Kinezja Ji Siling mori medaljen e parë të artë të Lojërave Olimpike në Londër 2012.
Ka qenë Kina komanduesja e klasifikimit të medaljeve të marra në ditën e parë të Lojërave Olimpike Londër 2012. Për kinezët nisi gjithçka mirë. Ishte pikërisht Ji Siling e Kinës, ajo që rrëmbeu medaljen e parë të artë të shtunën në Olimpiadën e Londrës. Ajo fitoi në garën e femrave për qitje në 10 metra me karabinë në Kazermën Mbretërore. Sylvia Bogacka e Polonisë, e cila udhëhoqi në gjysmën e parë të finales, fitoi medaljen e argjendtë. Ju Dan e Kinës fitoi atë të bronztë. Ji, numri një në botë, buzëqeshi me kënaqësi, për atë që duket të jetë medalja e parë e artë në mesin e shumë të tillave që pritet të fitojë Kina në Lojërat e Londrës. Medalja e dytë e artë për Kinën erdhi nga peshëngritja në kategorinë 48 kilogramë për femra nga Uang Mingjuan. Në këtë peshë, medalja e argjendit i shkoi Hiromi Miyake, ndërsa ajo e bronzit koreanoveriores Chun Hua Rjang. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Kina numëronte në total 6 medalje, mes të cilave 4 të arta dhe 2 bronzi. Në vendin e dytë përkohësisht u rendit Italia me 5 medalje në total, nga të cilat 2 ari, 2 argjendi dhe 1 bronzi. Medaljen e parë të artë, italianët e fituan me skuadrën e meshkujve në gjuajtjen me hark, ku në finale mundën SHBA-në (argjend), ndërsa medaljen e bronzit e fitoi Koreja e Jugut. Në vendin e tretë renditeshin Shtetet e Bashkuara me Amerikës me 5 medalje të fituara në total, të cilat ndaheshin 1 ar, 2 argjend dhe 2 bronz. Medaljen e parë të artë amerikanëve jua ka dhuruar monstra Rajën Lokte. Amerikani nga Florida ka fituar me meritë garën e 400 metrave stil i përzier. Talenti amerikan u rendit përpara brazilianit Tiago Pereira dhe japonezit Kosuke Hagino. Zhgënjim për Majkëll Felpsin: notari i njohur për rekordet në Pekin 2008, ku mori 8 medalje të arta, nuk ka mundur të ngjitet në pod (u rendit vetëm i katërti), pavarësisht një tentative të lodhshme për të rikuperuar në stilin e lirë. Pas Shteteve të Bashkuara në tabelën e medaljeve u renditën Brazili me 3 medalje (1 ar, 1 argjend, 1 bronz), Koreja e Jugut 3 (1 ar, 1 argjend, 1 bronz). Kazakistani 1 (e artë), Rusia (e artë), Japonia 3 (2 argjend, 1 bronz), Kolumbia 1 (argjend) dhe plotësonte 10-shen e parë Polonia 1 (argjend).
Noti
Lokte u rendit përpara brazilianit Pereira dhe japonezit Hagino. Zhgënjim për Felpsin (në Pekin 2008 mori 8 medalje të arta), i cili nuk ka mundur të ngjitet në pod (i katërti)
Tabela e medaljeve
| Vendi | Ar | Argjend | Bronx | Total |
| 1. Kina | 4 | 0 | 2 | 6 |
| 2. Italia | 2 | 2 | 1 | 5 |
| 3. SHBA | 1 | 2 | 2 | 5 |
| 4. Brazili | 1 | 1 | 1 | 3 |
| 4. Koreja e J. | 1 | 1 | 1 | 3 |
| 6. Kazakistani | 1 | 0 | 0 | 1 |
| 6. Rusia | 1 | 0 | 0 | 1 |
| 8. Japonia | 0 | 2 | 1 | 3 |
| 9. Kolumbia | 0 | 1 | 0 | 1 |
| 9. Polonia | 0 | 1 | 0 | 1 |
| 9. Rumania | 0 | 1 | 0 | 1 |
| 12. Belgjika | 0 | 0 | 1 | 1 |
| 12. Hungaria | 0 | 0 | 1 | 1 |
| 12. Norvegjia | 0 | 0 | 1 | 1 |
| 12. Koreja e V. | 0 | 0 | 1 | 1 |
| 12. Serbia | 0 | 0 | 1 | 1 |
| 12. Uzbekistani | 0 | 0 | 1 | 1 |
