandë, nga 700 milionë euro të luajtura në një vit, gati 400 milionë shkuan për fituesin dhe pjesa tjetër ndahet mes shtetit dhe privatit.
E kështu me radhë, në Kanada, metroja e Montrealit u ndërtua një pjesë nga kontributet prej 2 dollarësh për person që merrte pjesë në lojën e lotarisë kombëtare, kurse në Australi, falë detyrimit për të derdhur të ardhurat kryesore në shtet, u ndërtua salla e madhe e operës në Sidnej. Shqipëria, si vend i varfër, nuk do të ketë asnjë nga këto përfitime.
Edhe qeveria nuk përfiton atë nivel takse që aplikojnë vendet e tjera. Kompania që do të fitojë licencën e lotarisë kombëtare do të jetë e favorizuar në taksa në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera. Ministri i Financave më herët tha se paratë e munguara nga shitja do të kompensohen përmes taksave të larta ndaj kompanisë fituese. Por a është taksa bruto 10 për qind e lartë dhe si taksohet ky aktivitet në vendet e tjera?
Sipas vëzhgimit të kryer nga “Top Channel”, lotaria kombëtare e Austrisë, e cila menaxhohet nga kompania fituese, shpallur dje nga Ministria e Financave, e mbylli vitin e kaluar me një xhiro prej rreth 2.9 miliardë eurosh. Vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare nga vetë bilanci i saj, lotaria austriake pagoi vetëm dy taksa, “tarifën e licencës” dhe “tarifën e basteve”, 447 milionë euro ose 15.4% të xhiros totale. Veç këtyre taksave, qeveria austriake i ka vendosur detyrim kompanisë të paguajë vit për vit 3% të xhiros bruto, si mbështetje për sportin. Vitin e kaluar, për këtë zë, lotaria kombëtare e Austrisë pagoi edhe 80 milionë euro të tjera. Në total, të dyja detyrimet ishin sipas të dhënave të vetë kompanisë 527 milionë euro ose 18.2% të xhiros. Këto janë vetëm taksat e posaçme që lidhen me lotarinë, pa përfshirë taksat e tjera që ajo paguan si çdo biznes tjetër, si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Tatimi mbi Fitimin apo kontributet për punonjësit.
Por si do të taksohej e njëjta kompani me të njëjtën xhiro në Shqipëri, sipas taksave që ka vendosur qeveria dhe për të cilat pretendon se janë të larta.
Së pari, kompania fituese në Shqipëri nuk do të ketë asnjë detyrim për të financuar sportin apo kulturën. Detyrimet e vetme që ajo do të paguajë janë dy taksa të lidhura me aktivitetin e lotarisë, ajo prej 10% si tatim mbi xhiron bruto dhe 0.5% si pagesë për mbikëqyrjen. Në total me këto dy taksa, nëse do të realizonte në Shqipëri të njëjtën xhiro si në Austri, pra 2.9 miliardë euro, kompania do të paguante këtu vetëm 304 milionë, që përbën 10.5% të xhiros ose gati dy herë më pak sesa në Austri.
Ky krahasim i bazuar në të dhënat zyrtare e rrëzon pretendimin e qeverisë, se kompania që do të fitojë lotarinë do të taksohet fort. Përkundrazi, përveçse po ia shet licencën me çmimin simbolik prej vetëm 3.5 milionë eurosh, qeveria i ka bërë edhe favor te taksat kompanisë që do të fitojë licencën e lotos. Dhe këto llogari janë bërë pa përfshirë fitimet që shpërndahen si çmime për lojtarët. Në Austri kompania ndan 70% të xhiros si fitim dhe nëse i shtohen edhe taksat apo shpenzimet e tjera, fitimi i saj mbetet vetëm 1.3%. Ndërsa në Shqipëri, veç taksave të ulëta dhe licencës gati falas, ajo gjithashtu nuk do të ketë as edhe një detyrim për pjesën që duhet t’u kthejë lojtarëve përmes çmimeve.
E njëjta kompani, në Austri, paguan 18% detyrim mbi xhiron, kurse në Shqipëri do të paguajë rreth 10%
Rastet
Bosi i kompanisë, korrupsion dhe konflikt interesi
“Austrian Lottery”, kompania fituese e licencës së lotarisë kombëtare në Shqipëri, është tashmë nën hetim zyrtar për korrupsion. Bosi i saj, Fridrich Shtikler, i cili mban njëkohësisht edhe postin e presidentit të Shoqatës Europiane të Lotarive Shtetërore, është thirrur para komisionit antikorrupsion të Parlamentit austriak, për të dëshmuar në lidhje me disa veprime të dyshimta të kompanisë në vitin 2006. Kompania është vënë nën hetim për disa pagesa të dyshimta të kryera ndaj politikanëve, me qëllim për të penguar liberalizimin e tregut të bixhozit në Austri gjatë vitit 2006. Në atë kohë, dy forcat politike që qeverisnin Austrinë, OVP dhe BZO, ndërmorën një nismë ligjore për të zbutur monopolin në industrinë e bixhozit. Por ligji dështoi, pasi Shtikler kishte kontaktuar me disa drejtues të të dyja partive. Gjatë dëshmisë në komisionin antikorrupsion të mbajtur javën e kaluar, shefi i “Austrian Lottery” pranoi se ka folur në telefon me politikanë dhe zyrtarë të qeverisë për këtë çështje, por, sipas tij, kjo ishte fillimisht për t’u informuar me atë që po ndodhte dhe më pas për t’u shpjeguar zyrtarëve pasojat dramatike që ligji do të sillte në industrinë e bixhozit. Por gjatë hetimeve kanë dalë në shesh fakte të reja. Dyshimet më të mëdha lidhen me një pagesë prej 300 mijë eurosh që “Austrian Lottery” ka bërë për llogari të një agjencie pranë partisë në pushtet, e cila kishte propozuar ndryshimet ligjore.
Përveç korrupsionit, fakti tjetër shqetësues lidhet me konfliktin e interesit. Qeveria shqiptare iu drejtua pikërisht Shoqatës Europiane të Lotarive Shtetërore për konsulencë në tenderin e lotarisë. Pas kërkesës, shoqata e drejtuar nga Shtikler i rekomandoi qeverisë një nga konsulentët e saj ligjorë. Qeveria thotë se ishte ky konsulent që e këshilloi atë të mos e vendosë çmimin si kriter në tenderin e lotarisë, ku më vonë do të garonte pikërisht “Austrian Lottery”, kompania e zotit Shtikler.