19 medalje, Felps thyen rekordin, tani për të ka vend në legjendë

Londër 2012

Notari amerikan bëhet sportisti me më shumë medalje në 116 vite histori

Nuk mund të fitosh 8 medalje ari në një Olimpiadë pa pasur diçka legjendare në veten tënde. Kjo vlen edhe kur arrin në numrin e 19 medaljeve historike në Lojërat Olimpike, duke thyer një rekord dhe duke qenë më i madhi në 116 vjet histori të këtij kompeticioni. Majkëll Felps e fitoi medaljen e 19 olimpike, një të artë, në garën e stafetës 4×200 metra stil i lirë, një garë që u dominua totalisht nga SHBA-ja. Ai mund të kishte fituar një tjetër medalje ari, por u lodh në centimetrat e fundit të garës së tij të preferuar të 200 metrave flutur dhe u kalua nga afrikanojugori Shad Lë Klos. Gjithsesi, ai ka tani 15 medalje ari, ndërsa rekordi i mëparshëm ka qenë 9. Notari amerikan është sërish një fuqi e madhe e sportit, ndonëse jo në një rol komandues, pasi disa sportistë të tjerë kanë fituar nga 2 medalje të arta, diçka që Felps në 8 vitet e fundit e quante minimumin e mundshëm. Në Akuadromin londinez, për të asistuar në ngjarjen historike, ishte edhe vetë legjendarja Larisa Latinina, ish-gjimnastja sovjetike që fitoi 18 medalje, përfshi nëntë ari në tri Olimpiada: më 1956-n, 1960-n e 1964-n. Në moshën 77-vjeçare, me flokë të bardha dhe me syze, Latinina ishte e bindur që më parë se Felpsi do ta thyente rekordin e saj. “Unë i uroj atij më të mirat e mundshme”, ishin fjalët e tjera të saj. Plot 17 500 tifozë në Qendrën e Ujit në Londër, brohoritën me të madhe pasi aty u shkrua kjo faqe historie, ndërsa olimpistët i thurën lavde Majkëllit, ndërsa ktheheshin në fshatin olimpik pas kësaj finaleje. “Majkëll Felps është i mirë, padyshim nga më të mirët”, u shpreh basketbollisti rus, Timofei Mozgov. “Ai është një legjendë, Felpsi është një legjendë, thotë notari kanadez, Kolin Rasëll, askush nuk mund të fitojë 8 të arta në një Olimpiadë pa qenë legjendë. Prandaj ai është Felpsi”. Xhudisti australian Dos Santos mendon se Felps ka një të metë të madhe. “Ai është paksa egoist, ai nuk po lë njeri tjetër që të fitojë”, u shpreh Dos Santos. “Është e jashtëzakonshme që ai motivohet edhe pasi fiton 1, 2, 3 apo 15 medalje, që synon limitet”. Veçse, historia e Felpsit, ndoshta ende nuk ka përfunduar dhe ai mund ta thyejë edhe rekordin e tij.

 

Latinina

Rekordi i mëparshëm mbahej nga legjendarja Larisa Latinina, ish-gjimnastja sovjetike, që fitoi 18 medalje, përfshi nëntë ari në tri Olimpiada: më 1956-n, 1960-n e 1964-n

Autor te 2 Gusht 2012. Londer 2012. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry