DAN BILEFSKY, NYT
Beograd, Serbi — Njëzet vjet më parë, gazetat këtu shpallën me të madhe se transseksualiteti qe një akt kundër Zotit. Sot, shumë njerëz vijnë nga e gjithë bota në Serbi për operacione të ndryshimit të seksit, të cilat tani janë duke u subvencionuara nga sistemi kombëtar i sigurimeve shëndetësore.
“Është surprizë fakti se një vend patriarkal po bëhet qendër e operacioneve të ndryshimit të seksit, por sjelljet shoqërore janë duke ndryshuar, vetëm se po ndryshojnë ngadalë,” thotë Kristian, një aktivist transseksual nga Beogradi, i cili, gjithsesi nuk dëshiron të japë mbiemrin.
Rreth 100 të huaj dhe serbë i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale të ndryshimit të seksit gjatë vitit të kaluar dhe statistikat tregojnë rritje, sipas Qendrës së Beogradit për Kirurgjinë Gjenitale Rindërtuese. Klientët vijnë nga Franca, Rusia dhe Irani e në disa raste, edhe nga vende të largëta si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Afrika e Jugut, Singapori dhe Australia.
Serbia po bëhet një qendër e mirëfilltë e kirurgjisë transseksuale thonë ekspertët, pjesërisht për shkak se kjo ndërhyrje është e kushtueshme, e debatueshme dhe e komplikuar. Disa vende në rajon, si Austria, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Greqia e vende të tjera nuk e lejojnë një aktivitet të tillë, sipas doktorit Miroslav Djordjevic, një profesor i urologjisë në Beograd.
Edhe në vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore si Franca, disa kirurgë ankohen se i mungojnë kushtet për trajnime apo kritikohen nga kolegët kur kryejnë ndërhyrje për ndryshimin e seksit. Njerëzit që dëshirojnë ndërhyrje të tilla shkojnë në Belgjikë. Në Britaninë e Madhe, procedura kushton rreth 15 mijë dollarë dhe mbulohet nga shërbimi shëndetësor kombëtar. Në vitin 2009, 143 operacione të tilla janë kryer.
Dr. Marci Boëers, një gjinekolog në San Mateo, Kaliforni, i cili ka kryer 1100 operacione të tilla në dhjetë vitet e fundit dhe që është edhe vetë transseksual, vëren se në Shtetet e Bashkuara, janë gjithsej vetëm pesë kirurgë në këtë fushë. Ajo thotë se konservatorizmi shoqëror dhe mungesa e aftësive kirurgjikale nëshumë vende, kombinuar me frikën e kirurgëve për pasojat që mund të jenë katastrofike, kanë nxitur zhvillimin e turizmit të operacioneve transseksuale.
Pacientët e huaj thonë se pëlqejnë Serbinë për shkak të çmimit prej vetëm 10 mijë dollarësh në krahasim me 50 mijë apo më shumë që kërkohet në klinikat e Shteteve të Bashkuara për operacionet e komplikuara për t’u bërë nga femër, mashkull.
Sociologër thonë se tendenca e shoqërisë serbe për të pranuar transseksualët është një sinjal për ndryshime më të thella në një vend ende konservator.
“Ne jemi fëmijë të dy prindërve; njëri është kisha ortodokse dhe tjetri është komunizmi,” thotë
Dusan Stanojevic, një pionier i kirurgjisë transseksuale. Ai thotë se transseksualizmi qe aq shumë tabu në ish-Jugosllavi sa nuk përmendej as në librat e shkollave të mjekësisë. Por një kirurg, Dr. Dr. Sava Perovic, bëri ndërhyrjen e parë më 1989 pasi iu kërkua ndihmë nga një burrë që vuante nga çrregullimi i identitetit gjinor.
Fjala u përhap shpejt dhe Dr. Perovic, i cili ka vdekur disa vite më parë, tërhoqi shumë pacientë si dhe shumë kirurgë që u ngacmuan nga ideja e një procedure shumë të vështirë. Më shumë se 20 vjet më pas, ndërhyrje të tilla janë kthyer në një treg specifik dhe katër klinika janë specializuar për këtë procedurë.
Në Serbi, ndërhyrja kryhet përmes një procedure të vetme që zgjat gjashtë orë, duke i kursyer pacientit traumën e operacioneve të shumëfishta. Operacionet mund të kenë disa komplikime si pendimin për ndërhyrjen nga ana e pacientit, probleme funksionimi apo infeksione.
Për t’u pranuar për ndërhyje, një pacient ka nevojë për dy letra rekomandimi nga specialistët e psikiatrisë ku të thuhet se ai apo ajo janë duke vuajtur nga çrregullimi i identitetit gjinor. Së paku një vit këshillim dhe një vit terapi me hormone janë të nevojshme para ndërhyrjes.
Daniel, një avokat 25 vjeçar nga Shën Petersburgu në Rusi, erdhi në Beograd në maj për ndërhyrjen kirurgjikale pasi nuk ia doli të gjejë një kirurg të përshtatshëm në vendin e tij. Ndërhyrja qe kaq e suksesshme sa Danieli, i cili ngre pesha e pëlqen sportet e ashpra, ka shumë pak shenja që tregojnë se dikur ka qenë femër.
Duke kërkuar që mbiemri i tij të mos përdoret për shkak të frikës se mund të sulmohet kur të kthehet në shtëpi, Danieli tha se ai e dinte që kur qe 10 vjeç se qe një mashkull në një trup femre. Kur mbushi 18 vjeç, i tha familjes së vet se qe lezbike, megjithëse e dinte se transformimi në mashkull qe qëllimi i tij final. Gjyshërit e tij, që të dy mjekë, refuzuan ta pranojnë duke thënë se ai kishte çrregullime mendore.
“Unë u shpalla publikisht dy herë, një herë si lezbike dhe më pas si transseksual. Kjo e dyta qe më e lehtë,” thotë ai një ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale. Rusia është shumë homofobik si vend dhe Serbia qe një alternativë më e lehtë.
Serbia u bë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian në mars. Paradat gej vitin e kaluar u ndaluan ndërsa dy vite më parë përfunduan me përplasje të dhunshme mes policisë dhe homofobëve, të cilët thyen dyqane e dogjën makina.
Kristian, aktivisti transseksual thotë se ai dhe gruaja e tij shumë shpesh u përballën me diskriminim, ndërsa nuk kanë munguar sulmet dhe kërcënimet me vdekje.
Megjithë sfidat e të qenit transseksual, Kristiani thotë se ai është rritur në Serbi në vitet ’90 dhe ka fituar rezistencë.
“Kur bombat bien nga qielli dhe njerëzit janë në luftë, identiteti seksual nuk është shqetësimi kryesor,” – thotë ai.
24 korrik 2012 (gazeta-shqip.com)