Shtypi anglez
Gazeta “The Guardian” inkurajon Majlindën
Majlinda Kelmendi, nuk e fshehu dëshpërimin pas eliminimit nga Kristian Lezhentil në turin e 1/16-ave. Ajo ishte e demoralizuar dhe u duk qartë se nga dëshira e madhe për të fituar papritur u gjend në pozitën më të vështirë që mund të ndodhet gjatë një gare. Megjithatë, gazeta e njohur angleze, ishte e vetmja që i ka kushtuar vëmendje pas humbjes xhudistes kosovare në një shkrim të botuar dje me titullin: “Majlinda Kelmendi lufton ende për njohjen e Kosovës:, ku citon peripecitë që ka kaluar sportistja për të shkuar deri në Londër 2012. Gazetari i saj, Jamie Jackson, iu afrua sportistes së Shqipërisë dhe tentoi të flasë me të menjëherë pas eliminimit, “por ishte e pamundur për të folur. Megjithatë, mbështetja për Kelmendin ishte e dukshme, dhe pas humbjes së saj ndaj Lezhentil, vetëm “Guardian” nga mediat e gjithë botë ka kërkuar për të folur me të. Lufta për njohjen vazhdon”, shkruante gazetari Jackson.
Mbështetja
“Mbështetja për Kelmendin ishte e dukshme, dhe pas humbjes së saj ndaj Lezhentil, vetëm “Guardian” nga mediat e gjithë botë ka kërkuar për të folur me të. Lufta për njohjen vazhdon”
Peshëngritje
Ëndrra, sot mbi shpatullat e Romela Begajt
Pas dështimit të Majlinda Kelmendit, sot në mesditë është radha e peshëngritëses Romela Begaj për të garuar. Ajo shihet si pretendente për të kapur zonën e medaljeve. Ndërkohë, në dy ditët e para të kësaj olimpiade kanë debutuar pa sukses edhe sportistë të tjerë shqiptarë, notarja Noel Borshi në garën e 10 metrave stil flutur (e 40-ta nga 42 notare) dhe qitësi Arben Kuçana, i cili garoi në pistoletë me ajër 10 metra, u rendit i 20-ti. Shpresa tjetër kuqezi për medalje është peshëngritësja Romela Begaj, e cila do të garojë nesër në peshën deri 58 kg. Në Olimpiadën e Pekinit, 4 vjet më parë, Begaj zuri vendin e 6-të, duke qenë e dyta sportiste më e mirë shqiptare në historinë e Lojërave Olimpike. Ndërkohë, në këto lojëra olimpike Begaj shkon si nënkampione e Europës, por me bindjen se titullin e kampionit të Kontinentit ia mohuan për një faull të dhënë padrejtësisht nga gjyqtarët.
Nënkampionia e Europës
Në Londër 2012, Begaj si nënkampione e Europës, por me bindjen se titullin e kampionit të kontinentit ia mohuan për një faull të dhënë padrejtësisht nga gjyqtarët.
Sportistja kosovare, pas fitores ndaj Sundberg, ishte favorite, por dështoi nga pakujdesia në tentativë për ta mbyllur ndeshjen
U eliminua në 1/16-at nga 20-vjeçarja pa shumë eksperiencë Lezhentil
Altin Manallari
Njëra nga shpresat e mëdha të Shqipërisë për të prekur një medalje në Lojërat Olimpike të Londrës 2012, u shua, duke lënë pas një zhgënjim kolosal jo vetëm te sportistja kosovare, por edhe të të gjithë shqiptarët që i kishin kthyer sytë nga ajo. Xhudistja shqiptare nga Kosova, Majlinda Kelmendi, e cilësuar si pretendente për zonën e medaljeve, nuk mundi dot të kalojë kundërshtaren nga Mauritius, Kristian Lezhentil.
Duke respektuar sportistët e tjerë shqiptarë që do të konkurrojnë ditët në vijim, duhet të themi që mund të fitojmë sërish medalje në Lojërat Olimpike, por shpresa e madhe ishte Majlinda Kelmendi në xhudo. Xhudistja 21-vjeçare, fitoi një ndeshje dhe humbi një tjetër, duke e mbyllur konkurrimin e saj në Londër 2012 vetëm me arritjen mes 16 më të mirave. Sportistja shqiptare nga Kosova që garoi me flamurin kuqezi u eliminua në fazën 1/16 për peshën 52 kg nga një rivale jo me shumë eksperiencë mbi supe, Lezhentil, vetëm 20 vjeç. Ishte një konkurrim me ditë dhe me hije, ndërsa ëndrra nuk u arrit të realizohej as këtë herë. Sportistja nga Kosova fitoi ndeshjen e parë duke thyer finlandezen Sundberg. Ajo nuk pati asnjë problem ndaj sportistes finlandeze, duke u kualifikuar për në 16 më të mirat e olimpiadës, duke kryesuar gjatë gjithë ndeshjes, duke e mbyllur atë 5 sekonda para kohës së rregullt, në 4 minuta e 55 sekonda. Kelmendi fitoi me dy Uazari, që bëjnë një Ipon (ndryshe tuç që vlerësohet me 100 pikë), ndërsa rivalja e saj mori vetëm një Juko. Në fazën tjetër përballë kishte rivalen 20-vjeçare, Lezhentil ndërsa e nisi shumë mirë duelin duke i marrë 10 pikë me një Uazari, ndërsa me penallti ishin barazim 1-1. Majlinda, e cila ishte e favorizuar për të fituar ballafaqimin e dytë, e filloi shumë mirë atë. Ajo nga fillimi dha shpresa për një kalim në çerekfinale, por pësoi nga pakujdesia, e cila në sportin e xhudos kushton shumë. Majlinda garës i hyri me një motivim të paparë dhe me agresivitet, që u vërejt që në fillim. Megjithatë, këshilla e trajnerit, Driton Kuka u duk se vlejti vetëm sa për fillim të këtij dueli. Arma e saj është qëndrueshmëria duke pritur kundërshtarin për të sulmuar më pas me dorën e majtë, që është edhe arma e fortë e saj. Por pasi morën nga një vërejtje për pasivitet, Majlinda u hodh në sulm. Në tentim për të bërë Ipon dhe për të mbyllur duelin, Majlinda arriti që të bëjë vetëm Uazari, që ia siguroi asaj 10 pikë. Pas këtij momenti u duk që Majlinda do ta ketë vetëm çështje kohe triumfin ndaj xhudistes nga Mauritius. Por kjo e fundit ishte me fat, pasi shfrytëzoi për mrekulli veprimin e pakujdesshëm të Majlindës. Por minuta 1’50″ ishte fatale, pasi kosovarja tenton të mbyllë ndeshjen me synimin për të fituar me Ipon, por humbet ekuilibrin duke rënë tuç. Lezhentil e mbylli sfidën me një Ipon, që në fund rezultonte, 100:10, në favor të saj. As vetë sportistja shqiptare nuk u besonte syve, që ndeshja përfundoi në mënyrën më të keqe, madje disa sekonda Kelmendi qëndroi në tapet, tërësisht e rënë moralisht. Me eliminimin e saj, minimizohen shpresat për një medalje në Olimpiadë, dhe tashmë sytë e shqiptarëve janë te flamurmbajtësja Romela Begaj që do të konkurrojë sot në peshën 58 kg.
Eliminimi
Minuta 1’50″ ishte fatale, pasi kosovarja tenton të mbyllë ndeshjen me synimin për të fituar me Ipon, por humbet ekuilibrin duke rënë tuç në favor të Lezhentil, që fitoi 100:10