Gjergj Erebara
Indeksi i Shitjeve me Pakicë të INSTAT tregon se konsumi i Shqiptarëve është sot në nivelin më të ulët që nga viti 2007
Një seri të dhënash ekonomike të publikuara nga institucione të ndryshme sugjerojnë se shqiptarët po përjetojnë sot periudhën më të keqe ekonomike që nga viti 1997. Dyqanet e pafundme që mbyllen dhe mbajnë tabelën “Jepet me qira”, numri i konsiderueshëm i pronave të nxjerra në shitje me urgjencë, niveli i konsumit apo sasia minimale e kredive të reja të dhëna nga bankat, flasin vetëm për një fakt: vështirësi ekonomike në shkallë të gjerë.
Shqiptarët kanë humbur vendet e punës në Greqi, të cilat qenë burimi kryesor i të ardhurave të segmenteve më të varfra të shoqërisë shqiptare, ndërsa numri i njerëzve që përpiqen të sigurojnë mbijetesën përmes tregtisë së vogël në rrugë, e parë kjo me sy të lirë, është në një rekord më vete. Kriminaliteti i vogël dhe i dhunshëm është rritur ndjeshëm dhe çdo ditë zyrat e policisë nëpër qarqe të ndryshme raportojnë me dhjetëra raste të vjedhjeve me dhunë, shpërndarjes së marijuanës me doza të vogla apo vjedhjet e pronës. Buxheti i shtetit po lëngon nën detyrimin për të ruajtur limitin e borxhit publik në 60 për qind të PBB-së, ndërsa të ardhurat fiskale janë të dobëta si pasojë e shitjeve e fitimeve të pakta të bizneseve. Kontrabanda e çantave nuk ka shenja të ndalet, veçanërisht ajo e cigareve të lira të sjella nga Mali i Zi. Si zakonisht në kohë krize, numri i dyqaneve të basteve dhe bixhozit ka pësuar një rritje marramendëse në të gjithë vendin.
Shitjet, indeksi 148
Instituti i Statistikave publikoi së fundmi Indeksin e Shitjeve me Pakicë, një tregues ky që mat konsumin e popullatës. Statistikat tregojnë se shitjet në ekonomi ranë me 8.3% në tremujorin e parë të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2011. Kjo është rënia më e madhe tremujore e shënuar ndonjëherë në këtë tregues. Shitjet me pakicë të matura nga INSTAT janë aktualisht më të ulëtat e shënuara që nga viti 2007, gjë që tregon se së paku për nga niveli i konsumit, shqiptarët po jetojnë sot më keq nga sa jetonin pesë vite më parë. Rënie e madhe vërehet në konsumin e veshjeve dhe këpucëve, librave e gazetave apo karburantit. Shqiptarët konsumojnë sot më pak këpucë sesa viti 2006 dhe më pak libra sesa viti 2008.
Sipërmarrës të pashpresë
Kredia për individët që dëshirojnë të nisin apo zgjerojnë biznesin e tyre është në nivelet më të ulëta që kur këto statistika filluan të mbahen në vitin 2007. Burimi: Banka e Shqipërisë
Një tregues tjetër i rëndësishëm për të parë gjendjen ekonomike të vendit, është numri i individëve që i hyjnë aventurës për të hapur një biznes të vogël. Kur tregtarët e vegjël ndiejnë ekzistencën e mundësisë për të bërë biznes, ata marrin kredi dhe e bëjnë atë biznes. Kjo gjë ka ndodhur gjithnjë e më rrallë gjatë muajve të fundit. Gjatë majit, bankat dhanë vetëm 116 milionë lekë kredi për individët sipërmarrës, niveli më i ulët i shënuar që nga koha kur BSH filloi të mbajë dhe raportojë statistika të detajuara për kreditimin. Shqiptarët i kanë kthyer kurrizin edhe kredive për prona të patundshme, volumi i të cilave ka shënuar gjithashtu një rekord negativ shumëvjeçar. Të dhënat e BSH-së tregojnë se volumi i kredive të reja për blerje pronash nga individët, këtë vit ka qenë mesatarisht 8.5 milionë euro në muaj, niveli më i ulët i shënuar që nga viti 2009.
Buxheti në zi
Kredia e re për blerje pronash të patundëshme është në nivele të papërfillshme duke zvogëluar ndjeshëm të gjithë tregun e ndërtimit. Burimi: Banka e Shqipërisë
Të dhënat e buxhetit të shtetit për gjashtëmujorin e parë të publikuar pak ditë më parë, tregojnë për deficit buxhetor gati dy herë më të lartë sesa plani. Qeveria i ka reduktuar shpenzimet me 2% në krahasim me vitin e kaluar, duke tkurrur investimet në një minimum shumëvjeçar, ndërsa shpenzimet korrente vijojnë të rriten me 3%, si pasojë e rritjes së pambuluar me të ardhura të pagave dhe pensioneve gjatë vitit të kaluar. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin kanë rënë me 22% duke reflektuar pakësimin e fitimeve, ndërsa edhe arkëtimet nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë rënë me 2.1%, duke dëshmuar për rënie të të ardhurave nga pagat të popullatës. Rritja e akcizave të cigares vitin e kaluar nuk ka ndihmuar shumë për shkak se rritja në Shqipëri krijoi një hendek me çmimin e cigareve në Malin e Zi dhe rrjedhimisht, një korridor kontrabande që është vështirë të luftohet.