Librat e rinj, Idlir Azizi, kur Kanuni e bën Shqipërinë qesharake

 

Idlir Azizi


Oliverta Lila - 
“Autori shqiptar i skenarëve u ngrit me idenë për të sajuar një film të bazuar te Kanuni. Ngase të gjitha skenarët e filmave në Shqipëri tashmë bazoheshin te Kanuni i maleve të Shqipërisë. Madje jo vetëm kaq, por edhe skenarët e të gjithë autorëve të huaj, sa herë që donin të bënin ndonjë film për Shqipërinë, bazoheshin ekskluzivisht te Kanuni i maleve të saj”. Këto janë vetëm rreshtat e parë të romanit “Don Kanuni; ose, ngadalë gjaksi fillon dremit në pritë. Është i pesti në radhë i shkrimtarit shqiptar Idlir Azizi, i cili prej disa vitesh jeton në Francë. I kthyer në një fenomen kinematografik, letrar e mbi të gjitha ekzotik, Kanuni i maleve shqiptare rimerret nga Azizi në këtë roman jo për të prodhuar një tjetër histori të ngjashme, por për të “denoncuar” këtë faqe të prezantimit të Shqipërisë nëpër botë. Një rimarrje groteske, e sjellë edhe me një strukturë të veçantë rrëfimi, që vet autori pranon ta ketë “huazuar” nga “Don Kishoti” i Servantesit. Realiteti dhe fiksioni kapërthehen në këtë roman, ndërkohë që personazhet që lëvrijnë, të vendosur në rrethana të caktuara, sjellin para nesh probleme që hasen rëndom përditë, lexohen në gazeta e dëgjohen në televizione, si: identiteti, pasaporta, raporti me ligjin, me kufijtë. Një autor skenarësh që kërkon të krijojë një personazh, i cili del nga trillimi e bëhet real, një fshatar ekscentrik, një inxhinier që kërkon me zor një skenografi për Kanunin, një vajzë që sulmon me gazetë të dashurin e saj, etj. Në mes të kësaj morie personazhesh, Idlir Hazizi fut edhe problematikën gjinore. Një grua është viktimë e gjakmarrjes në një zonë të Shqipërisë dhe vrasësi duhet të dënohet sipas neneve të Kanunit. Por ekspertiza mjekësore zbulon se viktima, në fakt, është mashkull. Dënimi me Kanun në këtë rast ngec: është femër apo mashkull(dënimet janë të kundërta). Në ndihmë thirret filozofja Judith Butler, por, teksa tenton të kalojë në Rinas, në pasaportën e saj nuk është shënuar gjinia. E sjellë më shumë në formën e një monologu, se të një strukturë të mirëfilltë narrative, Azizi është nxitur nga kjo jehonë e “Shqipërisë së mafias e Kanunit” për të denoncuar këtë tendencë të vet shqiptarëve(veçanërisht artistëve) e pastaj edhe të huajve. “Gjatë këtyre 20 viteve ka një rimarrje gati në bezdi të kësaj teme në rangje shumë të zymta. Kam përshtypjen që ‘faji’ është i të dyja palëve: ekzotikes perëndimore, që e kërkon me këmbëngulje një trajtim të tillë, po ashtu edhe artistit shqiptar, kryesisht kineast, që e përdorin këtë gjë si një pasaportë, që vepra e tyre të funksionojë nëpër botë. Ky është një problem, të cilin e ndiejmë më shumë ne që jetojmë jashtë Shqipërisë”, thotë shkrimtari. E megjithatë, fakti i kësaj shkëputje fizike me vendin, në të cilin kthehet herë pas here, e bën më të distancuar e më objektiv përballë fenomeneve të tilla, por edhe kërkues në stilin letrar. A i ka krijuar një këndvështrim të distancuar të realitetit fakti që nuk jeton në Shqipëri? “Besoj se po. Nuk ma do mendja që do arrija të shkruaja kështu siç shkruaj(i referohem strukturës, sepse cilësinë e gjykojnë të tjerët) nëse do të jetoja këtu. Kjo nuk është as për mirë, as për keq, nuk ka të bëjë me shkrimtarët e tjerë, që janë këtu dhe mund të marrin tema të ndryshme në mënyrën e tyre. Më ka krijuar një lloj distance qetësie dhe maturimi të trajtimit të disa të ashtuquajturave dukuri sociale. Unë nuk e konsideroj veten një shkrimtar social, punoj me tematika të mbyllura, të përcaktuara dhe që ta mbush këtë strukturë që krijoj me lëndë verbale, për mua ka rëndësi të jetë e prekshme. Ka një sërë autorësh, që fatkeqësisht, nuk janë në shqip dhe do të doja të ishin, sepse do të ndihmonin në një farë mënyre edhe librat e mi të kalonin më mirë te lexuesi, siç është Thomas Bernhard, që është çelësi i krijimtarisë sime në prozë. Janë këta autorë, të cilët, me trajtimin e temës postnaziste apo postkomuniste, pra, të shoqërive në tranzicion, më kanë ndihmuar ta shoh realitetin më ndryshe nga sa e kam parë 10 vjet të shkuara”, tregon Azizi. I njohur fillimisht për përkthimin e “Uliksit” të James Joyce, shkrimtari ka sjellë në shqip nga gjuha angleze edhe shkrimtarë të rëndësishëm, si: Allen Ginsenberg, Samuel Beckett, Jack Kerouac, etj. Në komunikimin e vazhdueshëm si autor, përmes poezisë dhe prozës, ai mendon se lexuesi shqiptar nuk i ka shpëtuar një lloj mediatizimi, në të cilin ka shtyrë edhe artistin. Si është raporti i tij dhe i shqiptarëve me të shkuarën? “Raporti ynë me të shkuarën është shumë problematik, sepse nuk përballet me të tashmen. Ka njolla e fantazma të së shkuarës, që qarkullojnë pa u analizuar apo racionalizuar dot. Besoj se kjo do të zgjasë pak, pasi ne nuk kemi as vullnetin dhe as mirësinë konceptuale për ta ftilluar të shkuarën tonë, për të kuptuar, p.sh, strukturën e funksionimit të një ish-sistemi apo ish-regjimi. Mua më vjen shumë bezdi me trumbetimin e fantazmave komuniste, të cilat kanë vlerën e tyre historike, por mua, si autor, personalisht, më intereson të di mënyrën, filigramat se si është ndërtuar dhe mbajtur në këmbë ai regjim. Nëse nuk arrijnë të kapen dhe të përdhosen këto lloj infrastrukturash, ai ish-regjim do të jetë gjithmonë nëpër muret tona dhe, nëse dikur ishte ekzotik për të huajt, me distancën e brezave, është bërë edhe për shumë të rinj shqiptarë, të cilët nuk kanë pasur një raport të qenësishëm me këtë sistem. Kjo mënyrë gjeron një ‘dhunë’, e shprehur në mënyra të ndryshme ndaj sistemit social”, thekson shkrimtari. Projekti më i ri i Azizit është një rimarrje e “Don Zhuanit” origjinal, jo të Molierit, për ta vënë në skenën franceze. Një tekst dramatik, për të cilin nuk beson se do të gjejë botimin shqip.

“Don Kanuni”

Autori: Idlir Azizi

Botoi: “Zenit”

Çmimi: 500 lekë

 

 

 

 

 

 

 

Sophie Kinsella

“Zonja e funeraleve”

Përktheu: Afërdita Shuteriqi

Botoi: “Dituria”

Çmimi: 800 lekë

“Pushime në vilë”

Përktheu: Erblina Kërçishta

Botoi: “Dituria”

Çmimi: 800 lekë

Sophie Kinsella është pseudonimi letrar i Madeleine Wickham. Ajo lindi më 12 dhjetor 1969 në Londër, ku jeton bashkë me të shoqin dhe tre fëmijët. Ka studiuar në New College në Oksford dhe më pas ka punuar për shumë kohë si gazetare e rubrikës ekonomike.

Romanet e serisë “E fiksuar pas dyqaneve” e kthyen atë në një nga shkrimtaret më të famshme, e përkthyer në shumë gjuhë. Jo më pak të rëndësishëm janë për lexuesin anglez, e tashmë edhe për atë shqiptar, romanet që kjo autori i ka shkruar nën emrin e saj të vërtetë (Madeleine Wickham), ndër të cilat “Zonja e funeraleve” dhe “Pushime në vilë”, të botuara së fundi nga shtëpia botuese “Dituria”. Kjo shkrimtare e ka njohur lexuesin me Samanta Suitingun (Mbretëresha e shtëpisë), me Ema Koriganin (E mban dot një të fshehtë?), me të famshmen Beki (seria E fiksuar pas dyqaneve…). Tani vijnë dy karaktere krejt të reja, jo më pak interesante e aventuriere, jo më pak komike, dhe strumbullar situatash të këndshme. E para është Flër Deksani (Zonja e funeraleve), gruan e bukur dhe tërheqëse, por mbi të gjitha pa skrupuj. E pajisur me një gardërobë të jashtëzakonshme veshjesh të zeza elegante, e informuar nga nekrologjitë e botuara në Times, Flëri merr pjesë në funerale dhe përkujtimore, duke pasur si qëllim të joshë vejanët e pasur e të pangushëlluar. Një satirë e hollë e shoqërisë së lartë britanike me të gjitha zakonet  e veta, perfekte si një pjesë teatri klasik. E dyta, Kloja (Pushime në vilë), stilisten e fustaneve të nusërisë, e cila, e lodhur nga puna dhe stresi, e aq më tepër nga situata aspak e këndshme e Filipit (me të cilin bashkëjeton) në punë, nuk mendon për asgjë tjetër veçse të pushojë… Dhe ja më në fund një rreze drite: një nga më të afërtit miq të saj, Gerardi, i ofron vilën e tij të mrekullueshme në Spanjë, ku mund të kalojë disa ditë në paqe… Hjuja nuk është i lumtur. Amanda, gruaja e tij, që s’ka të sharë, duket më tepër e interesuar për ngjyrën e mureve të apartamentit të tyre luksoz, sesa për atë vetë, ndaj Hjusë s’i mbetet tjetër veçse të punojë nga mëngjesi në mbrëmje. Gerardi, një shok i vjetër shkolle, të cilin e ka ritakuar rastësisht, i jep mundësinë ta thyejë këtë rutinë të mërzitshme, duke i ofruar disa ditë pushime në shtëpinë e tij në Spanjë… Kloja dhe Hjuja, që kanë një histori të shkuar bashkë, gjenden në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend. “Pushime në vilë” është një rrëfim i këndshëm rreth vështirësisë për të mbrojtur dashurinë nga grackat e zakonshme dhe të përditshme, në një betejë, ku luftohet dhe fitohet dita-ditës.

John Wyndham

“Dita e Trifidëve”

Përktheu: Piro Misha

Botoi: “Linus”

Çmimi: 850 lekë

Kur Bill Maseni zgjohet në shtratin e spitalit, ku është i shtruar që prej një jave, pas një operacioni në sy, mendon se ka humbur shfaqjen e shekullit: një shi fragmentesh të një komete që një natë më parë kishte përshkuar qiellin e Londrës. Njerëzit janë verbuar dhe një grup i vogël njerëzish që përpiqen të organizohen për të mbijetuar dhe do t’u duhet të përballen me trifidët, këto bimë misterioze, që kanë aftësinë të zhvendosen, të cilat duken të vendosura për t’i zhdukur njerëzit nga faqja e dheut. Famën e këtij romani të shkrimtarit anglez John Wyndham, të konsideruar një ndër kryeveprat e të ashtuquajturës letërsi pas-apokaliptike, ia kanë shtuar edhe më tre ekranizimet që i janë bërë, më i fundit, një serial me gjashtë seri, i prodhuar në vitin 2009 nga BBC.

Yllka Filipi

“Dante, Migjeni, Kadare”

Botoi: “Albas”

Çmimi: 1500 lekë

“Dante, Migjeni, Kadare; trekëndëshi infernal universal”, është një përpjekje krahasuese mes letërsisë së tre shkrimtarëve, për të gjetur pikat e takimit dhe ndikimit të letërsisë së dy të parëve me Kadarenë. “Baza e këtij misioni krahasimtar do të nisë nga pikëtakimet e vetëdijshme të Kadaresë me Danten dhe reminishencat instiktive të Migjenit me ferrin dantesk. Kadare pohon tundimin nga Hadesi, ndërsa vepra e Migjenit konstaton ferrin shqiptar të viteve ’30 e më gjerë. Analogjitë mes botës infernale danteske dhe asaj kadareane janë tashmë një përfundim i konsoliduar nga autori, i cili e konstaton një gjë të tillë”, shkruan Filipi.

Autor te 29 Korrik 2012. Kulturë, Libri. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry