Për të marrë pjesë në olimpiadë, tani duhet të jesh të paktën 15 vjeç. Një nga yjet e këtyre ditëve të para të lojërave olimpike, është edhe Ruta Meilutyte, adoleshentja lituaneze që fitoi medaljen e artë në not, 100 metra, në stil bretkosë
Kur fitoi tri medalje ari në Montreal, në vitin 1976, Nadia Comaneci ishte 14 vjeçe. Tani, për të marrë pjesë në olimpiadë, duhet të jesh të paktën 15 vjeç. Një nga yjet e këtyre ditëve të para të lojërave olimpike është edhe Ruta Meilutyte, adoleshentja lituaneze, e cila fitoi medaljen e artë në not, 100 metra, në stil bretkosë. “Vogëlushja” biondinë me sy bojëqielli i la të gjithë pa fjalë. Notoi sikur kishte vite që e bënte këtë “punë” sikur ishte mësuar me fitoret, me mundjen e kampioneve të mëdha dhe të qenit në qendër të vëmendjes. Luftoi deri në fund dhe u rendit e para, duke lënë pas emra të mëdhenj të notit. Por ndonjëherë mjafton familja, mjafton një intuitë për t’u rritur. Dhe një çast i vetëm. Dy vjet më parë, babai i Meilutyte e dërgoi të bijën Ruta, e lindur në Kaunas, më 19 mars të vitit 1997, që të stërvitej në Angli, por edhe që “të njihej me botën dhe t’ia dilte mbanë e vetme”. Studion, noton dhe stërvitet në “Plymouth College”, i njëjti me atë të Tom Daley-t, zhytësi që në moshën 14-vjeçare i mahniti të gjithë në Lojërat e Pekinit. Pak më tutje se ajo në kalendarin e sportit që vjen nga “kopshtet” ndodhej edhe “monstra” Shiwen Ye, 16-vjeçarja kineze, e cila ka notuar më shpejt se Ryan Lochte në metrat e fundit në stil të lirë, në garën e 400 metra stil i përzier e që pa dashur ka shkaktuar një stuhi të vërtetë diplomatike. I quajtur si “fëmija peshk”, Shiwen Ye ka marrë çdo medalje të artë në kategoritë ku ka garuar. Ajo është vetëm 16 vjeçe, por është më e shpejtë se kushdo tjetër, madje edhe se meshkujt. Janë të shumtë ata që tani mendojnë se “mund të jetë ndërtuar në laborator, e që ndoshta trajneri i saj i parë ka qenë një inxhinier gjenetik, jo një instruktor normal noti. “Praktika të tilla i lejojnë kafshët të kenë më shumë oksigjen në gjak, përse të mos mendosh që kjo është bërë edhe tek njerëzit”. Kjo është pyetja që shtron trajneri amerikan i notit John Leonard. Një frazë që përfaqëson diçka më shumë se një dyshim: doping gjenetik. Ky është një univers ende i panjohur. “Vajza e re kineze ka bërë diçka që kurrë më parë nuk ka ndodhur. Diçka të jashtëzakonshme. Është e pamundur të mos pyesësh se si mund të arrihet kjo”. Dhe të mendosh se është vetëm 16 vjeçe. Në Londër ka bërë përshtypje edhe shpejtësia me të cilën adoleshentja e gjimnastikës angleze, 19-vjeçarja Max Whitlock, me medaljen e bronztë në qafë për fitoren në skuadër, ka mbledhur deri tani 120 propozime për martesë vetëm brenda një nate në “Twitter”. Në lojëra olimpike, të rinjtë i gjen gjithmonë në të njëjtat disiplina sportive: zakonisht gjimnastikë, not dhe hedhje nga trampolina. Kështu përveç Ye, mund të përmendim kinezin Yan Cao (17 vjeç), australianen Brittany Elmslie (18), amerikanen Melissa Franklin (17) kanë fituar medaljen e artë nën 20-vjeçarët Agnel, Seebohm, Campbell, Kukla. Për më tepër është edhe një 20-vjeçar, afrikanojugori Le Clos që ka mundur Phelps-in. Një përjashtim tjetër vjen nga peshëngritja: sportistja nga Kazakistani, Zulfiya Chinshanlo, 19 vjeçe, është fituesja e medaljes së artë në kategorinë e 53 kilogramëve. Zulfiya është kineze (emri i saj i vërtetë është Zhao Changling) por duke qenë se nuk arriti dot të kualifikohej me vendin e saj, kërkoi që të mund të garonte për Kazakistanin. Kina e “la” që të shkonte për pesë vjet. Pastaj do ta rimarrë sërish. Por për momentin kushedi sa shumë po i qan zemra për këtë gabim fatal: kinezja tjetër 17-vjeçare Zhou Juan, e përzgjedhur në kategorinë e Zulfyia-s, ka dështuar në mënyrë tragjike. Ndërsa në xhudo, jeta e 20-vjeçarit gjeorgjian, fitues i medaljes së artë në kategorinë 66 kilogramë, është me siguri më e shkurtër se mbiemri i tij: Shashiashvili,.
Ruta Meilutyte
Noti
Lituanezja 15-vjeçare, medalje e artë në 200 metra stil bretkosë. Prej dy vjetësh, jeton dhe studion në Angli
Zulfiya Chinshanlo
Peshëngritje
Kineze, 19 vjeç, garoi për Kazakistanin: medalje e artë në kategorinë 53 kilogramë
Yan Cao
Hedhje nga trampolina
17-vjeçari kinez fitoi medaljen e artë në hedhjen nga trampolina prej dhjetë metrash