Doktoranti Holmes ndiqej nga një specialist i kampusit studentor
Studenti i Universitetit të Kolorados, i akuzuar për vrasjen e 12 njerëzve dhe plagosjen e 58 të tjerëve në kinema, një javë më parë, ishte nën kujdesin e psikiatrit, pjesë e kampusit studentor në të cilin ai studionte.
Ky zbulim vjen në gjykatë, ndërkohë që James Holmes po përballet me akuzën e rëndë për këtë krim të shumëfishtë që ka tronditur gjithë opinionin publik amerikan dhe atë botëror. Kështu, avokatët e mbrojtjes po kërkojnë një urdhër nga gjykatësi për të parë dokumentet e psikiatrit. Për shkak të sekretit të pacientit është e vështirë që përmbajtja e dosjes së tij të bëhet publike. Ndërkohë, njeriu që e ka ndjekur të dyshuarin për vrasje, sipas ligjit të Kolorados, nuk mund të bëhet përgjegjës për dështimin e parashikimit të një sjelljeje të rëndë të pacientit të tij. Kjo, të paktën jo pa një përfshirje të pacientit në sjellje dukshëm të dhunshme, apo edhe në kërcënime për dhunë. Universiteti në të cilin Holmes ishte regjistruar për të zhvilluar punimin e tij për doktoraturë, konfirmoi në fillim të javës për një pako të dyshimtë që kishte ardhur me postë të hënën dhe ajo iu dha menjëherë autoriteteve. Ndërkohë konfirmohet edhe se dy pako të tjera i ishin dërguar nga ana e Holmes psikiatrit të tij që e ndiqte. Thuhet se në njërën prej tyre ishte edhe një bllok në të cilin ishte shkruar e gjithë axhenda e krimit dhe e vrasjeve. Madje blloku i shënimeve kishte edhe ilustrime të bëra me dorë nga ana e James. Por, ndërkaq, avokatët e Holmes kanë akuzuar prokurorinë që është duke nxjerrë në media, në mënyrë jo të ligjshme detaje, të cilat janë të rëndësishme për gjykimin dhe që janë në dëm të klientit të tyre. Akuzat formale ndaj Holmes do të bëhen publike të hënën, në seancën e radhës.
Që nga momenti i arrestimit, pak çaste pas përfundimit të masakrës, Holmes mbahet i izoluar në një qeli në burg dhe doli vetëm në seancën e parë të gjykimit të tij. Ai veç vrasjes së 12 personave, që konsiderohet si një nga tragjeditë më të mëdha amerikane të këtij lloji, vitet e fundit akuzohet edhe për mbushjen e shtëpisë së tij me eksploziv dhe në tentativë për të hedhur në erë gjithë pallatin.