Teksa Ali Podrimja u përcoll për në banesën e fundit, jehona e poezive të tij mbetet. Si një homazh për humbjen e poetit, Ministria e Kulturës organizon sot, ora 19:00 në Teatrin e Operës dhe Baletit një mbrëmje kushtuar Podrimes. Titulluar “Gjithmonë Ali Podrimja”, gjatë kësaj mbrëmje do të interpretojnë aktorët e Teatrit Kombëtar, Yllka Mujo, Mirush Kabashi, Fatos Sela, Bujar Asqeriu, solistët lirikë të TKOB-it, Vikena Kamenica, Armaldo Kllogjeri, Armando Likaj, Solen Alla, Irida Dragoti, shoqëruar në piano nga Etrita Ibrahimi dhe Kuinteti i Harqeve. Enada & Gerd Vaso do t’i bashkohen performancës në balet, ndërkohë që të ftuar nga Universiteti i Arteve janë Suzana Frashëri dhe Rudina Ciko. Hyrja është e lirë.