Pushime nën shi për kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila ka përzgjedhur klimën malore italiane për të pushuar dhe për t’u shkëputur nga puna e saj e përditshme dhe shumë stresuese, sidomos pas problemeve të shumta në eurozonë.
Kancelarja shoqërohej si gjithmonë nga bashkëshorti i saj, Joachim Sauer, por edhe nga një numër i madh truprojash për ruajtjen e sigurisë së saj fizike, të cilët kanë ardhur bashkë me të nga Gjermania. Merkel ka zgjedhur zonën malore në Solda, Bolzano për të kaluar disa ditë relaksuese.
Mëngjesin e sotëm Merkel ka ngrënë mëngjesin në vilën ku po pushon, në zonën e lartë malore e veshur me rroba sportive, me këmishë me kuadrate të kuqe e të bardha dhe me pantallona ngjyrë bezhë. Ajo është fotografuar në ballkonin e hotelit ku po qëndron, për të shijuar pamjen mahnitëse që i dhuron ambienti malor në të cilin ndodhet. Për fat të keq, koha nuk ka premtuar shumë dhe shiu që ka rënë pa pushim gjatë gjithë kohës ka bërë që kancelarja të heqë dorë nga ekskursionet në mal, aq shumë të preferuara nga ana e saj.
29 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)