Vëlla e motër, 13 dhe 15 vjeç, kanë gjetur granatën në oborrin e shtëpisë


Silvana Muça


Dy të mitur kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi i një granate në një zonë të thellë të Elbasanit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së martës në Komunën Labinot Mal ku Saimir dhe Florida Balla, motër e vëlla, përkatësisht 13 dhe 15 vjeç, kanë mbetur të dëmtuar nga shpërthimi i një granate.


Burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se fëmijët kanë qenë duke luajtur me njëri-tjetrin në rrënojat e një banese të braktisur prej vitesh. “Gjatë momentit të lojës, të miturit gërryen në oborrin e banesës dhe rastësisht gjejnë një granatë. Ata nuk e kanë kuptuar se ç’ka qenë sendi që kanë gjetur dhe e kanë kthyer atë në një mjet argëtimi. E kanë marrë granatën, e kanë pastruar nga balta dhe më pas e kanë larë. Gjatë kësaj kohe granata ka shpërthyer duke plagosur fëmijët e familjes Balla” pohojnë burime nga policia.


Sipas tyre, kanë qenë familjarët ata që kanë dëgjuar shpërthimin e fortë të granatës dhe kanë shkuar në vendin, ku fëmijë po luanin. “Ngjarja ishte katastrofike sepse të plagosurit ishin mbuluar me gjak, pasi ciflat e granatës kishin prekur pjesë të ndryshme të trupit të vogëlushëve”, tregojnë burimet nga policia lokale e Elbasanit.


Prindërit e fëmijëve i kanë dërguar urgjentisht në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit ku dhe kanë marrë mjekimin e duhur. Fatmirësisht të dy të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën. Gjendja shëndetësore e 13-vjeçarit paraqitet më e rënduar dhe ai rrezikon që të humbasë njërin krah.


Ndërkaq në vendin e ngjarjes kanë shkuar uniformat blu të policisë së Elbasanit. Nuk dihet arsyeja se përse ky municion luftarak ka qenë i vendosur në banesën e braktisur por paraprakisht dyshohet që ajo të jetë një mbetje e vitit ‘97, ku qytetarët grumbullonin armë në shtëpitë e tyre në kohën e tranzicionit. Gjithsesi po punohet intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


Nga deklaratat e familjarëve në komisariatin e policisë bëhet me dije se askush nuk ishte në dijeni se në gërmadhat e banesës kishte municione. Kjo nuk ka qenë hera e parë që fëmijët shkonin për të luajtur atje, por asnjëherë nuk kanë ndeshur në një të tillë. Aksidente të tilla janë të përsëritshme në Qarkun e Elbasanit ku fëmijët ndeshen me municione luftarake, kryesisht granata, duke provokuar bilance tragjike për jetën e tyre.


 


Granata – Dyshohet që ajo të jetë një mbetje e vitit ‘97, ku qytetarët grumbullonin armë në shtëpitë e tyre


Dëshmia – Nga deklaratat e familjarëve bëhet me dije se askush nuk ishte në dijeni se në gërmadhat e banesës kishte municione