Majlinda Kelmendi duke festuar fitoren ne nje ndeshje


Sportistja e talentuar ndeshet në raundin e parë me finlandezen Sundberg


Pas një rruge të gjatë dhe të mundimshme, Majlinda Kelmendi sot do të zbresë në tapetin e Lojërave Olimpike Londër 2012 për t’u përballur me sfidën e saj të parë në këtë Olimpiadë. Xhudistja e njohur shqiptare nga Peja e Kosovës do të duhet të përballet me finlandezen Jaana Sundberg në turin e 1/16-ve. Pikërisht sot do të nisin të vihen në provë objektivat e para të ekipit olimpik shqiptar, nëpërmjet xhudistes së talentuar 21-vjeçare, e cila konkurron në kategorinë e peshës 52 kg. Majlinda jeton në Pejë ku ndjek studimet në Fakultetin Ekonomik në vitin e dytë dhe njëkohësisht zhvillon stërvitje e ndjekur nga trajneri i saj Driton Kuka. Majlinda është një nga sportistet e cila ka praktikuar stërvitjen dhe nëpër qendra të tjera stërvitore, si në Zvicër dhe Slloveni, çdo herë para aktiviteteve të rëndësishme kualifikuese për Olimpiadë. Aktualisht Majlinda është klasifikuar sipas listës së Federatës Ndërkombëtare të Xhudos në vendin e pestë. Ndërkohë që në karrierën e saj numëron shumë trofe të fituar: Abu Dhabi (çmimi Grand Prix); Botërori i Minskut (medalje e artë); Botërori i Romës (medalje e artë); Botërori i Lisbonës (vendi i 15, pesha 52 kg); Çmimi i Madh i Dyseldorfit (medalje argjendi); Botërori i të Rinjve Paris 2009 (medalje e artë), Botërori i të Rinjve 2010 (vendi i pestë); Botërori i të Rinjve Tokio 2010 (vendi i nëntë). Xhudistja kosovare Kelmendi, edhe pse arriti normën olimpike, nuk iu lejua që të përfaqësojë shtetin e Kosovës, pasi Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ende nuk është i pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Për sa i përket sfidës së sotme, Majlinda shihet si favorite për të kaluar në turin e 1/8-ve përballë finlandezes Jaana Sundberg, duel i cili do të zhvillohet në orën 09:30. Majlinda Kelmendi theksoi se drejt Londrës ka udhëtuar aq shumë e përgatitur si asnjëherë më parë. “Pas dy vite përgatitjesh e garash derisa e arrita normën olimpike, tani ka ardhur momenti final, Olimpiada. Por, dua t’ju siguroj se jam e përgatitur si kurrë më parë. Unë ju premtoj se do të jap maksimumin për t’ju përfaqësuar sa më denjësisht. Mendoj se medalja e artë është një fjalë që peshon shumë, por jam këtu për medalje, sepse kam punuar shumë. Kam sakrifikuar shumë, jo vetëm unë, por trajnerët tanë”, deklaroi Kelmendi. Ajo pohoi se në ‘Londër 2012’ nuk i frikësohet asnjë konkurrenteje. “Jemi 23 garuese. Fakti që të gjitha jemi kualifikuar tregon se kemi kualitete afërsisht të njëjta. Por, unë vetëm dy-tri garuese i konsideroj si më të vështirat. Mirëpo, në kësi garash, të nevojitet edhe fati”, tha sportistja, që së bashku me Romela Begajn konsiderohet si shpresa më e mirë e ekipit tonë olimpik për të fituar një medalje në Londër 2012. Dje u hodh edhe shorti në peshën 52 kg. Finlandezja Jaana Sundberg për momentin klasifikohet në vendin e 21-të në botë. Nga ana e tij, trajneri i xhudistes, Driton Kuka, pohon formën e mirë të sportistes së tij dhe beson tek arritja e rezultateve gjatë ditës së sotme. 21- vjeçarja është njëra prej xhudisteve më të mira në botë. “Kosova dhe Shqipëria janë motive shtesë për Majlindën, që të arrijmë rezultate të mira në Londër”, theksoi Kuka, i cili zbuloi edhe një anë të karakterit të vajzës së hekurt. “Ajo ndoshta duket e qetë realisht, por është shumë agresive në garë. Dhe është shumë e mirë. Prandaj nuk mendoj se kundërshtaret do të dëshironin të luftonin me të”, përfundoi trajneri Drilon Kuka. Gjithsesi do të duhet të presim garën e sotme, duke shpresuar se më në fund, pas 40 vitesh pjesëmarrje në Olimpiada, Shqipëria do të mund të marrë medaljen e parë në historinë e saj.


Jaana Sundberg, kundershtarja e Majlinda Kelmendit


Pretendimet


Majlinda Kelmendi në xhudo dhe Romela Begaj në peshëngritje konsiderohen si shpresat kryesore të ekipit tonë olimpik për të fituar një medalje në Londër 2012


Medalja


“Mendoj se medalja e artë është një fjalë që peshon shumë, por jam këtu për medalje, sepse kam punuar shumë. Kam sakrifikuar shumë, jo vetëm unë, por trajnerët tanë”


Kundërshtari


Në raundin e parë, atë të 1/16-ave në peshën 52 kg në xhudo, Majlinda do të ketë përballë finlandezen Jaana Sundberg, që klasifikohet e 21-ta në renditjen botërore


Kelmendi


Majlinda Kelmendi klasifikohet e 4-a në renditjen botërore në peshën 52 kg në xhudo. Për këtë arsye, në sfidën e sotme ndaj finlandezes Jaana Sundberg, xhudistja e talentuar nga Kosova shihet si favorite për të kaluar në turin tjetër, atë të 1/8-ave