Pretenca


Fatjon Habilaj fshehu trupin e një prej fëmijëve 


Sipas prokurorisë, i pandehuri ka udhëtuar me 81 kilometra në orë në momentin e aksidentit, në një zonë të banuar ku shpejtësia e lejuar është deri në 40 kilometër në orë


Pas dërgimit të dy fëmijëve në spital, është gjetur pranë një ekualipti edhe trupi i pajetë i të ndjerit Gëzim Shkrela. Pas informacioneve të marra, policia e ka gjetur mjetin të fshehur pas karburantit


Edmond Hoxhaj


Prokuroria e Fierit ka kërkuar dënimin me 18 vjet heqje lirie për të pandehurin 22-vjeçar Fatjon Habilaj, i cili akuzohet për aksidentin me pasojë vdekjen e tre fëmijëve, teksa drejtonte me shpejtësi një fuoristradë nën efektin e lëndës narkotike. Gjatë parashtrimit në gjykatë të konkluzioneve përfundimtare, prokurori i çështjes, Çlirim Sino, ka sqaruar para gjykatës gjithë rrethanat e ngjarjes dhe provat e siguruara gjatë hetimeve disamujore, ku u vërtetua se i pandehuri kishte fshehur trupin e një prej viktimave.


 


Ngjarja


Sipas prokurorit Sino, ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 21:30 të mbrëmjes së datës 16.01.2012, kur i pandehuri Habilaj, ka qenë duke drejtuar automjetin fuoristradë “Nissan Terrano” me targë AA810CI në aksin rrugor Qafa e Koshovicës-Fier në afërsi të Qendrës Tregtare Univers, në hyrjen jugore të qytetit të Fierit. I pandehuri është futur me automjet në krahun e kundërt të korsisë të lëvizjes së tij dhe ka goditur motoçikletën që drejtohej nga i ndjeri G.Shkrela 17 vjeç, kur në të ndodheshin edhe dy fëmijët A. Kola 15 vjeç dhe A. Malaj 12 vjeç. Menjëherë pas aksidentit 22-vjeçari Habilaj rezulton të jetë larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe ka fshehur automjetin me të cilin kreu aksidentin, pas një pike shpërndarjeje karburanti, që ndodhet afër vendit të ngjarjes.


Viktimat e këtij aksidenti janë dërguar menjëherë në Spitalin e Fierit për t’u dhënë ndihmën mjekësore, pasi dy fëmijët ishin ende gjallë pas aksidentit. Por edhe ata kanë ndërruar jetë pak minuta më vonë për shkak të plagëve të rënda që kishin marrë. Më vonë, pas dërgimit të dy fëmijëve në spital, është gjetur pranë një ekualipti edhe trupi i pajetë i të ndjerit Gëzim Shkrela. Pas informacioneve të marra, policia e ka gjetur mjetin të fshehur pas karburantit.


Dy orë pas kërkimeve të policisë për gjetjen e vendndodhjes së autorit të aksidentit dhe kapjes së tij, i pandehuri është dorëzuar duke pranuar edhe autorësinë dhe pronësinë e mjetit Nisan Terrano.


 


Ekspertimi i vendngjarjes


Sipas prokurorisë, nga këqyrja e mjetit ka rezultuar se ishte dëmtuar rëndë në pjesën e përparme të tij. Ndërkaq, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë konstatuar gjurmët e frenimit të automjetit të sekuestruar, të cilat kanë një gjatësi 32 metra. Nga pozicioni i tyre është konstatuar se mjeti në çastin e aksidentit ka qenë plotësisht në krahun e kundërt të lëvizjes së tij.


Ndërsa mjeti tip motoçikletë është dëmtuar plotësisht në pjesën e përparme, ku goma e parë ishte dëmtuar e gjitha dhe kishte dalë nga vendi, ashtu si edhe shumë pjesë të tjera plastike. Në bazë të aktit të ekspertimit autoteknik ka rezultuar se, shkaku i aksidentit janë shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesit të fuoristradës Fation Habilaj. Sipas prokurorisë i pandehuri ka udhëtuar me 81 kilometra në orë në momentin e aksidentit, në një zonë të banuar ku shpejtësia e lejuar është deri në 40 kilometër në orë. Gjithashtu, rezulton se drejtuesi i mjetit nuk ka udhëtuar në korsinë e djathtë të rrugës, por në kahun e kundërt.


 


Ekspertimi mjekoligjor


Mjekësia ligjore pranë spitalit të Fierit ka ekzaminuar trupat e pajetë të minorenit 17-vjeçar dhe të dy fëmijëve. Kështu, sipas prokurorisë, në morgun e Spitalit të Fierit në prani të ekspertit mjekoligjor dhe atij kriminalist, është kryer këqyrja e trupave të pajetë të të ndjerëve G.Shkrela 17 vjeç A. Malaj 15 vjeç dhe A. Kola 12 vjeç, në trupat e të cilëve janë konstatuar dëmtime masive të jashtme, si pasojë e aksidentit.


Gjithashtu, janë konstatuar edhe thyerje të kockave të turpit, dëmtime të organeve jetësore dhe hemorragji të brendshme. Bazuar në këto ekspertime, prokuroria ka urdhëruar atëherë ndalimin e të pandehurit Fation Habilaj, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Fier vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” pa afat.


 


Lënda narkotike


Veç të tjerash, i pandehuri ka rezultuar të ketë qenë nën efektin e lëndës narkotike në kohën kur ka shkaktuar aksidentin. Kështu, në bazë të aktit të ekspertimit toksikologjiko-ligjor nr.86 datë 25.01.2012 rezulton se, në urinën e të pandehurit Fation Habilaj është konstatuar prania e kanaboideve të metabolizmit të bimës narkotike canabis sattiva L në organizmin e njeriut.


 


Pretenca


Shkelja – Deklarimi fajtor për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e tre personave” dhe dënimi me 16 vjet burgim


Largimi – Deklarimi fajtor për veprën penale të “largimit nga vendi i aksidentit” dhe dënimi i tij me 1 vit burgim.


Pengimi – Deklarimi fajtor për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe dënimi i tij me 2 vjet burgim. Në bashkim dënimesh, të dënohet me 18 vjet burg