Debati
ARD KOLA
Pikëpyetja
“Mbi çfarë baze të dhënash po punohet kur plani nuk është miratuar?”, ngre pikëpyetjen Muçi
Në takimin e fundit, rreth tre muaj më parë, Shoqata e Ndërtuesve dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës u ndanë mirë me njëri-tjetrin, me plot falënderime dhe premtime se grupet e interesit do të dëgjoheshin dhe Basha nuk do të hidhte asnjë hap pa u konsultuar me sipërmarrjen private (pjesën e institucionalizuar).
Prej asaj kohe gjërat kanë marrë rrjedhë krejt të kundërt. Kryetari jo vetëm që nuk i pret në zyrë, nuk i kthen përgjigje për zhvillimet mbi planin rregullues, por madje ka nisur të hartojë plane të vogla, në zona të caktuara, pa dijeninë e shoqatës, kur ende plani urbanistik nuk ka përfunduar.
“Më 18 maj u paraqit draft-plani dhe u deklarua se në 3 muaj, ai do i nënshtrohej një konsultimi të gjerë me qytetarë të Tiranës dhe grupe të interesit. Me gjithë kërkesat tona verbale dhe me shkrim, akoma deri më sot nuk kemi një përgjigje apo program të konsultimeve që do të duhet të bëhen me firmat e ndërtimit”, deklaroi drejtori ekzekutiv i shoqatës, Maksi Muçi.
Ndërtuesit theksojnë me shqetësim se materiali i paraqitur nuk e lejon mundësinë e sqarimit të shumë problemeve, si teknike ashtu edhe të menaxhimit e procedurave për ndërtimin në Tiranë. “Shprehim dyshimin se ky draft i kaluar pa diskutim dhe pa ndryshime do të ngelet një dokument formal dhe jo një bazë tekniko-ligjore për të realizuar ndërtimin e zhvillimit europian të Tiranës. Në të kundërt do të vazhdojë cikli i ndërtimeve pa leje e legalizime në mënyrë të përsëritur”, deklaron më tej Muçi.
Duke mos marrë përgjigje për përfshirjen ose jo të studimeve të miratuara më parë, ndërtuesit ngrenë dyshimet në formë pikëpyetjeje lidhur me mënyrën se si po punon kryetari i bashkisë me “grupe të caktuara ndërtuesish”. “Vihemi në dijeni se bashkia po punon për bërjen e planeve të detajuara të disa prej 600 zonave. Atëherë me të drejtë pyesim: Cilat janë këto zona? Si janë përzgjedhur ato? Mbi çfarë baze të dhënash po punohet kur plani nuk është miratuar? Si do të punohet dhe do të procedohet për zonat që nuk i ka përzgjedhur bashkia?”, janë disa nga dilemat e ngritura nga drejtori ekzekutiv i shoqatës.
Ndërtuesit i kërkojnë kryetarit Basha që të organizohet bashkë me ta programi i punës për të realizuar “asgjë më shumë se premtimi i kryebashkiakut për shanse të barabarta të zhvillimit të pronës”. Plani i ri rregullues synon një shpërndarje të qendrave të Tiranës, duke mos i lënë vetëm ish-Bllokun, zonë në të cilën është përqendruar zhvillimi ekonomik, duke sugjeruar sugjeron ndërtimin e disa poleve, përveç qendrës ekzistuese. Ato janë poli verior poshtë stacionit të trenit, poli lindor te spitali “Nënë Tereza”, ai juglindor te Qyteti Studenti, poli jugperëndimor te kompleksi “Dinamo”, perëndimori te Fusha e Aviacionit, si dhe polet Kombinat e Kodër-Kamzë. Ndërtimi i poleve do të jenë organizuar edhe mbi bazë tematike.