Durrës – Denoncimi i dhunës në familje njeh rritje vit pas viti në Durrës. Mbi 130 raste të dhunës familjare janë raportuar në Policinë e Durrësit gjatë këtij viti. Për 115 prej tyre janë nisur kërkesë paditë për Lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes së Menjëhershme dhe 8 raste janë vepra penale. Shumica e rasteve të denoncuara janë në qytetin e Durrësit dhe më pas është Shijaku dhe rrethinat e tij, ndërsa në Krujë denoncimet janë më të pakta. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së qarkut Durrës bënë të ditur se, krahasuar me një vit më parë, denoncimet e viktimave të dhunës kanë pësuar rritje. Ndërkaq, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në sallën e shërbimit operativ policor kanë mbërritur 182 telefonata që denonconin raste të tjera të dhunës në familje, jo vetëm për të raportuar, por edhe për të kërkuar ndihmën e shërbimit policor.