EULEX: Nuk gjenden eshtrat e 25 të zhdukurve në Zhilivodë

Dështojnë kërkimet për gjetjen e eshtrave të 25 personave që mendohet se gjenden në Zhilivodë. Pas dy vjetëve punë intensive, EULEX-i përmes një komunikate për mediat ka njoftuar se nuk kanë gjetur mbetje mortore të njerëzve në këtë lokacion, hulumtimi i të cilit është bërë me urdhër të gjykatës. “Hapësira që ishte lëndë e interesimit dhe e cila ishte përcaktuar në urdhrin e gjykatës përfshinte rreth shtatë mijë metra katrorë dhe përbëhej prej dymbëdhjetë minierave të thëngjillit të lidhura me tunele. Ato janë gërmuar përgjatë njëzet e katër javëve të punës më 2011 dhe 2012. Për shkak të karakteristikave të lokacionit është dashur që të hulumtohet e tërë zona. Aty nuk u gjetën mbetje mortore të njerëzve,” tha Krassimir Nikolov, ushtrues i detyrës së Bashkëkryesuesit (EULEX), në Departamentin e Mjekësisë Ligjore (DML). Më tej ai ka bërë të ditur se EULEX-it vazhdon të jetë i përkushtuar për përcaktimin e fatit të personave të pagjetur në Kosovë dhe do ta vazhdojë kërkimin për mbetjet mortore të njëzet e pesë personave për të cilët disa kanë menduar se gjenden në Zhilivodë. Gjatë luftës së Kosovës janë zhdukur rreth 1781 persona, fati i të cilëve nuk dihet ende, megjithë përpjekjet e autoriteteve dhe familjarëve. 2 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)

Autor te 2 Gusht 2012. Rajon. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry