Në vitet e krizës, Bode e injoroi privatin, kur i kërkonte ndihmë, tani s’derdhin taksat
ARD KOLA
Ndryshe nga sa thonë raportet e qeverisë, por edhe të disa institucioneve ndërkombëtare se gjoja klima e biznesit në vend është pozitive, të dhënat tregojnë të kundërtën. Në jo pak herë sipërmarrja private, me anë të shoqatave, është ankuar për barrë të rëndë fiskale, sidomos pas vitit 2009, kur kriza preku edhe Shqipërinë, por nuk janë marrë në konsideratë nga qeveria. Të parët ishin ndërtuesit, pastaj industria e fasonit, pastaj me radhë prodhuesit, turizmi, madje tani dhe bankat.
Ministri i Financave i ka injoruar gjithnjë kërkesat dhe rekomandimet e biznesit, duke miratuar me forcën e pushtetarit një mori aktesh, vendimesh dhe ligjesh, pasojat e të cilës po ndihen sot. Një javë më parë “Shqip” publikoi pjesë nga sondazhi i “BiznesAlbania”, ku ndër të tjera pranohej fakti se 40 për qind e subjekteve private kishin korruptuar dhe se 37 për qind deklaronin se ia vlente të japësh ryshfet, se sa të paguash taksat.
Sot gazeta publikon anën tjetër të biznesit, atë të pagesës së taksave, niveli i të cilave po dërrmon gjithnjë e më shumë buxhetin, ndërsa qeverisë nuk po i jep frymëmarrje për të menaxhuar situatën, tashmë të komplikuar. Tatimet dhe doganat kanë rritur nivelin e mbikëqyrjes dhe të administrimit të taksave, por është e kotë. Gjithashtu, Ministria e Financave, me politikat e ndjekura, ka futur disa shërbime të reja për pagesën e taksave, përmes sistemit on line, por sërish arkëtimet nuk po rriten, madje sa vijnë dhe tkurren.
Në tre vjet biznesi është ankuar se kriza po i mbyt dhe nuk kanë gjendje për të shlyer kreditë në banka, por Ministria e Financave e kaloi në heshtje. Situata me nivelin e pagesës së taksave paraqitet dramatike. Pothuajse të gjitha llojet e detyrimeve janë në rënie, duke nisur nga tatimi mbi fitimin, akciza, tatimi mbi të ardhurat, si dhe taksa mbi biznesin e vogël. Mjafton të shikohen grafikët, ku ritmi i rritjes së të ardhurave tatimore dhe i të ardhurave nga tatimet dhe doganat rezultojnë në pikën më të ulët nga viti 2002 (përjashto 2007 me rënie), me afro 2 për qind.
Të dhënat zyrtare (paraprake, publikuar nga Ministria e Financave, referuar Drejtorisë së Thesarit, tregojnë se të ardhurat tatimore në total, për periudhën janar-qershor 2012, ishin 146 miliardë lekë, rreth 2 për qind më shumë se viti i kaluar dhe 5.6 për qind më pak se plani, e njëjta situatë me të ardhurat nga tatimet dhe doganat, nga ku sigurohet pjesa dërrmuese e parave në buxhet. Nga këto dy institucione buxheti i shtetit ka marrë, gjithnjë si 6-mujor, 110 miliardë lekë, gati 8 miliardë më pak se plani dhe 2 për qind më shumë se viti i kaluar, po për të njëjtën periudhë (janar-qershor 2011).
Me këtë nivel të ardhurash, të rritura vetëm 2 për qind, në raport me vitin kaluar, aq sa rezulton edhe niveli i inflacionit, fatet ekonomike të vendit vendosen në binarë jo të sigurt. Ky ritëm nuk mjafton në rast se qeveria nuk ndërmerr ndonjë masë afatshkurtër për të lehtësuar biznesin në sistemin e pagesave. Privati nuk po investon, kurse ato pak para që merr kredi në banka e përdor për të likuiduar detyrimet e prapambetura. Bankat kanë shtrënguar kushtet për shkak të kredive me probleme, por edhe individët janë duke kursyer, duke mos i lënë shumë privatit të manovrojë.
Megjithatë, taksat janë shkaku kryesor i situatës së krijuar, të cilat, sipas Bankës Botërore, duke i mbledhur të gjitha bashkë, rezultojnë një kosto fiskale prej 38 për qind (në 100 lekë të fituar, biznesi paguan 39 lekë taksa), niveli më i lartë në rajon.
Sikurse duket te tabela më të dhënat përkatëse të çdo takse, përveç TVSH-së, të gjitha rezultojnë më humbje. Taksa e TVSH-së, më e rëndësishmja, del me rritje 1.4 për qind në raport me vitin e kaluar për periudhën si 6-mujor i parë. Ky nivel nuk mjafton, madje nëse i llogarisim edhe rritjen e çmimeve, atëherë tregon se bizneset janë duke mbijetuar dhe jo duke tregtuar.
Kështu, me radhë, tatimi mbi fitimin rezulton me rënie të fortë, prej 22 për qind, ose 2.5 miliardë lekë më pak se viti i kaluar. Kjo do të thotë se biznesi rezulton me humbje të paktën 250 milionë dollarë për periudhën janar-qershor 2012. Edhe tatimi mbi të ardhurat personale, pjesë e taksës së sheshtë, rezulton me rënie 2.1 për qind, ose 250 milionë lekë më pak.