Ksera: Shpresojmë që deri në fund të vitit të mos kapërcehet masa 60 mijëNë më pak se një vit, në vendin tonë janë rikthyer me mijëra emigrantë. Shumica e tyre janë në moshë të re dhe kërkojnë të punësohen. Nga statistikat e Ministrisë së Punëve dhe Çështjeve Sociale, numri i emigrantëve të rikthyer në vendin tonë është dyfishuar krahasuar me një vit më parë. Kjo sjell rrezik në tregun shqiptar të punësimit. Llogaritet të jenë rreth 30 mijë të rikthyer në vend nga emigracioni.
Shumica prej tyre, nga Greqia dhe Italia. Numri është dyfishuar, pasi një vit më parë, sipas statistikave të Ministrisë së Punës rezulton të ishin rreth 16 mijë të riatdhesuar. Pjesa më e madhe e tyre kërkojnë të punësohen dhe përveç punësimit, edhe integrimin e fëmijëve në sistemin arsimor shqiptar. Sipas ministrit të Punës, Spiro Ksera, 22 për qind e emigrantëve të kthyer janë punësuar, ndërkohë që 5 për qind e tyre janë përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike. Emigrantët e kthyer, në më të shumtën e rasteve, kanë qenë punëtorë në ndërtim, por nuk përjashtohet një numër i konsiderueshëm edhe të atyre që kanë punësuar si fermerë. Sipas Kserës, situata paraqitet më pak problematike te të punësuarit në sektorin e shërbimeve. “Duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi dyfishim të numrit të emigrantëve të rikthyer. Nëse vitin e kaluar, me të dhënat zyrtare që disponojmë në bashkëpunim me Ministrinë e linjës, por edhe me Ministrinë e Brendshme, të dhënat zyrtare flisnin për rreth 30 mijë të kthyer, shpresojmë që deri në fund të vitit, të mos kapërcehet masa e 60 mijë shtetasve shqiptarë të kthyer”, tha ministri i Punës, Spiro Ksera.
Sipas tij, një numër shumë i madh të kthyerish do të ndikonin negativisht në tregun shqiptar të punës dhe do të krijonin luhatje në këtë treg. “Numri më i madh i emigrantëve që kthehen, natyrisht kërkojnë të punësohen, por një pjesë shumë e madhe e tyre, 22 për qind, janë integruar në projektet e formimit profesional dhe riformimit. 5 për qind i janë drejtuar skemës së ndihmës ekonomike, kurse pjesa tjetër projekteve të bujqësisë dhe informacionit për fëmijët e tyre në programet e Ministrisë së Arsimit”, tha Ksera. Sipas ligjit shqiptar, ndihma ekonomike që përfitojnë familjet e kthyera të emigrantëve është 8 mijë lekë të reja në muaj.
Në fillim të vitit të kaluar shkollor, 2011-2012, mësohet se numri i fëmijëve të emigrantëve të rikthyer është 264 në shkollat publike të kryeqytetit.