Fqinjët e familjes Gjergji: E gjeti Bashkimi bashkë me vajzën
Alma Gjergji, motra e ministrit të Mbrojtjes, vuante prek kohësh nga depresioni. Komshinjtë e familjes Gjergji, pohojnë se 53-vjeçarja ishte një tip i mbyllur dhe nuk tregonte për problemet familjare. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Valentina S. tregon çastet e fundit të Almës, momentet kur është gjetur, nga bashkëshorti Bashkimi dhe vajza e tyre, e pajetë në dhomën e gjumit. Fqinjët kanë dëgjuar zhurma nga banesa e familjes Gjergji dhe kanë dalë në korridor. Më pas kanë mësuar se Alma ishte vetëvrarë. Sipas Valentiës, ngjarja e së premtes nuk është e rastësishme, megjithëse pohon se nuk ka një shkak. Sipas saj, depresioni shkaktoi këtë tragjedi në familjen Gjergji, e cila nuk kishte asnjë problem financiar, pasi të dy ishin në marrëdhënie pune, njëri pedagog e ajo ekonomiste, ndërsa vajza e vetme e tyre, jetonte në Francë, ku dhe studionte. Sipas fqinjës, Alma ishte mbyllur në dhomë me çelës, kishte marrë çarçafin dhe e kishte lidhur në kornizën e perdeve në dhomën e gjumit. Pas ngjarjes, ka qëndruar rreth 35 minuta deri në momentin që në banesë është futur i shoqi, Bashkimi, i cili, pasi ka kontrolluar në korridor e kuzhinë, ka tentuar të hapë derën e dhomës së gjumit, por ishte e mbyllur me çelës. Ka telefonuar vajzën, që ndodhej me shoqërinë dhe të dy kanë mundur ta hapin derën, kur kanë parë edhe Almën të vetëvarur pranë dritares së dhomës së gjumit.
Si ka qenë marrëdhënia juaj me të?
Alma ishte një njeri i mrekullueshëm, por një tip shumë i mbyllur. Nuk fliste për problemet e saj.
Kishte probleme familjare apo të punës?
Me sa di jo. Nga gjendja ekonomike ishte shumë mirë, bashkëshorti është pedagog, ndërsa vetë ishte ekonomiste. Kanë vetëm një fëmijë, një vajzë, e cila është në shkollë në Francë, ku dhe studion.
Çfarë ndodhi ditën e premte?
Alma ishte vetëm në banesë. Bashkëshorti i saj kishte dalë për të blerë diçka, ndërsa vajza e saj kishte dalë me shoqërinë. Me sa mësuam, Alma qëndroi në banesë dhe nuk doli, deri sa dhe u gjet e pajetë.
Kush e gjeti i pari trupin?
Bashkimi erdhi në shtëpi dhe, pasi hapi derën, thirri emrin e Almës. Ajo nuk iu përgjigj. Kontrolloi në kuzhinë dhe më pas në të gjithë shtëpinë. Dera e dhomës së gjumit nuk hapej. Telefonoi vajzën, e cila erdhi menjëherë në banesë.
Ju ishit e pranishme kur u gjet trupi?
Dëgjuam zëra dhe dolëm në korridor. Zhurma vinte nga banesa e familjes Gjergji. Morëm vesh se Alma ishte vetëvrarë në dhomën e gjumit. Më pas mësuam se ajo kishte lidhur një çarçaf në kornizën e perdeve.
Po më pas?
Tentuam t’i japim ndihmën e parë, por ishte shumë vonë. Alma kishte rreth 35 minuta që ishte vetëvrarë dhe, në momentin që shkuam, kishte ndërruar jetë. Njoftuam policinë dhe ambulancën, të cilat erdhën pas disa minutash.
Thatë që s’kishte probleme ekonomike. Përse e vrau veten?
Ishte një ngjarje jo e rastësishme, megjithëse pa shkak. Ajo kurohej vazhdimisht për depresion. Ka marrë vazhdimisht ilaçe dhe ishte një tip shumë i mbyllur, megjithëse një njeri shumë i mirë.
Vinte shpesh ministri i Mbrojtjes?
E kemi parë disa herë, por Imami, krahas Almës, ka edhe katër motra të tjera.
Vetëvrasja
Alma ishte mbyllur në dhomë me çelës, kishte marrë çarçafin dhe e kishte lidhur në kornizën e perdeve në dhomën e gjumit
Ekonomia
“Gjendja ekonomike ishte shumë mirë, bashkëshorti është pedagog, ndërsa ajo vetë ishte ekonomiste”
Shkaku
“Ishte një ngjarje jo e rastësishme, megjithëse pa shkak. Ajo kurohej vazhdimisht për depresion”
Kurimi
“Ka marrë vazhdimisht ilaçe dhe ishte një tip shumë i mbyllur, megjithëse një njeri shumë i mirë”
Sharrë, Alma përcillet për në banesën e fundit
Për më shumë se një orë, të afërmit, miq dhe kolegë kanë bërë homazhe pranë trupit të pajetë të Alma Gjergjit, motra e ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, e cila u vetëvra dy ditë më parë. Arkëmotri, me trupin e pajetë, u nis nga banesa në afërsi të Librit Universitar për të përshkruar më pas rrugën për në varrezat e Sharrës, në periferi të Tiranës. Në ceremoninë mortore nuk ka munguar familja e Almës, Arben Imami dhe katër motrat e tij, të cilët i kanë dhënë lamtumirën e fundit 53-vjeçares.