Monstra


Familjarët e Hysen Bibajt pretendojnë se 29-vjeçari ka probleme mendore, në përpjekje për të sheshuar konfliktet me familjen e nënës së foshnjës. Në gjykatë, shfaqet i qetë, ndërsa Luljeta del nga spitali


Nëna lehonë ndoqi babain vrasës, gjykata e lë në burg


Sokol Çobo


Megjithëse familjarët pretendojnë çrregullime mendore, babai monstër që hodhi nga kati i katërt foshnjën treditëshe është shfaqur relativisht i qetë në gjykatë, madje i është përgjigjur edhe pyetjeve nga gjykatësi Ilir Çeliku. Me një pamje të trembur dhe me një bluzë me vija rozë, ku këmisha i kishte dalë jashtë nga pantallonat për të krijuar idenë e një të sëmuri mendor, 29-vjeçari i është përgjigjur në mënyrë të saktë pyetjeve të gjykatësit. Ai është pyetur për gjeneralitetet e tij, megjithëse me një zë të ulët. Hyseni ka dhënë detaje mbi vendbanimin pranë Qytetit Studenti, ndërsa më pas i ka lënë fjalën avokatit të përfaqësohej në gjykatë.


 


Akuza: Luljeta ndoqi Hysenin


Gjatë vlerësimit të masës së sigurisë, prokurori i çështjes, Shpëtim Kurti, lexoi para gjyqtarit kronologjikisht ngjarjen. Sipas tij, prokuroria ka regjistruar procedimin penal numër 3723 të vitit 2012, në ngarkim të shtetasit Hysen Bibaj, lindur në Kukës e banues në Tiranë. Sektori Kundër Krimit të Jetës dhe Familjes ka marrë informacione se pranë maternitetit “Koço Glozheni” në Tiranë është gjetur një foshnjë e pajetë. “Policia na referoi se në datën 29 korrik, ditën e hënë, Hysen Bibaj ka shkuar pranë maternitetit ku kishte të shtruar bashkëshorten e tij Luljeta. Rreth orës 21:00, Hyseni ka shkuar në dhomën numër 5, në katin e katërt dhe pasi ka qëndruar disa minuta i ka kërkuar bashkëshortes së tij që të mbante foshnjën në duar. Për rreth 10 minuta, ai është shfaqur i qetë dhe në një moment, teksa ishte pranë dritares, ai ka hedhur foshnjën nga kati i katërt, duke i shkaktuar vdekjen. Më pas është larguar me shpejtësi nga dhoma dhe është ndjekur në shkallë nga bashkëshortja e tij, Luljeta, e cila ka lajmëruar edhe personelin e maternitetit” pohon akuza. Sipas prokurorit Shpëtim Kurti, provohet qartësisht se i arrestuari ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 79/a i Kodit Penal, (vrasja në rrethana cilësuese ndaj të miturit që parashikon një dënim jo më pak se 20 vite burg deri në burgim të përjetshëm). Më pas me ndërmjetësimin e të afërmve, ai është arrestuar në Kamzë. Akuza pretendon se ka marrë deklarimet e disa personave nga të dyja familjet, Bibaj dhe Peposhi, përkatësisht të prindërve të Hysenit dhe Luljetës, të cilët kanë treguar edhe konfliktet e çiftit disa kohë më parë. Përfundimisht, prokurori Kurti kërkoi masën e arrestit me burg pa afat.


 


Avokati: Është i sëmurë


Pas fjalës së prokurorit, avokati Gëzim Allaraj, pohoi se klienti i tij vuante nga sëmundja e depresionit. Ai tha se nuk dëshiron të fokusohet te ngjarja, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim për këtë episod, por te shkaqet që e çuan Hysenin të ndërmerrte një akt të tillë. “Nga dokumentet që disponoj rezulton se Hysen Bibaj ka pasur çrregullime dhe turbullime psikike para ngjarjes. Ai ka humbur ekuilibrin mendor. Jemi dakord për kërkesën e prokurorisë që kërkoi masën e arrestit me burg, por kërkojmë që hetimet të fokusohen në bazë të nenit 17/2 të Kodit Penal”, tha Allaraj. Sipas dispozitës që kërkoi avokati, në këtë nen “papërgjegjshmëria për shkak të gjendjes mendore”, thuhet se “personi që në kohën e kryerjes së veprës penale vuante nga një turbullim psikik ose neuropsikik, që ka ulur ekuilibrin e tij mendor për të kuptuar dhe kontrolluar plotësisht veprimet apo mosveprimet e tij, është i përgjegjshëm, por kjo rrethanë mbahet parasysh nga gjykata në caktimin e masës dhe llojit të dënimit”. Avokati i paraqiti gjyqtarit edhe një recetë që kishte marrë në një ambulancë Hysen Bibaj për kurimin e çrregullimeve mendore.


 


Gjyqtari: Të rrijë në burg


Pas parashtrimeve të fakteve nga akuza dhe mbrojtja, gjyqtari Ilir Çeliku vendosi që Hysen Bibaj të qëndrojë në masën e arrestit me burg, deri në përfundim të hetimeve, pasi ekzistojnë provat që ai ka hedhur nga kati i katërt foshnjën e porsalindur. Megjithatë, gjyqtari nuk përcaktoi kryerjen e ekspertizës psikike për këtë shtetas.


Spitali


Burime nga materniteti “Koço Glozheni” në Tiranë pohojnë se Luljeta Bibaj ka dalë nga materniteti, ndërsa nuk japin asnjë informacion se kush e ka marrë. Një ditë më parë pohuan se gjendja e saj ishte shumë e rënduar psikologjikisht


 


Dialogu me gjyqtarin


Si të quajnë?


Hysen.


 


Mbiemri, ngrije zërin?


Bibaj.


 


Atësia?


Bajram.


 


Ku keni lindur?


Në Kukës.


 


Ku banoni?


Në Tiranë.


 


Adresa rruga?


Rruga “Pjetër Budi”, tek Qyteti Studenti.


 


Ka numër banesa?


S’e mbaj mend.


 


Familjarët e Hysenit


Në Gjykatën e Tiranës kanë qenë të pranishëm edhe familjarët e Hysen Bibajt, duke udhëzuar avokatin dhe pjesëtarë të familjes për të nxjerrë në pah se autori i kësaj ngjarje makabre është “i çmendur”


 


Intervista


Duam të shpallet i pafajshëm, pasi krimin e ka kryer nga çrregullimet mendore


Daja i autorit: Nipi të mbyllet në çmendinë


Daja i Hysen Bibajt pretendon se nipi i tij duhet të mbyllet në çmendinë, pasi është me “kartelë mendore”, dhe se krimin e ka kryer nga çrregullime të forta. Mehmet Toshi pohoi dje pas masës së sigurisë se Hyseni vuante prej një viti nga probleme mendore dhe për këtë kanë pasur dijeni edhe krushqit, që nuk kanë marrë asnjë masë. Megjithatë, ai pohoi se familja Bibaj nuk ka asnjë pretendim për atësinë e foshnjës. “Nuk kemi pasur asnjë pretendim për atësinë e foshnjës. Të gjithë ne kemi shkuar në maternitet dhe i kemi uruar çiftit për ardhjen në jetë të djalit të dytë”, ka pohuar Mehmeti, ndërsa ka pohuar se i kanë dërguar fjalë krushqve për pjesëmarrjen gjatë riteve të fundit për varrosjen e foshnjës, kërkesë e cila nuk është pranuar nga familja Peposhi. Sipas Mehmetit, një ngjarje e tillë është personale dhe nuk mund të prekë familjarët e çiftit.


 


Si e keni mësuar ngjarjen?


Ma kanë thënë familjarët e tjerë dhe nga media.


Cili është komenti juaj?


Ngjarja është shumë e rëndë, megjithëse në kushtet e rënda psikike. Nipi im, Hyseni, vuante prej kohësh nga sëmundjet mendore, madje edhe dokumentet e pretendojnë këtë gjë.


Çfarë dokumentesh?


Kemi një dokument mjekësor që vërteton se Hyseni ka probleme mendore. Nisur nga kjo, mendoj se ka vepruar në çrregullime të forta mendore.


Familja juaj dhe e Luljetës kishte dijeni për sëmundjen e tij?


Po, kishte dijeni, pasi ai merrte edhe ilaçe. Hyseni ka reaguar edhe ndaj nënës së tij, motrës sime, të cilën e ka goditur disa herë, duke e dërguar edhe në spital, madje me fraktura të forta. Para dy javësh ka bërë operacionin. Dhunë ka treguar edhe ndaj të tjerëve. Kjo është një lloj paaftësie e jona dhe e mjekësisë. Kemi kërkuar që të shtrohet në Spitalin Nr.5 por nuk na e kanë pranuar. Çfarë duhet të bëjë një person që të shtrohet, kur ka diagnoza. Duhet një vështrim më i thellë në mendjen e tij dhe ndoshta kjo mund të ishte parandaluar. Ai është kuruar edhe në Itali dhe Angli. Ai ishte edhe i papunë dhe disa faktorë ndikuan në këtë ngjarje.


Kishte ndonjë pretendim për atësinë e foshnjës?


Persona që vuajnë nga të tilla sëmundje kanë gjithmonë ndonjë pretendim që nuk qëndron. Ne si familjarë të tij, pasi unë flas edhe në emër të njerëzve të tij më të afërt, nuk kemi asnjë pretendim. Foshnja ishte i Hysenit dhe nuk kemi dyshime. I kemi bërë ritet e fundit dhe i kemi dërguar fjalë edhe familjes Peposhi që të merrte pjesë. Ata nuk kanë ardhur.


Familja e Luljetës ka ngritur pretendime se familja e nipit tuaj ka bërë kërkesë për një test ADN-je të foshnjës?


Mesa di unë, ne nuk kemi bërë të tilla kërkesa dhe s’kemi asnjë pretendim. Nusen e presim në familje, pasi është nëna e një djali me Hysenin. Familja Peposhi është nxituar teksa ka bërë të tilla deklarata. Ka ndodhur vetëm një krim brenda familjes dhe asgjë më shumë dhe e gjitha kjo, për shkak të çrregullimeve të forta mendore të nipit tim. Prania e tyre do të ishte normale në varrim, ata e kanë parë në atë mënyrë. Akuzat që u janë bërë atyre janë bërë nga një i sëmurë mendor.


Gjykata vendosi arrest me burg për Hysenin, si e vlerësoni këtë masë?


Kërkojmë pafajësi për Hysenin. Nuk duam që të lirohet por të paktën të shtrohet në Spitalin e Burgut dhe të marrë mjekimet e duhura, pasi siç përmenda, vuan nga depresioni. S.Çobo