Gjermania, përfituesja më e madhe e krizës financiare të vendeve të Eurozonës

Financë

Për shkak të qëndrueshmërisë financiare, paguan interesa shumë të ulëta në tregun ndërkombëtar

Gjermania ka dalë si një nga vendet që ka përfituar më shumë nga kriza financiare europiane. Ndërsa 17 vendet e tjera të Eurozonës po përpiqen që prej disa kohësh të bindin investitorët e frikësuar për ekonomitë e tyre, Gjermania ia ka dalë që të kursejë dhjetëra miliardë euro, falë reputacionit si një vend i sigurt për investime.

Tregu i bonove u ka kërkuar vendeve të tilla problematike si Spanja dhe Italia që të paguajnë një përqindje të madhe të huamarrjes. Këto përqindje të larta interesash do t’u krijojnë probleme shumë të mëdha këtyre shteteve edhe në periudhën në vijim, pra edhe në vitet e ardhshme. Gjermania, financiarisht e shëndetshme, ka siguruar miliarda euro, për shkak të përqindjes shpesh zero. Kjo, sepse Gjermania është konsideruar tashmë si një “vend i sigurt”. Ajo është ekonomia më e madhe në Europë dhe vetë vendi është kontribuuesi i vetëm i përmasave të mëdha në paketën e shpëtimit financiar që u është ofruar shumë vendeve në krizë gjatë këtyre viteve të vështirë. Prodhimi Kombëtar Bruto i vendit është 2.6 trilionë dollarë. Ekonomia e vendit është rritur ndjeshëm sidomos dy vitet e fundit dhe kjo rritje ka parandaluar që vendet e Eurozonës të bien në recesion, në një përllogaritje totale. Investitorët po e paguajnë Gjermaninë vetëm për faktin se ajo është një vend i sigurt për investime, ndërkohë që kjo nuk mund të thuhet për vendet e brishta të Jugut të kontinentit. Sipas përllogaritjeve, Gjermania vetëm këtë vit nga përqindja shumë e ulët e interesit ka kursyer rreth 10 miliardë euro.

Ka disa analistë që thonë madje se kriza e Eurozonës i ka siguruar t Gjermanisë një fitim prej 125 miliardë dollarësh duke i dhënë mundësi qeverisë që të lehtësojë ndjeshëm barrën e saj të borxheve, ndërkohë që vende të tjera mezi po arrijnë që t’i shpëtojnë falimentimit. Dhe parashikimet janë edhe më të mira, sigurisht nëse situata vazhdon të jetë e tillë. Gjermania, e cila nuk paguan interesa të larta, madje nuk paguan fare në disa raste, ka një mundësi të mirë për të kursyer shuma të mëdha të hollash, pikërisht ndërsa shtete të tjera janë duke harxhuar në të njëjtën zonë. Në këtë mënyrë, ajo nuk ka nevojë që të marrë masa të shtrëngimit financiar, të cilat ajo ua ka rekomanduar vendeve të tjera të Europës për t’i ndërmarrë, në mënyrë që të ulin ndjeshëm deficitin financiar dhe të përfitojnë paketat e ndihmës financiare.

Autor te 24 Korrik 2012. Botë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Anton

    Gabim! Ishte perfituese per njefare kohe. Tani po e ndjen edhe Gjermania rrezikun e euros se deshtuar.