Kukës
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, kompania CEZ nisi dje aksionin e ndërprerjes së energjisë elektrike në disa fshatra të Kukësit, ku borxhi arrin 100 për qind. Të organizuar, grupet e punës së kompanisë nisën stakimin e linjave ndaj familjeve debitore, por nuk kanë munguar përplasjet fizike. Në fshatin Breg Lumë të Komunës Tërthore, banorët u kanë dalë në pritë punonjësve të kompanisë, ku me mjete rrethanore, kryesisht shkopinj, kanë nisur të godasin personelin dhe mjetet e transportit të CEZ, duke krijuar dëme. Aksioni është ndërprerë për të vijuar ndoshta ditën e sotme. Sakaq, në një deklaratë për shtyp, kompania thotë se nuk do të tërhiqet nga plani i ndërprerjes së furnizimit me energji ndaj debitorëve
Pretendimet
Prej disa ditësh, kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike CEZ ndodhet në një situatë konflikti me konsumatorët e Komunës Tërthore në Kukës, sidomos me fshatrat në Breg Lumë, Morin etj. Pas ndërpres së furnizimit për mospagim të faturave, banorët bllokuan nënstacionin e energjisë në Rexhepaj duke bërë presion se nuk do të lejonin ndërprerjen e rrymës. Ata gjatë tri ditëve me radhë kanë çarë edhe kordonin e policisë duke shkallmuar derën kryesore të nënstacionit. Argumenti kryesor i banorëve të këtyre fshatrave qëndron në faktin se tokat e tyre janë përmbytur nga hidrocentrali i Fierzës dhe nuk janë kompensuar. Duke qenë se qeveria nuk po u jep zgjidhje, banorët po përpiqen ta marrin kompensimin nga CEZ, kompani private, që nuk ka lidhje me ndërtimin e Fierzës apo me përmbytjet e tokave të tyre, ngjarje që kanë ndodhur shumë vite më parë.
Një argument tjetër që përdorin banorët dhe që mbështetet edhe në autoritetet vendore është fakti se shumica e familjeve në këtë komunë jetojnë nën nivelin ekstrem të varfërisë. Shani Matmuja, një 55-vjeçar nga Përbregu, ish-minator, tha se jetonte me vetëm një pension minimal prej 6.500 lekësh në muaj dhe nuk kishte asnjë burim tjetër të ardhurash, pasi ishte edhe i sëmurë me silikozë për shkak të punës nëntokë. “Në këto kushte, siç tha ai, le të bëhem familja e parë që jetoj në terr, për mua le t’i presin dritat, duke shtuar se, kjo zonë ishte shtypur brutalisht ekonomikisht dhe politikisht edhe nga sistemi komunist”. Ashtu si ai ka edhe një numër familjesh që, siç tregojnë vetë ata dhe që pohohet nga vendorët, jetojnë pa asnjë burim financiar, toka u është përmbytur pa u kompensuar asnjëherë ku përfshihen kullotat, arat dhe lugina e lumit, të cilat nuk kanë në tapi, por që gjithsesi kanë qenë burimi i jetesës për to.
Kompania
CEZ Shpërndarje do të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për të gjithë ata konsumatorë që nuk paguajnë faturat. Kjo ka qenë deklarata që bëri në nënstacionin Rexhpaj, drejtori i divizionit të shpërndarjes, Admirim Lakra. Ai së bashku me disa kolegë të tij dhe punonjësit lokalë të kompanisë kishin paralajmëruar më herët se do të udhëtonin në Rexhepaj nga do të lëshonin ultimatumin për mosndërhyrje në rrjet dhe pranim të kushteve kontraktuale: nuk paguan, nuk ke energji. Ndërsa i pyetur për dëmshpërblimin e pronarëve të tokave të përmbytura, ai tha se këtë çështje i takon ta zgjidhin institucionet shtetërore. “Nuk i takon CEZ-it ta zgjidhë problemin që kërkojnë banorët. Është një problem mes tyre dhe shtetit”, tha Lakra.
Problemi i mospagesës së faturave nuk është vetëm në Komunën Tërthore të Kukësit, apo të zonave përreth këtij qarku, por edhe në Dibër. Për CEZ-in, me shqetësim shikohet edhe zona e Maqellarës në Dibër, ku debia arrin 100 për qind. Banorët në këtë zonë nuk i kanë paguar dritat dhe CEZ ka ndërhyrë për t’ua ndërprerë. Kompania ka deklaruar më herët se nuk do të tolerojë askënd që është debitor me faturat, pasi u është dhënë mundësia për lehtësi në shlyerje detyrimesh, por nuk është rënë dakord. Sa u takon rasteve në rajone të ndryshme të vendit, ku klientët pretendojnë se i kanë paguar faturat, por energjia u është ndërprerë, drejtoresha e divizionit të shitjeve, Elona Lekloti sqaron se “do të kryhen verifikime rast pas rasti”. Sakaq, ditën e djeshme mësohet se pas aksioneve në Maqellarë pati reagime pozitive të banorëve me pagesën e faturave.
Konflikti
Kompania CEZ është kritikuar nga banorët e komunave në Kukës për për ndërprerje të energjisë në mënyrë kolektive. Kufizimet, pushtimi i nënstacioneve dhe ndërhyrja e policisë duket se e ka acaruar më shumë situatën.
Rasti më i fortë i konfliktit u regjistrua dje në fshatin Breg Lumë në Tërthore, ku banorët sulmuan punonjësit e CEZ-it. Në Breglumë janë përballur me rezistencën e banorëve, të cilët u kanë kërkuar elektricistëve të largohen nga kishin ardhur ose përndryshe do të përdornin dhunën fizike. Një numër banorësh të irrituar për masat e ndërprerjes së rrymës kanë përdorur edhe mjete rrethanore ku kanë goditur autoveturat e nëpunësve të CEZ dhe ku kanë sprapsur aksionin për prerjen e furnizimit.
Edhe më herët, punonjës të CEZ-it në Kukës janë përballur me reagime kërcënuese të banorëve për të mos lejuar ndërprerjen e rrymës, gjithnjë me pretendimin se shteti po ua shet të huajve, në këtë rast çekëve, energjinë që buron mbi mjerimin e tyre. “Nuk ndodh askund në Europë që dikush të përdorë për pasurim pronën tënde dhe të të ndëshkojë në këtë mënyrë siç ndodh me ne”, tha një banor i zonës së përmbytur duke shtuar se që nga viti 1978 familja e tij sillej sa në një vend në tjetrin pa pronë dhe shtëpi, sepse shteti nuk e kompensoi asnjëherë.
Komuna Tërthore është 100 për qind debitore dhe vlera arrin deri në 187,153,411 lekë të reja
Qëndrimi zyrtar
Në kuadrin e fushatës së ndërprerje për klientët debitorë në të gjithë Shqipërinë, ekipet e CEZ Shpërndarje kanë rifilluar dje ndërprerjet individuale të energjisë për klientët debitorë në Kukës dhe në Maqellarë (Peshkopi), zona ku javën e shkuar u zhvilluan protesta të dhunshme ndaj aksionit të CEZ Shpërndarje. Dje në Maqellarë pati reagime pozitive nga debitorët, të cilët kanë bërë pagesa të faturave te energjisë si edhe kanë nënshkruar marrëveshje për pagesa me këste.
Në fshatin Bregu i Lumit (Komuna Tërthore, Kukës) ekipet janë sulmuar nga banorët e zonës, të cilët janë 100% debitorë dhe refuzojnë të paguajnë për energjinë që konsumojnë. Punonjësit e CEZ Shpërndarje ishin në Breg për të kryer ndërprerjet e planifikuara dhe të njoftuar prej disa ditësh në media kur banorët i kanë sulmuar punonjësit e kompanisë dhe kanë kundërshtuar çdo formë bashkëpunimi me strukturat e kompanisë.
Komuna Tërthore është 100% debitore dhe vlera arrin deri në 187,153,411 lekë të reja. CEZ Shpërndarje u bën thirrje të gjithë banorëve, strukturave të pushtetit lokal dhe atyre të rendit në zonën e Kukësit, që të bashkëpunojnë me ekipet e kompanisë, për të arritur marrëveshje lehtësuese për mënyrat e pagesave. Aktet e dhunshme si ato të djeshmet, që nuk i shërbejnë marrëdhënies së shëndoshë që kompania kërkon të ndërtojë me konsumatorët e energjisë dhe rritjen e cilësisë së shërbimit në të gjithë Shqipërinë, do të raportohen menjëherë tek organet përkatëse për ndjekje penale.
CEZ Shpërndarje dëshiron të theksojë se garanton furnizimin me energji elektrike vetëm për ata konsumatorë, të cilët paguajnë detyrimet e tyre financiare. CEZ Shpërndarje është e vendosur të mos lejojë që konsumatorët të vjedhin apo mos paguajnë energjinë elektrike duke tejkaluar afatet kontraktuale. Punonjësit e kompanisë, në bashkëpunim me autoritetet vendore dhe policinë, aktorë shumë të rëndësishëm gjatë këtyre aksioneve, do të vazhdojnë të punojnë në të gjitha zonat problematike për të bërë arkëtimet e debive të konsumatorëve debitorë. Të gjithë ata klientë debitorë që do të vazhdojnë të injorojnë detyrimet për pagesat e faturave të energjisë, do të kallëzohen nga kompania për ndjekje penale në prokurori, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
Kompania: 6 mijë vendime presin përmbarimin për ekzekutim faturash
CEZ nuk ka probleme vetëm me ata që e vjedhin energjinë elektrike duke dëmtuar matësit apo duke kryer lidhje të dyfishta. Kjo është njëra anë e situatës së vështirë me krijimin e borxheve, pasi një “ushtri” e madhe debitorësh, prej 450 mijë, nuk janë pagues të rregullt të faturave të energjisë elektrike të konsumuar.
Sipas të dhënave zyrtare, çdo muaj kompania njofton debitorët duke u bërë të ditur detyrimet që kanë ndaj CEZ-it. Janë gjithsej 150 mijë njoftime të ndryshme, ku janë të renditura me detaje detyrimet e çdonjërit konsumator. CEZ përdor edhe mjetet e informimit përmes telefonit, duke dërguar rreth 20 mijë sms në muaj. Edhe pse janë kosto për kompaninë, CEZ e gjykon të duhur transparencën me publikun duke i njoftuar për çdo detyrim dhe për t’i paraprirë çdo lloj paqartësie.
Edhe pse njoftohen janë të shumtë debitorët që nuk reagojnë dhe në këto kushte kompania përdor rrugët ligjore, atë të dërgimit të çështjes në gjykatë. Gjithsej numërohen rreth 20 mijë vendime gjykate, ku gati 6 mijë presin ekzekutimin e përmbarimit, ndërsa për 13 mijë të tjerë, CEZ është në pritje të ekzekutimit të detyrimit në mënyrë vullnetare.
Që nga koha e privatizimit të OSSH-së, kompania e gjen veten me një detyrim të akumuluar prej 51 miliardë lekësh, ku pjesa më e madhe u takon abonentëve familjarë. Në total janë gati 450 mijë debitorë, diçka më pak se gjysma e të gjithë klientëve të CEZ-it. Ky raport shqetësues ka vënë në lëvizje CEZ-in, e cila deklaron me forcë se nuk do të tolerojë më ndaj atyre që nuk e paguajnë faturën e dritave.
Një “ushtri” e madhe debitorësh, prej 450 mijë, nuk janë pagues të rregullt të faturave të energjisë