Fushata
Ministria e Ekonomisë, me urdhër të Kryeministrit, ka nxjerrë në shitje rreth 95 për qind të pronave publike, proces ky që ka nisur rreth dy vjet më parë, por është duke u potencuar vetëm në këtë periudhë. Kjo fushatë, sipas ministrit të ri, Edmond Haxhinasto, dëshmon vullnetin e qeverisë për të liberalizuar ekonominë, por edhe duke luftuar korrupsionin.
“Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me të drejtën e përfaqësuesit të pronës shtetërore, po vlerëson procedurat e procesit të privatizimit me qëllime të qarta për të rritur transparencën dhe për të luftuar korrupsionin në këtë proces”, deklaroi dje ministri, Haxhinasto. Deklaratat e shefit të METE-s, që mban edhe postin e Kryeministrit, u bënë në takimin me drejtorët e Degëve të Shoqërive Publike në qarqe, ku objektivi ishte “vendosja e një ritmi dhe një dinamike të re në procesin e privatizimit”.
Z. Haxhinasto theksoi gjatë fjalës së tij se privatizimi është një proces i domosdoshëm për ekonominë e vendit, për hedhjen në qarkullimin ekonomik të vlerave të aseteve të mëdha, të cilat do t’i japin impulse të reja rritjes ekonomike dhe në mënyrë të veçantë punësimit të qytetarëve. “Në proces privatizimi janë aktualisht shoqëritë strategjike, si: Albpetrol, HEC-et Bistrica 1 dhe 2, dhe HEC-i i Ulzës dhe Shkopetit, por janë edhe rreth 1300 objekte të tjera në proces ose potencialisht të gatshme për privatizim”, deklaroi ministri. Sipas tij, do të eliminohen vonesat apo zvarritjet burokratike në hallkat e ndryshme të procesit të privatizimit, si dhe për të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces, do të kthehet në një detyrim shkurtimi i kohës së nevojshme për privatizimin nga rreth 150 në 100 ditë pune.
Ky ishte një takim ku ministri mund të bënte publike ecurinë e shitjeve të pronave publike. Vitin e kaluar janë shitur 500 prona, kurse këtë vit 250 prona, por nuk dihet se cilat janë dhe sa janë shitur. Haxhinasto e shmangu këtë pjesë, duke u përpjekur të bënte transparentin, kur tha se, “do të futet gradualisht informatizimi i procesit të privatizimit, në mënyrë që qytetarët të monitorojnë çdo hallkë të procesit, të kenë një transparencë maksimale të përpunimit të kërkesave të qytetarëve për privatizimin e aseteve që janë në listë për t’u privatizuar.”
Ard Kola