Emergjenca


Policia italiane realizoi operacionin e shpëtimit për turistët pranë Karaburunit


Shpëtimi


Të pranishmit në bord kanë dhënë alarmin, kur dallgët kanë nisur të fundosin skafin. Policia i gjen shtatë personat duke notuar


Shtatë shqiptarë i kanë shpëtuar për mrekulli mbytjes, ndërsa ishin nisur me skaf për turizëm nga Orikumi i Vlorës. Kanë qenë autoritetet policore italiane të Guardia di Finanza që kanë bërë të mundur shpëtimin e shqiptarëve, si rezultat i një operacioni që ka zgjatur disa orë. Skafi i tyre ishte mbytur gjatë natës pranë Karaburunit, pasi kishte mbetur pa karburant. Burimet policore bënë të ditur se skafi ishte mbytur në Shën Jan të Karaburunit dhe sipas informacioneve të mbledhura, turistët kanë arritur të shpëtojnë të gjithë. Rreth mesnatës, personat që ndodheshin në bordin e skafit kanë njoftuar për avarinë dhe për rrezikun e mbytjes. Ndërhyrja e shpejtë e Guardia di Finanza bëri të mundur shpëtimin e turistëve të moshës 25-40 vjeç. Skafi ndodhej rreth 4 milje larg Kepit të Gjuhëzës, dhe 1 milje larg bregut. “Rreth orës 21:30 të së dielës morëm një njoftim për një skaf me disa persona në bord që rrezikohej, sepse kishte mungesë karburanti”, tha shefi i Kapitanerisë së Portit të Vlorës, Anastas Goga. Sipas tij, mjeti lundrues ndodhej në afërsi të gadishullit të Karaburunit, rreth 4 milje larg Kepit të Gjuhëzës dhe keqësimi i kushteve detare e bënte emergjente situatën për jetën e njerëzve, çka kushtëzonte ndërhyrjen e shpejtë me të gjitha mjetet e mundshme. “Në këto kushte, pas raportimit të situatës pranë strukturave të Drejtorisë së Policisë dhe të policisë kufitare, nisi një operacion i përbashkët shpëtimi me Guardia di Finanza. Për rrjedhojë, personat që ndodheshin në bordin e skafit ‘Mazreku 1’, u tërhoqën prej tij, ndërkohë që mjeti lundrues përfundoi në fund të detit”, shpjegoi ai. Më tej, turistët e zbritur në Radhimë janë marrë në pyetje në lidhje me avarinë dhe u është ofruar ndihma e parë. Ata kanë treguar momentet e tmerrit dhe mësohet se ishin nisur për udhëtim drejt Italisë. Sipas autoriteteve, me policinë italiane ka pasur bashkëpunime të shumta, sidomos në luftën kundër trafikut të drogës në rrugë detare, por që pala e shtetit ka dhënë ndihmën e vet edhe në emergjencat civile.