Mediat botërore i bëjnë jehonë madhështisë së ceremonisë së hapjes
Lojërat Olimpike janë një eveniment madhështor dhe këtë e konfirmojnë numrat. Pas ceremonisë hapëse mbresëlënëse, shifrat e “Londër 2012” janë të jashtëzakonshme. Kjo është hera e tretë që kryeqyteti anglez organizon Olimpiadën, pas viteve 1908 dhe 1948, duke u bërë qyteti i parë ku zhvillohen tri herë Lojërat Olimpike moderne. Një vepër arti. Kështu e cilësoi shtypi botëror ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Londër 2012. “Një ceremoni e gëzueshme dhe e çuditshme dhe mbi gjithçka kujton përpjekjen e britanikëve për t’ju prezantuar botës, por edhe vetes, lexohej dje te ‘New York Times’. Një komb shkruan i sigurt për identitetin post-perandorak, cilido qoftë ai tani”. “The Washington Post” nënvizon se nëse “ceremonia e hapjes së Lojërave të Londrës ndonjëherë dukej si shakaja më e madhe në botë, mesazhi nga Britania kumboi i fortë dhe i qartë: ‘Ne nuk do të jemi gjithmonë filxhani juaj i çajit, por megjithatë ju, kulturën tonë, sa më shumë e njihni, aq më shumë e dashuroni’”. Për “The Sidney Morning Herald” ishte një fillim i paharrueshëm. “Shfaqja e regjisorit Deni Bojli, kaq e gjallë dhe vibruese, përcaktoi tonin e këtyre lojërave, ndoshta edhe drejtimin e ri të Lëvizjes Olimpike. Rio ka një detyrë të vështirë”. “The Times India” e përshkroi thjesht magjepsëse ceremoninë. “Londra prezantoi një pamje drithëruese të trashëgimisë së pasur dhe kulturës së Britanisë së Madhe”. Për “China Daily” ishte një spektakël kaleidoskopik: “Mbretëresha Elizabetë shpalli hapjen e Lojërave Olimpike në Londër, pas një roli të shkurtër në ceremoninë marramendëse, që përcaktoi madhështinë e një kombi që shpiku sportin modern”. Gazetat britanike përshëndetën regjisorin Deni Bojli, që krijoi një spektakël sa aventuresk, aq vetëbesues, sa lozonjar, aq argëtues dhe gjithçka mbi boshtin historik. Për
“Telegrapf”, mbrëmja e 27 korrikut të linte pa frymë, ishte e mrekullueshme, pak e krisur, por plotësisht britanike. Historiani Tim Stenli tha se ceremonia rrëfeu shumë pjesë nga historia e Britanisë së Madhe. “Spektakli ishte aq kompleks apo konfuz, sa dhe identiteti britanik, tha ai. Por ishte gjithashtu spektakolar, i bukur, argëtues”. “The Guardian” përmend si kulmor episodin kur agjenti 007, Xhejms Bond, merr Mbretëreshën Elizabeta. “Daily Mail” i mëshon ndezjes së flakës olimpike dhe “The Sun” krenarisë që Deni Bojli u dhuroi të gjithë britanikëve por dhe botës. Për sa u përket shifrave të Londër 2012, vendet pjesëmarrëse në këtë eveniment sportiv janë 205, nga ku 10.500 atletë konkurrojnë në 26 sporte të ndryshme në Olimpiadë dhe 42000 sportistë që konkurrojnë në 16 sporte në Lojërat Paraolimpike. Disiplinat sportive ku do të garohet gjatë 17 ditëve të Lojërave Olimpike janë 302, ndërsa 503 gara do të zhvillohen në harkun e 11 ditëve në Lojërat Paraolimpike. Të gjitha në 36 impiante sportive të miratuara për evenimentin. Në hapësirën deri në 50 kilometra distancë nga Parku Olimpik janë të disponueshme 135 mijë dhoma hotelesh. Në Fshatin Olimpik ka 17 mijë e 320 krevate për atletët, ndërsa çdo apartament ka televizor, lidhje me internetin dhe një kopsht privat. Në mensën e sportistëve mund të qëndrojnë në të njëjtën kohë 5500 atletë. Në total, për Londër 2012, janë bërë 200 mijë akreditime, ndërsa në shitje kanë qenë 9,6 milionë bileta për Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike, ku kostoja e 75 për qind prej tyre ka qenë nën 60 euro dhe përfshin edhe transportin falas. Gjatë Lojërave, Londra ka 13 për qind turistë më shumë se gjatë verës së kaluar, janë ndërtuar 10 kilometra rrugë, ndërsa parashikohet që mesatarisht të ketë 12 milionë njerëz në ditë që udhëtojnë ose ndryshojnë destinacione. Në Olimpiadën e Londrës, që ka kushtuar rreth 18 miliardë euro, 688 milionë euro janë shpenzuar vetëm për sigurinë. Ushtria, marina, policia dhe agjentë privatë janë angazhuar për mbarëvajtjen e aktivitetit. Të pranishëm në Londër janë edhe 1 mijë agjentë të FBI-së, ndërsa 600 mijë euro janë shpenzuar vetëm për të rritur numrin e telekamerave të fshehura.
“New York Times”
“Një ceremoni e gëzueshme dhe e çuditshme dhe mbi gjithçka të kujton përpjekjen e britanikëve për t’ju prezantuar botës, por edhe vetes, lexohej dje te ‘New York Times’. Një komb shkruan i sigurt për identitetin post-perandorak, cilido qoftë ai tani”