Shpërbërja e tyre, një recetë e mirë për daljen nga kriza
Për herë të parë është “matur” sasia e madhe e këtyre parave të depozituara te bankat e mbrojtura nga ana fiskale. Dhe kjo është bërë nga agjencia britanike antievazion “Tax Justice Network”. Kjo agjenci ka luftuar vazhdimisht kundër këtyre “parajsave fiskale”, duke i konsideruar si “sajesa të paskrupullta dhe antiligjore”
Mund t’i quajmë super të pasur, por nuk do të ishte gabim edhe përdorimi i termit “super-evazorë”. Dhe jo rrallë mund të meritojnë edhe emrin “superkriminelë ndërkombëtarë”. Në të gjithë botën ekzistojnë disa persona, të cilët kanë depozituar në të ashtuquajturat “parajsa fiskale” rreth 21 mijë miliardë dollarë amerikanë. Është një shifër befasuese, stratosferike. Kjo shumë është e barabartë me Prodhimin Kombëtar Bruto të Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë të bëra bashkë. Dhe bëhet fjalë për dy nga vendet më të pasura të planetit.
Janë para që u shmangen taksave, të gjitha llojeve të tyre. Janë para që nuk investohen as në investime publike dhe as në tregun e punës, para që shumë shpesh janë fryt i operacioneve të pastrimit të parave të organizatave terroriste. Janë para të cilat mbërrijnë nga shumë anë të botës dhe që “ndalojnë” në të ashtuquajturat “parajsa fiskale” që gjenden në ishujt Cayman të Liberisë. Qëllimi i mbërritjes së gjithë kësaj shume të madhe në këto vende është një dhe i vetëm: shmangia e pagesës së të gjitha llojeve të taksave, apo detyrimeve financiare, ose të paktën shmangia e pjesës më të madhe të tyre. Janë para, të cilat për shumë arsye, duhet që të qëndrojnë “të fshehura” në këto vende jashtë vëmendjes së botës. Dhe ata që i kanë në pronësinë e tyre këto para mund t’i gëzojnë ato të qetë, sikur t’i kishin vendosur në një bankë të zakonshme. Dhe kjo mundësohet falë një rrjeti bashkëpunimi dhe bashkëpunëtorësh, duke filluar nga bankat e mëdha (janë ato që shkaktuan krizën financiare dhe u shpëtuan me paratë e taksapaguesve) e deri te bashkëpunëtorë të tjerë të botës së financës, pra këshilltarë financiarë, këshilltarë ligjorë dhe financierë të paskrupullt dhe super të paguar.
Për herë të parë është matur sasia e madhe e këtyre parave të depozituara te bankat e mbrojtura nga ana fiskale. Dhe kjo është bërë nga agjencia britanike antievazion “Tax Justice Network”. Kjo agjenci ka luftuar vazhdimisht kundër këtyre “parajsave fiskale”, duke i konsideruar si “sajesa të paskrupullta dhe antiligjore”. Kjo organizatë është e bindur se vetë ekzistenca e këtyre vendeve pa një transparencë është një nga shkaqet themelore të varfërisë në botë dhe shërben për thellimin gjithnjë e më të madh të pabarazisë mes të pasurve dhe të varfërve, mes Veriut dhe Jugut të planetit, mes racave të ndryshme e kështu me radhë.
Tashmë, edhe ajo pjesë që pak kohë më parë konsiderohej si më e pasura e botës, është përfshirë nga recesioni dhe kriza ekonomike.
21 mijë miliardë dollarë amerikanë është shuma e fshehur në bankat e “parajsave fiskale”. Është një pasuri e stërmadhe, që i përket pak a shumë vetëm 10 milionë personave, mes të cilëve 91 mijë janë ata që kanë në posedim rreth 10 mijë miliardë dollarë të depozituar në “parajsat fiskale”. Por këto 21 mijë miliardë mbase janë shumë më tepër. Në fakt, organizata britanike që është marrë me hulumtimin e kësaj shume, deklaron se bëhet fjalë vetëm për pasurinë monetare të depozituar në banka dhe jo për pronat e ndryshme që gëzojnë këta njerëz dhe që mund të kenë një vlerë shumë të madhe, edhe ato duke filluar nga pasuritë e patundshme e deri te jahtet, e kështu me radhë. Nëse këto të fundit do të merreshin parasysh, shifra do të shkonte deri në 32 mijë miliardë dollarë.
Kërkimi që ka bërë kjo organizatë ka një titull shumë domethënës: “Çmimi i pasurisë së ‘parajsës’” dhe është realizuar nga ish- kryeekonomisti i një shoqërie të madhe financiare britanike dhe bazohet në të dhënat e Bankës Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Bankat Qendrore të vendeve të ndryshme të botës, kryesisht ato të vendeve të zhvilluara dhe Kombet e Bashkuara. Sipas kryesuesit të studimit, shifrat nuk janë të sakta, sepse të gjitha organizmat dhe organizatat ndërkombëtare, në fakt nuk i japin shumë rëndësi sondazheve dhe studimeve në lidhje me këtë sasi parash. Sipas këtij studiuesi, ky fakt përbën një skandal më vete, sepse bëhet fjalë për një “tolerancë kriminale” ndaj një fenomeni që ka rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm në financat ndërkombëtare, por edhe drejtpërdrejtë në jetën e popujve të planetit dhe në mirëqenien e tyre. Dhe sipas tij, indiferenca e institucioneve më të mëdha financiare botërore ndaj këtij fenomeni ka bërë që ai të lulëzojë dhe të shndërrohet në një faktor thelbësor financiar planetar.
Në fakt, ekziston një rreth vicioz, që gjeneron atë që autori i këtij studimi e quan një “vrimë gjigante në ekonominë botërore”. Në radhë të parë janë institutet e kreditimit. Studimi nxjerr në pah se bankat kryesore të përfshira në mekanizmat e transferimit të parave të super pasanikëve botërorë janë: UBS, “Credit Swisse” dhe “Goldman Sachs”.
Në fund të vitit 2010, 50 bankat kryesore në botë kanë ndërmjetësuar për 12.1 mijë miliardë investime ndërkufitare. Investime private, por edhe ato të grupeve të mëdha dhe të fondacioneve të krijuara nga super të pasurit.
Është pikërisht ky rrjeti që shpjegon edhe fenomenin e rritjes çdo vit me 16% të depozitave të quajtura “off-shore”. Janë para që nuk shkojnë as në një përqindje të vogël në kontributin e taksave. Ky studim vlerëson se taksimi në masën 30% i 21 mijë miliardëve, që është shuma minimale që ruhet nëpër bankat “off-shore”, do të përbënte një shumë jashtëzakonisht të madhe prej 180 miliardë dollarësh amerikanë. Ose kjo shumë është e barabartë me dyfishin e shumës të cilën vendet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim e destinojnë në formë ndihme për zhvillim.
Ndoshta, shpërbërja e një rrjeti të tillë kriminal financiar është dhe një nga recetat e vërteta dhe më të mira me të cilën duhet të fillohet edhe shërimi i ekonomisë nga kriza e padrejtë financiare.
Skeda
Çfarë janë bankat, ose institucionet financiare “off-shore”
Një bankë “off-shore” është një bankë me vendndodhje jashtë vendit rezident të depozituesit, zakonisht në një vend me një juridiksion taksash të ulëta, ose i ashtuquajtur “tax heaven”, që të ofron avantazhe financiare dhe fiskale. Këto avantazhe zakonisht përfshijnë:
- Privatësi më të madhe se sa bankat e zakonshme, pra një ligj të sekretit bankar më të fortë. (parimi i sekretit bankar lindi në vitin 1934, me Ligjin e Bankave Zvicerane)
- Taksim të ulët apo edhe inekzistent
- Akses shumë të lehtë në depozitën tënde
- Mbrojtje ndaj mungesës lokale të stabilitetit, qoftë politik apo ekonomik.
Zanafilla e termit vjen nga “Channel Island”, të cilat ishin “off-shore” apo “jashtë” Britanisë së Madhe. Nisur nga termi mund të thuhet se sot, pjesa më e madhe e bankave, apo institucioneve financiare të tilla kanë vendndodhje në shtete që ndodhen në ishuj. Por termi “off-shore” përdoret në përgjithësi për të emërtuar gjithë këtë fenomen, pavarësisht se banka të tilla mund të ndodhen edhe jo në ishull, për shembull në Luksemburg, apo Andorra, apo edhe Zvicër.
Banka të tilla kanë qenë të asociuara gjithmonë me “ekonominë jozyrtare” me krimin e organizuar, me shmangien e taksave dhe pastrimin e parave. Megjithatë, ligjërisht, bankat “off-shore” nuk i ndalojnë asetet që të jenë subjekt i taksave. Edhe pse banka të tilla mund të vendosin që të mos raportojnë paratë tek autoritetet fiskale apo të taksave dhe të mos kenë detyrime ligjore për ta bërë një gjë të tillë, duke qenë se janë të mbrojtura nga “sekreti bankar”, kjo nuk e bën mosdeklarimin e të ardhurave nga evazioni fiskal ligjor. Në vijim të ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, ka pasur shumë kërkesa për të rregulluar financat ndërkombëtare, në veçanti ato që kanë lidhje me bankat e këtyre llojeve, me vetë parajsat fiskale dhe të ashtuquajturat “clearing houses” të tilla si “Clearstream” me bazë në Luksemburg. Kjo sepse këto institucione janë konsideruar si “mjete” të përpunimit të fluksit të parave të paligjshme.
Mbrojtësit e bankave të tilla i kanë kritikuar këto përpjekje. Ata pretendojnë se procesi nuk nxitet nga ata që kërkojnë më shumë siguri, por nga dëshira e bankave që nuk janë “off-shore” dhe agjencive të taksave për të pasur akses në paratë që ndodhen në llogaritë e bankave “off-shore”.
HARTA
21 mijë miliardë dollarë
Totali i aseteve financiare të transferuara në parajsat fiskale
9800 miliardë dollarë
Në pronësinë e 91 mijë personave. Pjesa tjetër i takon bankave dhe biznesit të madh
10 eksportuesit më të mëdhenj të kapitalit në botë