Korçë
Prokuroria kërkoi për të dy “arrest me burg”, duke i akuzuar për shpërdorim detyre
Arrest shtëpie për drejtorin e galerisë dhe përgjegjësin “Guri Madhi”. Kështu ka vendosur Gjykata e Korçës pas skandalit të vjedhjes së pikturave të piktorit të mirënjohur Vangjush Mio, për Vladimir Topin dhe Sotiraq Xega, ndërkohë që Prokuroria ka kërkuar arrest me burg. Ata dyshohen si përgjegjës për zhdukjen e një pjese të veprave të artit. Skandali që ka shpërthyer në Korçë, me zhdukjen në mënyrë të përsëritur të veprave të atij që njihet tashmë si “Mbreti” i peizazhit korçar, ku regjistrohet vjedhja e dytë pas asaj të ndodhur rreth vitit 1994, të veprave të Mios, ka bërë që si policia lokale edhe Prokuroria të kërkojnë ndëshkim të autorëve të dyshuar të vjedhjeve të pikturave. Dje është zhvilluar një seancë paraprake për çështjen e dyshuar të vjedhjes së pikturave të Mios nga bodrumet e Pallatit të Kulturës në Korçë, një qendër kulturore kjo që mban emrin e këtij piktori të shquar dhe madje në emër të tij organizohet edhe më e madhja ekspozitë e arteve figurative në Korçë në fundin e vitit. Për këtë çështje, në hetim është drejtori i Qendrës Kulturore, Vladimir Topi, si dhe ish-përgjegjësi i galerisë së artit, Sotiraq Xega. Të dy këta persona janë të dyshuar si të përfshirë në dëmtimin, humbjen apo zhdukjen e pikturave, që ka të bëjë me fondin e veprave të Piktorit të Popullit. Drejtori i Policisë së Korçës, Ylli Metko deklaroi provat e deritanishme të siguruara në procesin hetimor paraprak, ngarkojnë ligjërish me përgjegjësi për zhdukjen e një pjese të pikturave të Mios pikërisht, këta dy persona. Edhe pse, Xega ka qenë shumë aktiv në denoncimin e këtij skandali, nuk i ka shpëtuar përgjegjësisë ligjore. Ata akuzohen për shpërdorim detyre. Vladimir Topi, i dyshuari për një përfshirje të mundshme në zhdukjen e veprave të artit, jo vetëm të Mios, por edhe të fondit që qëndronte prej vitesh në bodrumet e kësaj qendre kulturore, dhe ish-përgjegjësi i kësaj galerie arti Sotiraq Xega, janë lënë me këtë masë sigurie deri në përfundim të hetimeve të Prokurorisë. Rreth 60 piktura me vlera të mëdha kulturore, por edhe monetare, janë zhdukur nga fondi i galerisë së arteve figurative “Guri Madhi” në Korçë. Më shumë se gjysma e tyre janë vepra të të madhit Vangjush Mio, kryesisht peizazh dhe natyrë e qetë, me vlerë nga 10-30 mijë dollarë. G. Ashimi
