Reportazh/ Pasi kanë bërë një vizitë të plotë në Muzeun Historik Kombëtar, nën vapën mbytëse brenda ambienteve të këtij institucioni, pjesa kryesore e turistëve janë të interesuar të dinë më shumë mbi diktaturën, Enver Hoxhën, sistemin e atij regjimi
Oliverta Lila
Muzeu Historik Kombëtar është një ndalesë e pashmangshme për të gjithë turistët që zbresin në Tiranë. Nga ana tjetër, është i vetmi vend ku mund të mësohet diçka për historinë e kulturën shqiptare. Grupe studentësh, të moshuarish, çifte apo familjarë duke i bërë ballë edhe zhegut të djeshëm, ngjisnin shkallët dhe hynin në portën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar. Sapo kalonin pragun, duket se merrnin frymë lirshëm. Një efekt i rremë i hapësirës së madhe dhe një ventilatori në hollin kryesor. Pasi bënin xhiron nga një pavijon në tjetrin, teksa takoheshim sërish në holl, e para shprehje e tyre: shumë vapë! Të qullosur nga djersët, ata e kanë paguar koston e kërshërisë për të mësuar diçka më shumë për vendin. Ka edhe nga ata që nuk i shkojnë deri në fund vizitës apo e shpejtojnë ritmin nga një vitrinë në tjetrën. Mungesa e ajrit të kondicionuar vazhdon të mbetet një problem kyç i Muzeut Historik Kombëtar. Një shqetësim i pranuar, por për të cilin nuk është bërë as përpjekja minimale për ta zgjidhur. Për të disatin vit, takohemi me turistë që kullojnë, të cilëve u kërkojmë përshtypje mbi Shqipërinë. Shifrat e mbajtura në sportelin e biletave na bëjnë të kuptojmë edhe fluksin e turistëve. Krahasuar me vitin e shkuar mbetet i njëjti interes. Gjatë gjithë korrikut, Muzeun Historik Kombëtar e kanë vizituar 2160 turistë (dhjetëra të tjerë po hynin ndërkohë). Shifra është thuajse e barabartë. Në korrik të vitit 2011, shënohen 2174 turistë. Vijnë nga të gjitha vendet e botës. Shumica e vizitojnë për herë të parë Shqipërinë. A i përmbush pritshmëritë e tyre i vetmi muze kombëtar? Opinionet janë të ndryshme, ashtu si edhe interesat e tyre. “Jam pak e zhgënjyer, sepse disa gjëra ishin të shkruara vetëm në shqip. Unë jam e interesuar në historinë e Shqipërisë, por nuk mësova aq shumë sa prisja. Doja të dija më shumë sidomos për historinë e re, atë të shekullit XX”, thotë Sonia, pjesë e një grupi studentësh zviceranë që studionin për media, komunikim dhe histori bashkëkohore. Ndonëse çdo pavijon ka një përmbledhje në anglisht dhe frëngjisht, Sonia kërkonte më shumë detaje për stendat e veçanta. Pas një udhëtimi në luginën e Vjosës dhe në Jug, para se të niseshin, bënë edhe një vizitë në Muzeun Historik Kombëtar. Një pedagoge e artit nga Spanja ishte shumë e entuziazmuar për linjat e ekspozimit të muzeut. “Është gjithçka e sistemuar dhe e shpjeguar mirë”, thotë ajo, duke e kaluar vapën që ndjen teksa ngjit shkallët në plan të dytë. Ndërsa një vit më parë, turistët që dilnin prej muzeut ankoheshin për mungesën e pavijonit të diktaturës, joshja më e madhe për shumicën prej tyre, këtë vit komentet janë më ndryshe. Pavijoni i Gjenocidit dhe Terrorit Komunist u përurua muaj më parë. Në librin e përshtypjeve qëndrimet janë të ndryshme. Dikush kërkon një emër të pushkatuari që nuk e gjen, të tjerë komentojnë për keqardhjen që përjetuan pas vizitës në këtë pavijon, të tjerë për tmerrin komunist. Vizitorët shqiptarë janë të interesuar deri në detaje për këtë periudhë, ndërsa të huajt kërkojnë të dinë më shumë për diktaturën, personazhet që e ideuan dhe e mbajtën në këmbë, mënyrën se si funksiononte ai sistem. Philippe Tretiack, gazetari francez i “Elle”, njëkohësisht dhe shkrimtar, së bashku me bashkëshorten e tij Elisabeth, vizitonin për herë të parë Shqipërinë. Prej dy ditësh ndodheshin në Tiranë dhe i takojmë në hollin e muzeut. Pse zgjodhët të vizioni Shqipërinë? Është pyetja që na vjen natyrshëm pas një prezantimi të shkurtër. “Sepse jo shumë njerëz duan të vijnë këtu. Miqtë tanë u habitën kur ne u thamë se do të vinim në Shqipëri. Ne mendojmë se pas 5 ose 10 vjetësh këtu do të jetë plot turistë, por duam të jemi para të tjerëve. Jemi prej dy ditësh në Tiranë, do të marrim një makinë me qira e do të udhëtojmë në plazhet e Jugut. Do të shkojmë në Gjirokastër”, thotë Philippe. Sepse keni dëgjuar për diktatorin?, i them unë. “Jo, kemi dëgjuar për Ismail Kadarenë, kemi lexuar disa libra të tij dhe Gjirokastra duket vend shumë i bukur nga rrëfimet e tij. Duam të shkojmë atje. Kemi dëgjuar edhe për Fatos Kongolin. Janë përkthyer në frëngjisht libra të tij”, vazhdon ai. Edhe ai është i intriguar nga e shkuara, veçanërisht ajo komuniste. “Këtu njerëzit vijnë për të parë gjurmë të së shkuarës dhe gjen vërtet”, vazhdon Philippe bisedën. Me kërshërinë e gazetarit ai kërkon të dijë më shumë mbi zhvillimet sot, a ndjehet kriza ekonomike, etj. “Përshtypja ime e parë pas vizitës në këtë muze, ishte se nuk është bërë ajo punë që duhej bërë për pasqyrimin e komunizmit. Pamë pavijonin për Enver Hoxhën dhe kohën e diktaturës, por atje ka vetëm viktima. Nuk ka asgjë mbi njerëzit që krijuan partinë apo që bashkëpunuan. Kjo ishte zhgënjyese. Ne duam të shohim edhe njerëzit që i bënë të tjerët të vuajnë dhe jo vetëm ata që vuajtën. Kemi udhëtuar në vendet e tjera të Ballkanit si Estoni, Letoni dhe ka një mënyrë të ndryshme se si i afrohen së shkuarës. Me aq sa pash këtu, nuk është bërë mjaftueshëm për të kuptuar se pse njerëzit ishin të detyruar të pranonin diktaturën për 45 vjet”, thotë Philippe, mendimit të të cilit i bashkohet edhe e shoqja. Të njëjtën gjë pohojnë edhe dy vizitorë anglezë, të cilët nxitonin të largoheshin. Shumica e turistëve janë të interesuar të mësojnë më shumë mbi diktaturën, Enver Hoxhën, izolimin gati 50-vjeçar. Në mungesë të çdo gjurme tjetër në kryeqytet, iu duhet të kënaqen me atë pavijon të gjenocidit.
Vapa
Muzeu Historik Kombëtar vuan mungesën e ajrit të kondicionuar. Administrata dhe drejtues të këtij institucioni e kanë ngritur vazhdimisht këtë problem, por deri më tani nuk ka asnjë shenjë zgjidhjeje
2160
Turistë e kanë vizituar Muzeun Historik Kombëtar gjatë muajit korrik. Është thuajse e njëjta shifër me korrikun e vitit 2011. Vijnë nga të gjitha vendet e botës dhe shumica e vizitojnë për herë të parë Shqipërinë
Të dhëna
Bileta e hyrjes 200 lekë
Tarifë e reduktuar 100 lekë
Pensionistët
Veteranët e Luftës
ish të dënuarit dhe të përndjekurit politikë
Invalidët dhe personi që i shoqëron ata
Jetimët
Tarifë e reduktuar 60 lekë
Nxënës e studentë