Një front me lista të ndara. Një grupim drejtohet nga Rama, tjetri nga Topi


Përbërja e koalicioneve në 2009-n


Mazhoranca: Koalicioni nën drejtimin e PD-së përbëhej gjithsej nga 16 parti politike. PD-ja, vetë mori 610.463 vota, ndërsa 102.282 vota i morën aleatët e saj


Opozita: Koalicioni nën drejtimin e PS-së kishte gjithsej 5 parti politike. PS-ja vetë mori 620.586 vota, ndërsa aleatët morën 68.162 vota


Rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2009


E majta – 45.34%: Ky ishte rezultati në përqindje i koalicionit “Bashkimi për Ndryshim” nën siglën e PS-së, ndërkohë që në numër të përgjithshëm arriti të marrë 688.748 vota.


E djathta – 46,92%: Ky ishte rezultati në përqindje i koalicionit “Aleanca e Ndryshimit” nën drejtimin e PD-së, ndërsa numri i përgjithshëm i votave të marra ishte 712.745


Ylli Pata – Opozita pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013 si një front antiqeveritar dhe me dy pole elektorale që do të paraqiten para zgjedhësve. Burime në selinë rozë bëjnë të ditur se, edhe pse është herët për të vënë piketat e strategjisë elektorale, gjasat e një rreshtimi elektoral në zgjedhjet parlamentare është që opozita të garojë me dy koalicione të ndara; aleanca e majtë, nën drejtimin e Partisë Socialiste dhe koalicioni i qendrës së djathtë, që do të ketë në përbërje Frymën e re Demokratike dhe Aleancën Kuqezi, por edhe disa grupime të së djathtës, ku ka gjasa që të jenë demokristianët e bashkuar me Ndokën e Lesin, por edhe disa grupime nacionaliste të tjera si Partia Konservatore apo edhe shoqata e ish të përndjekurve, si dhe ajo e ish-pronarëve. Nga ana e saj, Partia Socialiste, siç deklaroi vetë kryetari i saj, Edi Rama, do të krijojë një koalicion më të madh se në vitin 2009, me qendër graviteti, programin e së majtës shqiptare që ka dy shtylla: taksimin progresiv dhe mbështetjen e shtetit ndaj shtresave në nevojë dhe biznesit të mesëm e të vogël. Por ajo që mund të lidhë dy koalicionet në një grupim opozitar, do të jetë “kujdestaria” e PS-së për të gjitha forcat opozitare në administratën zgjedhore, ku vetëm PS-ja dhe PBDNJ-ja mund të arrijnë të sigurojnë pjesëmarrjen në Komisionet Zonale, Grupet e Numërimit dhe natyrisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Do të bëhet pikërisht ajo që ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2009, ku Partia Demokratike, edhe pse ishte kundërshtare publike me Lëvizjen Socialiste për Integrim, pati një bashkëpunim në komisionet zgjedhore, kryesisht në zonat ku LSI-ja e shikonte veten më të rrezikuar nga komisionerët e Partisë Socialiste. Ndërkaq, nga ana tjetër, në aspektin elektoral pritet të ketë një garë të vërtetë dhe përqendrim liderësh. Në qarkun e Tiranës, për shembull, pritet që të kandidojnë Edi Rama, si kreu i listës së PS-së, si dhe Bamir Topi e Kreshnik Spahiu për koalicionin opozitar të së djathtës. Ky grupim pritet të shtojë edhe më shumë pjesëmarrjen në votime, duke bërë që të rritet mundësia e shtimit të votimit për grupimin opozitar. Gjithashtu, në kryeqytet pritet të kandidojnë edhe figura të tjera, si Ngjela apo ndonjë drejtues tjetër i koalicionit. Burime në PS, theksojnë se ky model i një opozite të diversifikuar mund të shtojë votat nga të dy palët, duke sjellë si shembull zgjedhjet e fundit në Greqi, ku si Demokracia e Re, si Siriza arritën të triumfonin mbi partinë në qeveri PASOK, duke sjellë si rezultat rrudhjen dramatike të Lëvizjes Socialiste Panhelenike të Evangelos Venizellos. Në fakt, edhe në Shqipëri ekziston një shembull i tillë i diversifikimit të faktorit opozitar, që mbodhi shumicën e votave në vitin 1994 për të rrezuar projektin e Kushtetutës, të mbështetur nga Presidenti i atëhershëm Sali Berisha. Pra, edhe pse nuk pati një koalicion elektoral të përbashkët, u arrit maksimalizimi i votës. Këtë e deklaroi para pak kohësh, në një intervistë për “Shqip”, sekretari socialist për koalicionet, Ndre Legisi.


Liderët: Në qarkun e Tiranës pritet që të garojnë si kandidatë për deputetë disa nga liderët kryesorë të opozitës, si: Edi Rama, Bamir Topi, Kreshnik Spahiu, por edhe drejtues të tjerë të dy grupimeve opozitare


Opozita


E majta: Në zgjedhjet e vitit 2009 u paraqitën të ndara dy koalicione të së majtës, njëra nën drejtimin e PS-së dhe tjetra nën drejtimin e LSI. Nëse mblidhen votat, të majtët morën së bashku 773.155


PSD dhe PBDNJ: Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit arriti të marrë 26.700 vota, por nuk arriti të fusë asnjë deputet në Kuvend. PBDNJ-ja e Dules, arriti të marrë 18.078, por mori 1 deputet


Qendra: Në zgjedhjet e 2009-s konkurroi dhe një koalicion i qendrës, nën drejtimin e PDK-së, e cila, si rezultat të përgjithshëm, arriti të marrë 27.655 vota në 12 qarqet e vendit që përbëjnë 1,82%


Spahiu: Asnjë koalicion me PS-në,mRama-Berisha, bashkë në opozitë


Korçë –  Kreu i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu nga një takim me banorët e zonës së Gores në Korçë, ka deklaruar se ai nuk do të bëjë aleancë me PS-në në zgjedhjet e vitit 2013-të. Spahiu është shprehur se, do lërë në opozitë Ramën dhe bashkë me të do të nxjerrë edhe Berishën. Ky ishte reagimi i tij ndaj deklaratave të Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për mundësinë e bashkëpunimit dhe përfshirjes në të njëjtin koalicion të AK me FRD-në dhe PS-në. “Deklarata e Edi Ramës është bërë në kushtet e drithërimave që kanë kapur socialistët dhe demokratët nga mbështetja popullore që po fiton çdo ditë Aleanca KuqeZi. Ne refuzojmë çdo lloj koalicioni të mundshëm dhe nuk pranojmë në gjirin tonë as PD-në dhe as PS-në. Rama dhe Berisha në panik kanë formalizuar modelin politik grek si PASOK dhe Demokracia e Re, duke i hapur dyert njëri-tjetrit për një koalicion në zgjedhjet e ardhshme. Aleanca KuqeZi do të jetë lokomotiva nacionaliste e koalicionit të lëvizjeve patriotike në zgjedhjet e ardhshme”.


Më tej Spahiu deklaroi se lufta politike dhe gara elektorale në zgjedhjet e përgjithshme politike të vitit 2013 do të sjellin rezultatin e fitores së kuqezinjve, duke nxjerrë Sali Berishën në pension dhe duke lënë në opozitë Edi Ramën për katër vite të tjera.


FRD: PD-ja dhe PS-ja, bashkëfajtore për Kodin Zgjedhor


Edhe Fryma e Re Demokratike iu përgjigj deklaratave të kryetarit të PS-së Edi Rama për mundësinë e një koalicioni mes FRD-së e socialistëve në zgjedhjet e ardhshme. FRD nënvizon se nuk do pranojë koalicion as me Ramën e as me Berishën, por vetëm me qytetarët shqiptarë. “Fryma e Re Demokratike deklaron se, si një forcë e re politike do të punojë për konsolidimin e saj dhe shndërrimin në një faktor të rëndësishëm në skenën politike shqiptare. Fryma e Re Demokratike deklaron se koalicioni i saj do të jetë vetëm me qytetarët shqiptarë, në funksion të ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe realizimin e aspiratës së shqiptarëve për të qenë pjesë e denjë e bashkësisë së madhe europiane. Në këtë qëllim të madh FRD-ja nuk do të bëjë asnjë koalicion me zotin Berisha dhe me zotin Rama. Është e qartë për cilindo, se praktikisht ka një koalicion PD-PS, koalicion që arnoi kodin elektoral, duke mos respektuar as parimet kushtetuese, as vullnetin e forcave politike.” – bëri të ditur Fryma e Re Demokratike. Ndërkaq, kryetari i komisionit nismëtar të kësaj partie, Gazmend Oketa, deklaroi dje se ende nuk është takuar me ish-presidentin Topi për të biseduar në lidhje me hyrjen e tij në FRD. Darkën e 24 korrikut, Oketa e quajti më shumë miqësore se sa politike, ndërkohë që detajet e lëvizjeve politike ia ka lënë periudhës së vjeshtës.