NDUE DEDAJ


(Dhe një pyetje Kryeministrit: A ka një kumt qeveritar për ringjalljen e Lurës?)


Ndue DedajLexuesi mund të habitet paksa me këtë titull: Lura është e turizmit e nga na doli me këtë cilësim historik, si të jetë fjala për Vlorën a ndonjë vend tjetër i flamurit? E para, edhe për faktin se Lura është flamurtarja e bukurisë shqiptare, ia vlen të quhet metaforikisht e “Pavarësisë”, në kuptimin që një njëqindvjetor kaq i shënuar shtetëror, nuk mund të kuptohet pa cilëndo vlerë madhore që mban epitetin kombëtar, si monumentet historike, parqet natyrore të këtij rangu etj. Pra, dhe nëse nisemi si përherë, nga konteksti turistik, koha e verës, stina e begatë e turizmit masiv, piku i tij, kemi motiv të thërrasim, pse jo me piskamë, ani se për të njëqindën herë, për jetësimin e kësaj perle të pazëvendësueshme ballkanike. Ndërsa turistët e huaj janë banorët më popullues të bregdetit, nga Velipoja në Butrint, drejt Lurës nuk dimë të kenë shkuar as dhjetë veta për turizëm. Se nuk ka rrugë për atje. Pesë vjet më parë patëm shkruar, në të njëjtën gazetë, se qeveria do të bënte mirë që ta hapte sezonin e turizmit malor pikërisht në Lurë, por kjo nuk ndodhi as atëherë, as sivjet, Lura mbeti po ajo, e braktisura, e nëmura, e shpërfillura. Dihet që qeveritë, problematikat e mëdha kombëtare, infrastrukturore e të tjerë i kanë në tavolinë, pasi për to janë votuar, por mendimi qytetar vlen për t’i përshpejtuar punët, apo dhe për të ngritur zërin kur disa aksione të mëdha kombëtare, publike vonojnë. Ndaj nuk është e rastit që në këtë shkrim i drejtohemi Kryeministrit z. Berisha. Janë të njohura nismat e liderëve shtetërorë në finalizimin e politikave vendimmarrëse të dorës së parë, rrugëve strategjike, sipërmarrjeve të mëdha të turizmit, mjedisit etj., ku nuk është e lehtë ta hedhësh firmën poshtë projekteve të zbatimit, ngaqë është buxheti që frenon, për më tepër kur kriza ka prekur vendet e zhvilluara etj. Por Lura është vetëm një, është unike, e përveçme, nuk ka një të dytë si ajo. Për Lurën nuk pyetet në është larg apo afër gjeografikisht, i ka ardhur apo s’i ka ardhur koha turizmit malor, është në ato territore të republikës ku është investuar shumë apo pak. Lura, përpos se kështjellë natyrore që nuk përshkruhet me fjalë, është dhe prestigj kombëtar. Prandaj kremtimi i Pavarësisë nuk është pa lidhje me Lurën. Por jo vetëm për përmasën turistike. Lura ka dhe një përmasë historike, që lidhet me krijimin e shtetit shqiptar.


 


Lurën, në vend të turistëve,


e “vizituan” flakët e përvitshme


Lurën këtë vit kanë dashur ta vizitojnë jo vetëm turistët e visareve natyrore, por dhe ata të objekteve historike. Televizioni i Prizrenit ka shtegtuar drejt Lurës muaj më parë për të realizuar një dokumentar kushtuar njërit nga themeluesit e  Pavarësisë, Imzot Nikollë Kaçorrit, ngaqë Lura është dheu i tij, toka ku ai pati lindur nga prindër të dy besimeve të ndryshme, babai katolik dhe nëna myslimane. Por ajo që i ka frenuar grupet e shumta që kanë dashur të venë drejt Lurës këtë vit ka qenë mungesa e rrugës. Është e pamundur të dish sa makina me turistë kanë “fluturuar” për atje. Nuk mund të thuash zero, por me siguri fare pak kanë qenë vizitorët e shenjtërisë së saj të blertë. Nga viti në vit, Lura sikur po harrohet gjithnjë e më shumë, si ajo shtëpia e vjetër që sa herë kujtohemi se e kemi lënë shkret, në vetmi, na dridhen gjunjët. Por ndërkohë, lajmet nga Lura nuk është se mungojnë, veçse ato ka vite që vijnë përmes shkrumbit të pyjeve. Vetëm para dy-tri javësh mediat lajmëronin me shqetësim: “Situata më problematike është në Komunën Lurë, ku janë krijuar tri vatra të fuqishme zjarri, ndërkohë që mendohet se mund të jenë djegur qindra hektarë. Në fshatin Pregj-Lurë po punohet që prej orës katër të mëngjesit për shuarjen e flakëve dhe në dispozicion është vënë dhe një togë ushtarësh, por sërish zjarri është aktiv duke djegur rreth 40 hektarë halorë. Një tjetër vatër gjendet prej disa ditësh brenda Parkut Kombëtar, te Liqeni i Zi, ku është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme…” Ra shiu e i shoi flakët e Lurës të korrikut, por a do të këtë shi sa herë të na digjen pishat dhe ahet? Është venitur ylberi i Lurës, shtatë liqenet e saj, tashmë të “djegur” dhe ata. Diku-diku pylli lurian ka marrë ngjyrën e hirit. Flakët në një park kombëtar janë si mbi një muze, galeri arti, kopsht botanik, zoologjik, ato janë njëlloj si në Parkun e Tiranës, kodrat e Liqenit, si në Dajt, si në Divjakë e Lurë. Ja, pse mendojmë se duhet të investohet drejtpërdrejt Kryeministri në këtë çështje. Nganjëherë rrjedhën e një të keqeje e ndalin vetëm vullnetet e mëdha qeverisëse, që dalin mbi strategjitë e njëtrajtshme të zhvillimit politik, ekonomik. Rruga e Kombit është një dëshmi e kësaj, veçse ajo nuk duhet të mbetet e vetmja vepër e vendimmarrjes së guximshme. Lura është “kryeqyteti” i natyrës shqiptare, e përdorur për verim që nga koha e Aleksandërit të Madh, siç tregojnë gojëdhënat dhe toponimet e saj. Përtej sfondit legjendar, me Vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 21 nëntor 1966, Lura është shpallur “Park Pyjor Kombëtar”, me një sipërfaqe prej 1280 hektarësh (shtatë liqenet zënë 30 ha), masiv që shtrihet në faqen lindore të “Kurorës së Lurës”, në një gjatësi 9.6 km dhe lartësi alpine deri në 1919 m. Specialistët thonë se në këtë park gjenden lloje halorë nga më të pasurit e Europës, por dhe disa bimë endemike që po shkojnë drejt zhdukjes, si zambaku i bardhë i ujit, apo drurë të tillë si rrobulli, arrneni etj. Një orë gjeografie për Lurën, tash që “gjeografia” e vendeve të epërme ka rrëshqitur drejt fushave, do t’ia vlente dhe për partitë politike që po përgatiten për shtegtimet elektorale të 2013-s.


 


Një rrugë në nderim të Imzot Nikollë Kaçorrit,


Nënkryetar i qeverisë së Vlorës


Që rruga e Imzot Kaçorrit mungon, kjo tashmë dihet, por a ka një projekt gjeneroz për ndërtimin e saj? Paraprakisht, për lexuesin, po asfaltohet rruga nga Rrësheni në Burrel, ku me këtë projekt Lura na afrohet si pa e kuptuar 15 kilometra. Kur mendon se ky aks lidhet drejtpërdrejt më Rrugën e Kombit, shpresa bëhet më e madhe se një ditë të afërme rruga do të zgjatet dhe për në Selitë e Lurë. Publiku i interesuar pret që Ministria e Transporteve të bëjë me dije a është duke u hartuar një projekt i tillë? Nëse po, në cilën fazë është? A ka nisur studimi i fizibilitetit? A ka negocime për fonde me banka a donatorë të huaj? Lura nuk mund t’i dorëzohet pa fund harresës. Nga protagonistët e Pavarësisë njëqind vjet më parë, vetëm Nikollë Kaçorri nuk ka një rrugë për në viset e tij. Me siguri, kur ai pati nënshkruar Aktin e Pavarësisë më 1912, nuk e kishte shkuar ndërmend se pas një shekulli, në Lurën e tij magjike, nuk do të mund të shkohej me makinë, si në botën e qytetëruar, ku ai pati shkelur qysh në rini. Duket sikur vetëm atje koha ka ngecur si një shekull më parë. Apo, përpos sëpatës, sharrës e zjarreve, i vetmi lajm që kishte prodhuar Lura në njëzet vjet kishte qenë vdekja e ambasadorit amerikan, Limpreht, nën ato gurra të pamatshme. E prapë mendja të shkon te vizitorët jubilarë, që do t’i drejtoheshin vendlindjes së njërit nga zotërit e Pavarësisë, por ata vetëm nëse do të venë atje me helikopter. Ndaj rruga është e para, pa rrugën nuk mund të fillohet. Por një masterplan do të ishte shpëtimi, që ta shihte Lurën në të tre dimensionet e saj: infrastrukturor, turistik dhe historik. Kjo nuk mund të bëhet as nga komuna, as nga shoqatat atdhetare-kulturore, as nga bizneset, por në radhë të parë nga qeveria. Kur ajo ta japë kumtin për shpëtimin e Lurës, atëherë do ta gjenin veten brenda projektit të madh, të gjithë. Secili do të ishte kontribuues në mënyrën e tij. Se dihet që nuk është qeveria ajo që do të vërë të gjitha “tullat”. Rëndësi ka vendimmarrja e saj, duke e parë Lurën si një përparësi kombëtare. Kombëtare, rajonale, por jo lokale. Nëse Gjirokastra e Berati kërkohet me të drejtë të shpëtohen nga UNESCO, pse dhe Lura të mos shihet me këtë sy? Ashtu si Voskopoja etj. Po të kishte një referendum, se nga duhej filluar, mendja ta do që shqiptarët do të votonin Lurën të parën. Ndërsa një arsye më shumë, pse Kryeministri do të duhej ta rrokte Lurën në vëmendjen dhe kujdestarinë e tij, është se ajo i përket një burri shteti të Pavarësisë. Zoti Berisha u përkul me nderim në katedralen e Durrësit para kujtimit të Imzot Kaçorrit, një vit më parë, kur u sollën eshtrat e tij nga Vjena (dhe pse në Rinas mungoi protokolli shtetëror!?) por kësaj here shteti do të gjendet me doemos një ditë në Lurë, në “shtëpinë” e të vetmit prelati të Pavarësisë.