Extra Reportazh Dritëhijet e Piktorit të Popullit, Vangjush Mio

Dritëhijet e Piktorit të Popullit, Vangjush Mio

2303
SHPËRNDAJE

Reportazh

Historia e piktorit klasik më të lakmuar në Shqipëri. Vjedhja e vitit 1994 dhe ajo e sotmja

Gëzim Ashimi

Aktiviteti kryesor i arteve figurative në Korçë, prej disa vitesh organizohet në nderim të peizazhistit më të mirë shqiptar dhe quhet “Ditët e Mios”. Pallati i Kulturës së qytetit, mban gjithashtu emrin

“Vangjush Mio”. Një rrugë në Korcë, ka emrin e këtij artisti të madh. Fondi i veprave që ai ka lënë, është nga ata që shtëpia e tij muze të jetë një nga qendrat më të vizitueshme, e ndërkaq, sa herë që artistët e penelit organizojnë aktivitetet e tyre në Korçë, do të shfaqet madhështia e Mios. Këto dhe shumë të tjera, janë ajo ana me dritë për veprën e Piktorit të Popullit, Vangjush Mio. Një nga goditjet e rënda që mori vepra e tij, ishte vjedhja e një sërë pikturash nga ambientet e banesës së tij muze, në vitin 1994. Ngjarja atëherë u konsiderua si një skandal, por askujt nuk iu vu një emër autori dhe nuk u mor vesh kurrë se ku përfunduan pikturat e vjedhura. Vetëm se pati një reagim të tillë pozitiv sa shtëpia muze e Vangjush Mios që ndodhet në zemër të qytetit të Korçës, të ruhej me sistem alarmi dhe të merreshin masa për të mbrojtur pikturat e tjera që mbahen në banesën e tij karakteristike.

 

Denoncimi i skandalit

Nën emrin e Piktorit të Popullit, dhe pavarësisht aktiviteteve zhurmëmëdha të ditëve të Mios, akoma nuk dihet se si janë zhdukur pikturat e tij që kishte si fond galeria e artit “Guri Madhi”. U desh largimi nga puna dhe funksioni si përgjegjës i galerisë i piktorit Sotiraq Xega, që ai të shprehej për zbrazëtinë e krijuar në bodrumet e kësaj galerie ku nuk ruhen vetëm piktura, por edhe skulptura e qeramikë, veshje e kostume popullore e vegla muzikore prej vitesh e vitesh. Zëra të shumtë kanë qarkulluar për humbjen e këtyre vlerave, kryesisht të veshjeve e kostumeve popullore, por që të shpërthente skandali duhej një emër i madh si ai i Vangjush Mios. Dhe piktori drenovar, Sotiraq Xega, ai që disa vite më parë ka ngritur zërin për zbulimin e eshtrave të Asdrenit, dhe dëmtimit të bustit të tij të ngritur në vendlindje, sërish ka goditur me një denoncim të rëndë; atë të vjedhjes së pikturave të Mios nga ambientet e brendshme të Pallatit të Kulturës në Korçë. Edhe vetë Xega, ai që ka pasur iniciativën e këtij denoncimi, është vënë nën hetim dhe po mbahet në gjendje arresti shtëpiak me akuzën shpërdorim detyre për sa kohë që ka qenë përgjegjës për fondin e galerisë. Si policia, ashtu edhe organi i prokurorisë, ende nuk janë në gjendje të saktësojnë kohën apo periudhën kur janë vjedhur pikturat e Mios. E sigurt është se një pjesë e mirë e tyre, nga afro 60 që ka pasur si fond kjo galeri, kanë firaksur dhe nuk kanë lënë asnjë gjurmë ashtu si kostumet popullore, vegla të muzikës, e pasuri tjetër që ka trashëguar Pallati i Kulturës në Korçë që para viteve ’90-të. Një tjetër person përgjegjës, edhe për shkak të funksionit të tij, është marrë drejtori i Pallatit të Kulturës në Korçë ku përfshihet galeria e artit “Guri Madhi”. Për Vladimir Topin, drejtorin e këtij pallati kulture, pas vendimit të gjykatës që e la në masën e sigurisë arrest shtëpie, ka ardhur edhe vendimi i bashkisë që e pezullon nga detyra deri në përfundim të hetimeve. Është thënë se do të kryhet një kontroll dhe inventarizim i imtësishëm në fondin e galerisë së Pallatit të Kulturës në Korçë, për të evidentuar atje se sa dhe çfarë vjedhjesh janë kryer ndër vite, vjedhje këto që kanë lënë thuajse të zbrazët bodrumet e këtij pallati ku ishin të grumbulluara thuajse të gjitha vlerat historike dhe kulturore të muzeve të Korçës.

Aktiviteti i arteve figurative “Vangjush Mio” për këtë vit do të jetë ndryshe. Sepse nuk do të këtë thjesht një tubim piktorësh në “Ditët e Mios”, por vështirë se do të shuhet shpejt jehona e vjedhjes të veprave të Piktorit të Popullit dhe peizazhistit më të mirë shqiptar. Më e dëshpëruara për humbjen e pikturave që janë mbajtur në ruajtje në bodrumet e galerisë së artit “Guri Madhi” është vajza e Mios, Rozeta, e cila e konsideron si goditjen më të rëndë morale zhdukjen e veprave të babait të saj nga një institucion. Para dy dekadash, nga shtëpia- muze e Vangjush Mios u vodhën jo pak piktura të çmuara, dhe kjo vjedhje ka mbetur pa nam e nishan sa u përket autorëve dhe destinacionit të pikturave të vjedhura. Tashmë vjedhja e dytë ka të paktën një adresë; atë të Pallatit të Kulturës që si për ironi mban pikërisht emrin e piktorit të shquar korçar. Drejtori i këtij pallati kulture është vënë në gjendje arresti shtëpiak si përgjegjës për atë vjedhje të pikturave të Mios që kanë qëndruar prej vitesh në ambientet e poshtme të kësaj galerie. Së bashku me të, edhe ish-përgjegjësi i galerisë së artit, piktori Sotiraq Xega që denoncoi vjedhjen e pikturave të Mios, ndodhet në gjendje arresti shtëpiak. Të dy akuzohen për shpërdorim detyre, por koha se kur mund të jetë kryer ky shpërdorim që krijon një gropë të madhe në fondin e pikturave të Vangjush Mios as nuk qartësohet nga hetimet e deritanishme, dhe si në rastin e vjedhjes së pikturave para 18 viteve ky skandal mund të mbetet pa autor.

 

Rozeta Mio: Goditje morale vjedhja e pikturave të babait tim

Një goditje të rëndë shpirtërore dhe morale e konsideron vjedhjen e veprave të babait të saj, Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, nga ambientet e Pallatit të Kulturës në Korçë, vajza e tij, Rozeta Mio. Është e vetmja trashëgimtare e emrit dhe veprës që ka lënë artisti figurativ që vlerësohet si peizazhisti më i mirë i të gjitha kohërave në Shqipëri. “Jam shumë e goditur moralisht nga vjedhja e pikturave të babait tim. Ka ndodhur një vjedhje e mëparshme në vitin 1994, të më shumë se një duzine pikturash në shtëpinë tonë që është shpallur edhe muze, por kjo vjedhja e dytë më ka tronditur shumë”. Rozeta Mio shfaq një dëshpërim të ligjshëm teksa jep ato përgjigje të shkurtra për skandalin e vjedhjes së pikturave të babait të saj nga bodrumet e galerisë dhe Pallatit të Kulturës që mban emrin “Vangjush Mio”. E përlotur, dhe në një moshë të thyer tani që jeton e vetme, ajo nuk mund ta fshehë se me këtë vjedhje njolloset rëndë emri, vepra dhe figura e një prej artistëve më në zë të Korçës. Por, me atë dëshmi të pakët që jep, Rozeta Mio tregon se vjedhja e pikturave mund të jetë kryer për disa vite në vazhdimësi. “Fondi prej afro 60 pikturash që mbahej në Pallatin e Kulturës në Korçë, është blerë nga ana e shtetit që para viteve ’90-të siç ishte rregulli dhe shiteshin punimet e krijuesve atëherë. Di që nga ky fond, herë pas here janë ekspozuar piktura të babait tim. Duke ditur se ekziston ky fond, një vit më parë unë i kam kërkuar kryetarit të bashkisë që të hapej një ekspozitë sa më e plotë me veprat e babait tim, meqenëse prej vitesh këtu në Korçë organizohet edhe aktiviteti më i rëndësishëm i arteve figurative që quhet ‘Ditët e Mios’”, tregon vajza e piktorit. Arsyen se përse nuk u arrit të çelej kjo ekspozitë me veprat e Mios që janë mbajtur si trashëgimi shtetërore në ambientet e Pallatit të Kulturës që mban edhe emrin e tij, Rozeta Mio nuk është në gjendje ta sqarojë. Sidoqoftë, ajo është ndier e nderuar për babanë e saj sa herë që në fund viti organizohej konkursi mbarëkombëtar “Ditët e Mios”, edhe pse nuk dihej apo nuk kishte dalë zë se çfarë ndodhte në katin më poshtë sallës së ekspozitave, në bodrumet e këtij pallati kulture nga ku rezultojnë të vjedhura vepra të Piktorit të Popullit. “Le të merret shteti me këtë punë tani dhe të gjejë autorët e vjedhjes”, thotë Rozeta Mio, të cilës sikur i është trazuar ajo plagë që kishte zënë kore nga vjedhja e parë e pikturave në vitin 1994.