Ndryshimet, ministri Noka ngre në detyrë burrin e Ina Ramës

Agron Nuredini emërohet këshilltar i Burgajt

Bledi Gilaj

Teksa Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, lë të kuptojë se nuk do të mbështesë një mandat të dytë për Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, ministri i Brendshëm ngre në detyrë burrin e saj, duke u emëruar këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Lajmi është bërë i ditur nga burime të besueshme pranë Ministrisë së Brendshme, të cilat tregojnë se kjo vjen si fillim i një vale ndryshimesh në këtë institucion, por edhe në polici. Nga burime të pakonfirmuara u tha fillimisht se Agron Nuredini, bashkëshorti i kryeprokurores, është liruar nga detyra e mëparshme në polici dhe është emëruar këshilltar i ministrit Noka, por në mbrëmje u konfirmua zyrtarisht se ai është emëruar këshilltar i Hysni Burgajt.

Ngritja në detyrë e Agron Nuredinit vjen në një kohë kur bashkëshortja e tij ka pasur sulme të njëpasnjëshme nga ekzekutivi, ndërkohë që edhe Presidenti i sapozgjedhur, ka lënë të kuptohet se nuk do të mbështesë një mandat të dytë për Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Bashkëshorti i saj, prej disa vitesh, mban postin e kreut të Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Agron Nuredini ishte emëruar në këtë detyrë, pikërisht në fillim të vitit 2008, ndërsa më parë ka qenë oficer kontakti në Romë. Ndërsa dje, ai është larguar nga detyra që mbante prej më shumë se katër vitesh dhe është vënë këshilltar pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Lëvizja e tij ka ardhur menjëherë pas heqjes së drejtorit të SHKB-së, Astrit Halilaj, i cili është emëruar në detyrën që mbante Nuredini. Madje, fillimisht u përfol se ai është emëruar këshilltar i ministrit Noka, emërim i cili nuk u konfirmua zyrtarisht, por në mbrëmje, burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme thanë se ai është emëruar pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Emërimi i tij vjen pikërisht në kohën, kur çështja që ka sjellë përplasjen më të fortë mes Prokurores së Përgjithshme dhe qeverisë është në gjykim. Bëhet fjalë për çështjen e 21 Janarit, e cila, pas Gërdecit, ka acaruar se tepërmi marrëdhëniet mes Ina Ramës dhe ekzekutivit. Në vitet e Ina Ramës në krye të Prokurorisë, marrëdhëniet e mazhorancës me të kanë qenë herë të mira dhe herë të ngrira. Pas propozimit nga Presidenti Bamir Topi në tetorin e vitit 2008 për Prokurore të Përgjithshme, Kryeministri Berisha do ta cilësonte si “Silvia Konti” e Shqipërisë, madje e krahasonte me një grua të “hekurt” që do të pasonte një nga prokurorët më keqbërës, sipas Berishës, pikërisht të diskutuarin Theodhori Sollaku. Më pas marrëdhënia ka qenë institucionale dhe “ftohja” ka ardhur në momentin që ka shkuar dosja “Gërdeci” për gjykim, e cila ka kaluar në peripeci të pazakontë për një procedim penal. Në atë kohë u sulmua numri dy i prokurorisë, Zamir Shtylla, lidhur me ligjin e lustracionit, sulme të cilat sollën transferimin e Shtyllës fillimisht në Prokurorinë e Elbasanit. Pas disa muajsh, Shtylla dha dorëheqjen.

Konflikti mes Ina Ramës dhe mazhorancës do të ndihej në momentin që në media u publikuan shkresa të prokurorisë me emrin e djalit të Kryeministrit, Shkëlzen Berishën, si një nga personat që kishte pasur korrespondencë shkresore me disa ministra. Madje, tabulatet telefonike të disa ushtarakëve dhe të pandehurve të Gërdecit e nxirrnin Shkëlzenin si një nga personat që kishte komunikuar për municionet në Gërdec.

Pas konflikteve për Gërdecin, një nga përplasjet më të forta të prokurorisë me mazhorancën është padyshim “21 janari”, ku prokuroria urdhëroi ndalimin e zinxhirit komandues të Gardës së Republikës, që akuzoheshin për disa vrasje nga radhët e demonstruesve. Në disa dalje publike, eksponentë të mazhorancës sulmuan ish-presidentin Topi dhe kryeprokuroren si të lidhur me “puçin e shtetit”, madje i cilësuan të dy si horr dhe lavire bulevardi. Marrëdhëniet nisën të tensionohen edhe më tej, kur prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tyre. Ndërkohë, konflikt ishte edhe dërgimi i dosjes në gjykatë nga akuza, kur nën akuzë u vu kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i cili kishte dalë disa herë publikisht përkrah Kryeministrit Berisha. “Tensioni” midis dy institucioneve ishte edhe hetimi i fshirjes së pamjeve filmike të vrasjeve nga ana e inxhinierëve kompjuterikë të Këshillit të Ministrave.

 

Ndryshimet në ministri

Nuredini - Ngritja në detyrë e Agron Nuredinit vjen në një kohë kur kryeprokurorja, Ina Rama, ka pasur sulme të njëpasnjëshme nga ekzekutivi

Halilaj - Kreu i SHKB-së Halilaj lëviz pas notave pozitive të marra nga BE-ja, por edhe pas një raporti kritik për policinë mbi “21 Janarin”

Shehu - Kreu i ri i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Bashkim Shehu, deri dje mbante funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm në MTKRS

 

 

Skandali

Bashkim Shehu zë vendin e Astrit Halilajt, por jashtë kritereve për t’u emëruar në këtë funksion

Ish-truproja e Albana Vokshit, drejtor SHKB-je

Vala e shkarkimeve në Ministrinë e Brendshme ka filluar. Ajo që pritej që kur Flamur Noka u emërua në krye të këtij institucioni të rëndësishëm, ka nisur duke sjellë transferimin e drejtorit aktual të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe duke emëruar në këtë post ish-truprojën e familjes së deputetes Albana Vokshi, Bashkim Shehu. Por, emërimi i tij, nga specialistët e policisë është konsideruar i paligjshëm, pasi bie ndesh me kriteret e vendosura në ligjin për SHKB-në.

Shkarkimet

Procesi i lëvizjeve si në Ministrinë e Brendshme, ashtu edhe në polici ka nisur jo i qetë. Sipas të dhënave, që prej disa ditësh, ministri i Brendshëm ka kërkuar dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të SHKB-së, Astrit Halilaj. Por, sipas informacioneve të besueshme, ai nuk e ka pranuar një sugjerim të tillë, kështu që juristët kanë vendosur transferimin e tij, si pasojë e mbarimit të mandatit. Sipas ligjit të ri për SHKB-në, Astrit Halilaj kishte mbaruar mandatin, kështu që do të emërohet në një funksion tjetër. Në këto kushte, Halilaj është emëruar drejtor i Standardeve Profesionale, vendi i lënë i lirë nga Agron Nuredini, bashkëshorti i Ina Ramës. Megjithatë, lëvizja e Halilajt vjen pas vlerësimeve të bëra nga BE-ja, ku SHKB-ja u vlerësua pozitivisht, por edhe pas një raporti kritik të bërë nga ky institucion për shërbimet e policisë mbi ngjarjet e 21 janarit 2011. Ndryshe nga qëndrimi i qeverisë, SHKB-ja vuri në dukje disa nga defektet e policisë, që nuk u pritën mirë nga ekzekutivi.

Emërimi

Por, menjëherë pas lëvizjes së Halilajt, në vend të tij, ministri Noka ka emëruar Bashkim Shehun, i cili deri dje mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës. Sipas të dhënave, Bashkim Shehu, nga vitet 2007-2009 ka qenë truprojë e Arjan Tartari, bashkëjetuesi i deputetes së PD-së, Albana Vokshi. Më pas, ai është emëruar në një funksion shtetëror dhe së fundmi, prej disa muajsh kryente detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në MTKRS-së. Megjithatë, sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, emërimi i tij bie në kundërshtim me nenin 15 të ligjit të SHKB-së. Në këtë nen flitet në lidhje me kriteret për t’u emëruar në krye të kësaj strukture, ku kandidati duhet të ketë shërbyer për një periudhë jo më pak se dhjetë vjet në strukturat e policisë, hetimit, shërbimeve informative ose me natyrë të ngjashme me to, nga të cilat, jo më pak se tre vjet në pozicione drejtuese, gjë që sipas informacioneve të besueshme, nuk plotësohet si kriter nga Bashkim Shehu.

Reforma

Ndërkaq, veç tre lëvizjeve të djeshme, pritet që emërime të reja drejtorësh në polici të vijojnë gjatë ditëve të tjera. Madje, dje është thënë edhe për lëvizjen e Drejtorit të Policisë Rrugore, Vullnet Topalli, por ky fakt është mohuar në një prononcim për “Shqip”. Ai ka deklaruar se nuk është në dijeni të ndonjë urdhër transferimi në detyrë. Por, nga burimet policore mësohet se ai mund të largohet nga policia dhe të emërohet Drejtor i Policisë Bashkiake në Tiranë.

 

Neni 15

Kriteret për emërimin e drejtorit të SHKB-së

Drejtor i SHKB-së emërohet personi që përmbush këto kritere:

a) të ketë shërbyer për një periudhë jo më pak se dhjetë vjet në strukturat e policisë, hetimit, shërbimeve informative ose me natyrë të ngjashme me to, nga të cilat, jo më pak se tre vjet në pozicione drejtuese;

b) të ketë kryer studime, universitare, pasuniversitare, në specialitete që kanë të bëjnë me policinë, drejtësinë ose administratën publike;

c) të mos ketë qenë i dënuar për vepër penale, me vendim të formës së prerë;

ç) të mos jetë ndëshkuar për shkelje të rënda disiplinore, siç përcaktohen në rregulloren e disiplinës së SHKB-së, brenda dhjetë viteve të fundit, gjatë të cilave ka punuar në institucione shtetërore;

d) të mos ketë konflikt interesi me detyrën.

Autor te 1 Gusht 2012. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Radi

    Eshte brenda llojt. Ata e bene edhe te shoqen prokurore.
    Te tere derrat nje fecke kane.

  • Bujari

    Kur ndrohen ministrat, shume levizje priten por ato levizje duhet te kene nje motiv por edhe te jene te mbeshtetura ne profesionalizem te personit qe emerohet……nuk munde te pranohet nje ish polic rrugor i shkarkuar dhe i perzene nga policia per favorizim trafiqesh njerezore nga aeroporti i Rinasit dhe vetem se ka meriten te shoqiruesi i A. Vokshit dhe i F. Xhaferrit, te emerohet ne detyren qe ….nuk di se nga lidhet gomari…..kjo detyra e fundit i eshte dhuruar nga Bumci per te kenaqur Vokshin….a kjo eshte administrata qe po bejne Berishistet….kjo do te thote qe mjafton te jesh nga veriu dhe te kesh lidhje me nje deputet dhe merr postin qe kerkon pa lere se nuk di cfar te besh me kete poste…….posti i drejtorit te SHKBs eshte shume delikat dhe diuhet te drejtohet nga specialiste i mirefillte dhe jo nga nje shoqireues…….Ministri Noka mire ben qe i leviz ata kuadro qe kane zene rrenje ne Ministri, si bie fjala z. Isuf Celaj qe detyren e cfrytezon vetem per te perfituar ne menyre abuzive duke mbajtur emra fiktive ne pune prej shume vitesh dhe ju merr pagen mujore kur ata jane ne emigracin apo qe arrin deri aty qe shet me cmin me te larte edhe fletet e kavalishences…..eshte e lehte ta vertetosh zoti monister….por atje tek ty ka edhe njerez qe kane prirje kriminale dhe jane ne detyra te larta….nga keta duhet te pastrohet administrata……

  • Bajazja Mire Labe

    Duhen bere levizje pa tjeter sepse ndryshe ndryshken dhe ngecin. Prandaj jam i mendimit se duhet te inkurajohet çdo levizje. Shpresojme se policia e shtetit do te heqe nga rruga “Lypsat ose urdherusit per pagese” qe quhen polici rrugore, por ne masen 30% jane akoma hajdute qe duhet te ndeshkohen rende per veprimet tejet te poshtera qe kryej. Te ndalojne ne rruge dhe te krijojne nje mangesi, shpejtesi, rrip, drita, etj, etj, etj, ne qofte se i jep nje milekesh te ri ne dore …. menjehere te pershendesin perzemersisht sikure je miku i tyre dhe harrojne qe 5 minuta me pare kane thene qe do te plotesojne mandatin per 5 mije leke te reja. Shpresojme te marre fund dhe keta hajdute qe vjedhin ne emer te shtetit.

  • Silvi

    Eshte absulutisht post i merituar nga Z.Bashkim Shehu. Mendoj se minimalisht te dini eksperiencen dhe edukimin e tij profesional. Shoqeria jone nuk do te kete zhvillim per sa kohe gjykojne e paragjykojne pa ndonje baze! Nuk di per levizjet e tjera ne institucionet qe jane ne varesi te Z.Noka, por kjo eshte me e dinjitozja!

  • nga F.Gjabri

    Bashkim Shehu, nje nga djemte qe meriton me shume. Djale i guximshem dhe me perspektive.