29-vjeçari shfaqet i lëkundur para hetuesve, jep tre-katër versione për ngjarjen
Hysen Bibaj është shfaqur i lëkundur para hetuesve, të cilët kanë zhvilluar seanca maratonë për marrjen në pyetje. Pas arrestimit të 29-vjeçarit në orët e vona të së hënës, ai është marrë disa herë në pyetje, për të zbardhur ngjarjen kur nga kati i katërt i maternitetit hodhi foshnjën treditëshe nga dritarja. Fillimisht, agresori është izoluar në Komisariatin e Policisë Nr.1, dhe më pas është drejtuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në orët e vona të së hënës deri në orët e para duke u gdhirë e marta, hetuesit e Krimeve të Rënda kanë zhvilluar një seancë të gjatë pyetjesh. Me një laps e bllok në dorë, agjentët kanë shkruar versionin e parë, i cili ishte shumë i ftohtë, ku Hyseni tregoi konfliktet e tij me bashkëshorten Luljeta, ndërsa është shfaqur disa herë me lëkundje. Sipas burimeve policore, 29-vjeçari ka rrëfyer fillimisht se ka pasur probleme me gruan dhe më pas ndërmori aktin çnjerëzor, duke hedhur beben që sapo kishte ardhur në jetë nga dritarja. Sipas policisë, Hyseni tregoi së pari të gjithë ditën e ngjarjes, ku në fillim të ditës së hënë kishte qenë në maternitet dhe më pas ishte larguar në banesë. Më pas kishte ardhur për t’i sjellë ushqimin Luljetës, madje parkoi automjetin në një vend të papërshtatshëm. Hyseni ka vijuar se është ngjitur në dhomën numër pesë të katit të katërt të maternitetit me mendje të “kthjellët”. Pasi ka shkuar atje, ka marrë foshnjën në duar dhe pas disa minutash e ka flakur nga dritarja. Para policisë ka pohuar se “e hodha fëmijën për inat të gruas me të cilën kam konflikte”. Ai është pyetur disa herë për motivin dhe fillimisht ka mohuar të ketë dyshuar për atësinë, ndërsa tregoi se kishte çrregullime mendore, madje pinte edhe qetësues që nuk i kishte konsumuar dy-tre ditë para ngjarjes.
“Kam pesë muaj që kurohem për depresion dhe gjatë kësaj kohe kam pasur konflikte me bashkëshorten. Familjarët tanë na kanë larguar nga njëri-tjetri, pasi kemi pasur sherre të vazhdueshme”, ka vijuar Hyseni, me disa luhatje në dëshmi, ndërsa hetuesit janë përpjekur të mësojnë më shumë mbi motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Disa herë 29-vjeçari është përgjigjur dhe ka përsëritur se “e hodha fëmijën për inat të gruas”, ndërsa ende dukej i zëmëruar me Luljetën.
Burime nga Policia e Tiranës pohojnë se seanca e pyetjeve përfundoi vetëm në orët e para të ditës së martë, për të rifilluar dje paradite. Hysenin e kanë vizituar të tjerë hetues të Krimeve të Rënda. Pas përpjekjesh të vazhdueshme, ai ka treguar se konflikti me Luljetën kishte nisur pas dyshimeve të tij mbi atësinë e foshnjës. I arrestuari ka pretenduar se ka qenë emigrant për një kohë të gjatë dhe ende nuk e kishte kuptuar sesi kishte ngelur shtatzënë bashkëshortja e tij. Megjithatë, në disa momente, sipas policisë, 29-vjeçari, ka treguar konflikte të tjera, madje pretendoi se konfliktet ishin edhe mes familjeve të tyre, të cilat nuk kanë dashur që ky çift të ishte bashkë, duke parë probleme të vazhdueshme mes tyre. Madje, familjarët e Luljetës kanë dyshuar disa herë ndaj Hysenit, i cili nuk ka qenë i qëndrueshëm në këtë martesë.
Ndërkohë, burime nga Policia e Tiranës pohojnë se kanë përpiluar dosjen ndaj këtij personi, i cili akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, e parashikuar nga neni 79/a i Kodit Penal, që parashikon një dënim nga 20 vjet burg, deri në burgim të përjetshëm. Sipas tyre, vrasja është bërë me vetëdije, ndërsa i arrestuari do t’i nënshtrohet edhe ekspertizës mendore. s.ç
Neni 79
Vrasja – Vrasja me dashje e kryer: a) ndaj të miturit… dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm
Dëshmia – Kam 5 muaj që kurohem për depresion. Prej 3 muajsh nuk jetojmë bashkë, na larguan familjarët pas sherreve të vazhdueshme
Foshnja – Ditën e ngjarjes kam pas sherr me gruan dhe për inat të saj kam hedhur foshnjën nga dritarja e maternitetit
Konflikti
Familjarët, pas ngjarjes, grindje me njëri-tjetrin
Pas ngjarjes tragjike, kur nënës iu hoq nga gjiri fëmija treditësh, të tjera ndodhi kanë çuditur stafin e spitalit universitar “Koço Glozheni”. Ndërsa stafi mjekësor ka vrapuar për të marrë sa më shpejt fëmijën dhe për t’i dhënë ndihmën e parë, për t’i shpëtuar jetën, familjarët e 29-vjeçarit kanë nisur diskutimet me familjarët e nuses. Sipas mjekëve, ishte tezja ajo që i shërbente dhe e ndihmonte Luljetën, nënën e re 25-vjeçare. Por pas ngjarjes kanë mbërritur në maternitet edhe të afërm të tjerë. Personeli shëndetësor, përveç shokut që pësoi nga ngjarja e paprecedentë, është bërë edhe arbitër për të shuar grindjet e për të qetësuar gjakrat. “Përveç shqetësimit, ankthit, informacionit të vendosur në dispozicion për të gjithë ne si staf, jemi gjendur para vështirësisë, për të qetësuar familjarët e vajzës dhe djalit që nisën të diskutonin e të grindeshin me njëri-tjetrin”, thanë mjekët. Sipas tyre, krushqia ka qenë e tensionuar dhe ka qëndruar gjatë gjithë kohës në spital. Shkaku i grindjes kanë qenë mosmarrëveshjet që ka pasur çifti, ngjarja dhe veprimi makabër i babait të ri 29-vjeçar. Të afërmit e vajzës, përveç pikëllimit për nipin që e pritën nëntë muaj dhe e humbën tri ditë pas lindjes, janë në ankth për gjendjen shëndetësore të nënës së re.
Babai i Luljetës:
Na vunë në diskutim nderin, nuk jemi familje me llafe
Familja e Luljeta Bibajt hedh poshtë çdo pretendim të familjes së dhëndrit të saj mbi atësinë e foshnjës. Hys Peposhi, vjehrri i babait killer, është marrë në pyetje nga Policia e Tiranës. I sapoardhur nga Italia, ai tregon se çifti kishte disa kohë që nuk shkonte mirë, ata ziheshin me njëri-tjetrin. “Prej disa kohësh jam munduar t’i pajtoja, por largesa nuk ka sjellë rezultat, pasi kam qenë emigrant në Itali”, ka treguar Peposhi para agjentëve të policisë, madje u pyet edhe për ngjarjen e rëndë, ku nipi i tij i sapoardhur në jetë është hedhur mizorisht nga dritarja e maternitetit, duke i shkaktuar vdekjen. “Nuk e kuptoj këtë veprim të Hysenit, madje edhe pretendimet e familjes Bibaj që kërkojnë kryerjen e ADN-së së foshnjës për atësinë. Kërkoj që të vihet në vend dinjiteti i familjes sime, pasi ne nuk jemi familje me llafe”, ka vijuar dëshmitari, duke saktësuar si nuk i qëndron aspak këtij pretendimi për nderin e familjes së tij.
Shënim
Horror në Shqipëri
Shqipëria është mbërthyer nga krimi i rëndë, madje edhe nga ngjarje apo denoncime çnjerëzore që mund të dëgjohen ndonjëherë.
Gjithçka ka filluar para disa ditësh, ku në qytetin e Fierit një të riu, emigrant i sapokthyer, i kishin ardhur në majë të hundës zënkat e nënës me administratorin e pallatit për 3000 mijë lekë të vjetra. Megjithëse apartamentin e kishte blerë 45 mijë euro, mallakastrioti nuk ka përtuar të marrë kallashnikovin që e mbante pa leje në banesë dhe ka derdhur breshëri plumbash mbi familjen e administratorit të pallatit, duke lënë të vdekur Nasi Memajn dhe plagosur bashkëshorten e tij, Angjelina. Pas disa orësh, autori Oltjon Toro u arrestua. Krimi në Shqipëri vijoi frikshëm edhe në ditën e parë të kësaj jave, duke sjellë panik dhe terror tek qytetarët. Kriminaliteti na rrethon përditë, madje në mes të disa qyteteve kryesore në Shqipëri. Në Korçë vjen një denoncim i pazakontë. Një nënë 71-vjeçare ka duruar për shumë kohë keqtrajtimet e të birit, i cili vuante nga depresioni. Situata ishte bërë aq e rëndë, sa e moshuara i është drejtuar policisë, duke denoncuar të birin, 50 vjeç, se e kishte përdhunuar. Policia lokale pohoi se e moshuara nuk kishte bërë denoncim më parë, duke mbrojtur të birin. Një tjetër denoncim është regjistruar në Policinë e Tiranës, madje në pranga ka rënë një 65-vjeçar, baba i pesë fëmijëve, i cili akuzohet për pedofili. Shokët e një 13-vjeçari kanë denoncuar shtetasin Ndue L. se ka kryer vepra të turpshme me G.F. Pas kallëzimit, 65-vjeçari u arrestua. Në qytetin e Vlorës regjistrohet një tjetër ngjarje makabre. Një 25-vjeçar është gjetur i vdekur pranë lumit Shushicë. Ekspertiza përcaktoi se kishte një çarje të thellë në kokë të shkaktuar nga një plumb pushke. Një 17-vjeçar u arrestua një ditë pas ngjarjes. Ndërkohë, një sherr se kush do të vadiste i pari kopshtin e tij ka çuar në një përleshje me thika vëllazërore në Rrethin e Mallakastrës. Vladimir Nukaj, pasi ka debatuar me vëllezërit Ardian dhe Fitim, ka nxjerrë thikën dhe i ka goditur, duke i plagosur të dy. Pas disa orësh u prangos. Kur të gjithë menduan se gjithçka kaloi ditën e hënë, në polici regjistrohet një denoncim i pazakontë. Personeli i maternitetit “Koço Glozheni” në Tiranë raporton se një person ka hedhur foshnjën treditësh nga kati i katërt i maternitetit. Hysni Bibaj, me origjinë nga Kukësi, ka marrë krijesën e pafajshme në duar dhe pasi e ka mbajtur disa minuta, e ka hedhur nga dritarja, duke i shkaktuar vdekjen. Ngjarja ka ndodhur në sytë e nënës së foshnjës, Luljetës. Më pas është larguar nga materniteti për t’u dorëzuar një orë më pas. Megjithëse foshnja ishte treditësh, ai kishte pretendime për atësinë. Ende pa kaluar disa orë nga këto ngjarje makabre, policia regjistron kallëzime dhe denoncime të reja. Dy turiste të huaja, njëra gjermane dhe tjetra austriake, kanë rënë pre e grabitjes në qytetin e Korçës mbrëmjen e së hënës. Lara Bogataj dhe Sabrina Elisabeth, të dyja 25-vjeçare, kanë marrë një taksi në qytetin e Korçës në mënyrë që të shkonin në Ersekë. Gjatë rrugës, drejtuesi i mjetit i ka zbritur të dyja vajzat nga makina dhe pasi u ka grabitur të gjitha çantat dhe sendet që kishin me vete, i ka braktisur në mes të rrugës. Në Elbasan, dy fëmijë, motër e vëlla, janë plagosur nga një granatë. 13-vjeçari S.B dhe motra e tij kanë gjetur një granatë në arë dhe pa e ditur se çfarë ishte, kanë filluar lojërat. Ngjarjet që lamë pas, konsiderohen të rënda, pasi të gjitha kanë histori njerëzore dhe çnjerëzore. Disa prej tyre janë dëgjuar vetëm në filmat horror. S.Çobo