Berisha, Ramës: Ta votojmë, mos dëgjo miliarderët e PS-së

Kreu i Qeverisë kërkon votën e opozitës në seancën e datës 6 gusht

Kryeministri Sali Berisha, nga mbledhja e qeverisë, i ka bërë apel liderit të opozitës që të votojë draftin për imunitetet. Duke nënvizuar faktin se 6 gushti nuk është një datë arbitrare, shefi i mazhorancës i kujtoi opozitës se rregullorja përcakton që drafti të votohet 2-3 javë pas përfundimit të tij. “Gjashtë gushti nuk është datë arbitrare, por është miratuar në Kuvend pa asnjë kundërshtim nga asnjë force politike. E dikton rregullorja. Një proces i nisur nuk duhet të ndalohet kurrë. Je i detyruar ta respektosh atë në mënyrën më të vendosur.”- u shpreh Berisha. Kryeministri e cilësoi si të pakuptimtë tërheqjen e opozitës, duke theksuar se procesi sipas tij mbahet peng nga “klubi i miliarderëve”. “Ju them të vërtetën, nuk u çudita. I dërgova një mesazh zotit Xhafaj se e kishte kot, se nuk do ta lejonte. E mori apo jo mesazhin nuk e di, por e vërteta është se zoti Rama nuk i lejoi, njësoj sikur të thoshte ju jeni aty, por nuk jeni. Ata votuan nen për nen, nuk kishin asnjë vërejtje se i kishin shkruar vetë, votuan edhe në parim dhe më pas nuk ishin, sepse nuk ishte Sadriu, nuk ishte Toma, nuk ishte Fideli dhe nënkryetari në hije i asaj partie, që, de facto, është më shumë se nënkryetar. Pra, një situatë jashtëzakonisht e pakuptimtë”, tha Berisha. Më tej Kryeministri u shpreh se “unë e ftoj zotin Rama të votojmë kufizimin e imunitetit, përndryshe do të hyjë në librin Guinnes si i vetmi kryetar opozite në botë që e do Kryeministrin e tij me imunitet. Do t’u thotë socialisteve se Sali Berisha do ketë imunitet?! Zoti Rama nuk e ka hallin tek Sali Berisha, as tek ministrat, por tek klubi i miliarderëve në krye të Partisë Socialiste. Në qoftë se zoti Rama mendon se nuk lehtësohet lufta kundër korrupsioni duke hequr imunitetin, harron se me Kushtetutën e pakicës e çon vendin në greminë”.

 

Deklaratat

Bllokimi – Unë nuk po i dal në mbrojtje as zotit Majko, as zotit Xhafaj, por t’i mandatosh e më pas t’i asgjësosh politikisht në mes të punës, një drejtues nuk mund ta bëjë këtë

Apeli – Ndaj i bëj thirrje zotit Rama të mendojë interesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, interesin e socialistëve, interesin e vendit dhe të votojmë së bashku

6 gushti – Gjashtë gushti nuk është datë arbitrare, por është miratuar në Kuvend pa asnjë kundërshtim nga asnjë forcë politike. E dikton rregullorja e Kuvendit

Autor te 26 Korrik 2012. Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry